Ndërlidhjet

PDK: MARRËVESHJA PËR KOALICION MË SË LARGU PASNESËR


Albana Isufi

Partia Demokratike e Kosovës synon që nesër ose me së largu pasnesër ta finalizojë marrëveshjen për koalicion me LDK-në, përderisa kjo e fundit nuk beson se një pajtim i tillë do të arrihet kaq shpejt. Zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se tashmë kanë marrë pajtimin e LDK-së me parimet për koalicion të ofruara nga PDK-ja, por marrëveshje formale ende nuk ka. “Ne kemi prezantuar parimet dhe platformën tonë dhe dje kemi marrë përgjigje pozitive nga LDK-ja. Besojmë se nesër, më së largu pasnesër, do ta kemi edhe formulën, e cila do të qeverisë Kosovën”, tha Çitaku. Zyrtarë të LDK-së thonë se këtij subjekti politik i është ofruar posti i presidentit, që do të mbetet i paprekur, pesë ministri dhe një zëvendëskryeministër. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, thotë se ky subjekt do të mbajë konsultime të mëtejme, për të siguruar edhe ministrinë e gjashtë, e cila do të formohet pas zgjidhjes së statusit. Ramë Manaj nuk beson se marrëveshja mund të arrihet nesër. “Nuk e besoj. Ne, nesër, besoj se do ta shohim më afër, më qartë, më drejtpërdrejt ofertën dhe cilat do të ishin ato ministri që do të na takonin neve, në bazë të marrëveshjes për koalicionin qeveritar”, u shpreh Manaj. Ndryshe, kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë, kur edhe përfundon afati i përcaktuar me Kornizë Kushtuese për krijimin e institucioneve të reja. Ekspertë për çështje kushtetuese tërheqin vërejtjen se moskrijimi i shpejtë i institucioneve mund të çojë në vakuum institucional. Nekibe Kelmendi thotë se nëse deri më 5 janar nuk mblidhet seanca inauguruese, atëherë vakuumi institucional është i pashmangshëm. “Nëse nuk do të mblidhet brenda 30 ditësh seanca e Kuvendit të Kosovës, gjë që nuk do të ndodhë dhe e them këtë me plot përgjegjësi, atëherë do të krijohet një vakuum institucional, e vakuum institucional nuk guxon të lejohet, por shpallen menjëherë zgjedhjet e reja”, tha Kelmendi. Në një rast të tillë, UNMIK-u do të jetë ai që do ta mbushë këtë vakuum institucional, deri në zgjedhjet e reja. Por, eksperti për çështje kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se megjithatë afati 30 ditësh nuk është strikt dhe maksimumi i pritjes së zgjedhjes së qeverisë së re është nga 60 deri në 90 ditë. ”Ky afat nuk është strikt as në kushtetutat më demokratike, sepse ato parashohin një cikël prej 60 deri në 90 ditë, brenda të cilave duhet të formohet qeveria. Dhe, në rast se brenda këtij afati nuk arrihet ndonjë marrëveshje, atëherë si konsekuencë kushtetuese është shpërndarja e Parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje të reja. Mirëpo, ky rast nuk vlen për Kosovën, sepse ky afat prej 30 ditësh nuk është strikt, i cili mund të prodhojë pasoja kushtetuese. Pasoja kushtetuese do të mund të prodhonte mosformimi i qeverisë brenda 60 ditësh, siç parashihet me standarde ndërkombëtare. Por, unë shpresoj se Kuvendi i Kosovës do të konstituohet brenda afatit të paraparë me Kornizën Kushtetuese, në fillim të janarit”, theksoi Bajrami. Edhe Korniza Kushtetuese edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit parashohin një afat 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve, brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi i ri, i cili më pas do t’i zgjedhë organet e Kuvendit, kryetarin dhe qeverinë. Pas zgjedhjeve të para parlamentare, të mbajtura më 2002, qeveria e re është formuar 3 muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. PDK-ja, që është mandatuar për të krijuar qeverinë e re, ka siguruar se kjo qeveri do të krijohet para vitit të ri.
XS
SM
MD
LG