Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU: NE E KEMI BËRË KOSOVËN GATI PËR PAVARËSI


Albana Isufi

Kryeministri në largim, Agim Çeku, ka thënë sot se qeveria që ai e ka drejtuar, e ka bërë gati Kosovën për pavarësi. Në një konferencë për gazetarë, në fund të mandatit të qeverisë, kryeministri Çeku ka përmendur të arriturat e qeverisë, ku theks të veçantë i ka kushtuar procesit të statusit dhe stabilitetit të brendshëm, gjë që, sipas tij, ka bërë që të mos shmanget fokusi i bashkësisë ndërkombëtare nga statusi. "Ne e kemi bërë Kosovën gati për pavarësi. Ky është mesazhi ynë dhe raporti, që unë si kryeministër ia jap popullit të Kosovës. Kosova është e gatshme për pavarësi. Të arriturat tona, aktivitetet tona, diplomacia jonë, realiteti i krijuar në Kosovë, e kanë bërë të gatshme edhe bashkësinë ndërkombëtare për ta njohur pavarësinë e Kosovës", tha Agim Çeku. Megjithatë, gjatë periudhës gati dyvjeçare, sa e ka udhëhequr koalicionin qeverisës LDK-AAK, Agim Çeku ka përmendur të metat dhe sfidat, ndër to: mosshtrirja e pushtetit në tërë territorin e Kosovës, përkatësisht në rajonet e banuara me serbë, moszbardhja e fatit të të zhdukurve, problemet energjetike, të metat në sistemin e drejtësisë, prania e korrupsionit, dukuri kjo për të cilën është folur se janë të përfshirë edhe vetë disa ministra të Qeverisë Çeku. Kryeministri në largim ka thënë se nuk ka pasur pushtet të plotë për t’i luftuar këto dukuri, pasi, siç ka thënë ai, nuk ishte shefi i vetëm i ministrave të kabinetit të tij. "Unë nuk kam qenë në pozicion si është sot kryeministri i ardhshëm, i cili ka edhe kohë, edhe mundësi, edhe kapacitet e legjitimitet, që të negociojë në radhë të parë formulën e koalicionit, përbërjen e qeverisë etj. Unë nuk i kam pasur këto mundësi dhe kjo ka paraqitur vështirësi. Nuk kam qenë shefi i vetëm i ministrave të mi. Kam qenë shef, më kanë respektuar, por nuk kam qenë i vetmi", tha Çeku, i cili dy vjet më parë, me ftesë të AAK-së, la Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe u vu në krye të qeverisë. Duke komentuar renditjen si e katërta për kah prania e korrupsionit që i është bërë Kosovës nga ‘Transparency International’, ka thënë se për aferat korruptive nuk duhet drejtuar shikimin vetëm kah qeveria. "Unë dyshoj në një objektivitet të tillë të rangimit të Kosovës si vendi i katërt dhe nuk mund të pajtohem kurrë. Çuditem me ata që e mbështesin këtë fakt dhe i gëzohen këtij fakti vetëm se ta fajësojnë qeverinë për korrupsion. Është e padrejtë që fatura për korrupsion t'i drejtohet vetëm qeverisë. Ka shumë institucione tjera që mund dhe kanë ndikim në një gjë të tillë. Jemi dëshmitarë të një fushate shumë të bujshme, shumë të pasur të pothuajse të gjitha partive politike dhe shtrohet pyetja nga erdhën këto mjete? E kemi këtu bashkësinë ndërkombëtare, e cila jo rrallëherë është akuzuar për veprime jo fort të ligjshme. I kemi ndërmarrjet publike që nuk janë nën kontroll të qeverisë dhe po ashtu akuzohen për korrupsion", tha Çeku. Ndryshe, edhe në konferencën e sotme për gazetarë, Agim Çeku ka bërë të ditur se dëshiron, që pas kryerjes së mandatit si kryeministër, të formojë një subjekt të ri politik, të cilin do ta drejtojë vetë ai. Ai sërish ka hedhur poshtë pohimet se do t'i bashkohet Partisë Reformiste Ora.
XS
SM
MD
LG