Ndërlidhjet

EKONOMIA ILEGALE DËMTON RËNDË TREGUN KOSOVAR


Nadie Ahmeti

Afër 40 për qind e tregut kosovar mbulohet nga ekonomia ilegale, ekonomi kjo që në masë të madhe po e dëmton zhvillimin ekonomik dhe buxhetin e konsoliduar të Kosovës, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Musa Limani, udhëheqës i Institutit Ekonomik në Prishtinë, pohon se e tëra kjo dëshmon se vërtet Kosovës i kanoset një rrezik bukur i madh, pasi përmasat e një ekonomie të tillë janë çdo ditë e më tepër në rritje. “Tregu kosovar këtu pëson në kuptimin e çrregullimit të tregut, për arsye se ata që e fusin mallin në mënyrë ilegale, në start janë shumë më lirë, sepse kostoja e shpenzimeve është shumë më e lirë për taksat me të cilat ata nuk ngarkohen, p.sh. në doganë 10 për qind dhe janë konkurrentë në treg. Prandaj, formohet një konkurrencë jolojale ndaj atyre që i kryejnë obligimet ndaj shtetit”, pohoi Limani. Arsye tjetër që lejon zhvillimin e ekonomisë ilegale në Kosovë, Xhemail Halili, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se është menaxhimi i dobët i kufijve administrativë me vendet e rajonit, e posaçërisht në pikën kufitare në mes të Mitrovicës dhe Serbisë. “Unë besoj se shumica e ekonomisë informale rrjedh që andej. Kështu që në shumicën e rasteve ajo edhe shkakton çrregullimin në treg dhe i dëmton bizneset e mirëfillta dhe të shëndosha”, tha Halili. Edhe Musa Limani pohon se në pikat kufitare me vendet e rajonit, mallrat ilegale lehtë mund të hyjnë në Kosovë. “Normalisht që unë mendoj se hyjnë në pikat e rregullta, pasi ekziston korrupsioni, ekziston mitoja. Por, ka edhe pika kufitare, ku shumë pak ka qasje administrata doganore, veçmas këto pikat që janë të lidhura me Serbinë dhe me Malin e Zi, për arsye se kontrolli është më i dobët dhe nuk ka qasje në shumë raste”, u shpreh Limani. Ndryshe, ai thotë se hapësira e mjaftueshme për zhvillimin e ekonomisë ilegale ndikon negativisht edhe në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. “Në këtë rast mund të them se dëmet janë shumë më të mëdha, e çrregullon tregun, formohet një konkurrencë jolegale, dëmtohet buxheti i Kosovës, më se paku 30 për qind, që do të thotë një vlerë jashtëzakonisht e madhe”, tha Limani. Ekonomia e zezë është një pjesë e kriminalitetit ekonomik, thotë Xhemail Halili, pasi, sipas tij, përveç që dëmton konsumatorin, dëmton rëndë edhe buxhetin e Kosovës. “Sigurisht që e dëmton buxhetin e Kosovës, sepse gjithë ai mall i ik tatimeve dhe taksave të ndryshme, të cilat sigurisht se do ta pasuronin buxhetin e Kosovës“, u shpreh Halili. Mallrat që shiten më lirë sesa çmimi i tregut, zakonisht janë mallra që kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale dhe nuk kanë kryer obligimet tatimore.
XS
SM
MD
LG