Ndërlidhjet

logo-print

THAÇI: JEMI NË PRAG TË ZYRTARIZIMIT TË VENDIMIT PËR QEVERINË E RE


Zijadin Gashi

Shpallja e koalicionit qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së mbetet një prej sfidave me të cilën po ballafaqohen këto dy parti politike. Pas marrëveshjes në parim për këtë formulë qeverisëse, që mbledh në vete dy partitë më të mëdha në Qeverinë e re të Kosovës, ende thuhet se ka nevojë për më shumë konsultime, si partiake, ashtu edhe ndër-partiake. Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se institucionet e reja të Kosovës do të ndërtohen shumë shpejt. Në këtë aspekt, Thaçi tha se edhe bisedimet për qeverinë e re janë në fazën e marrjes së vendimit për shpalljen e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. “Marrëveshja në parim është arritur. Formimi i institucioneve ka hapat dhe fazat e veta. Tani jemi në fazën e finalizimit dhe në prag të zyrtarizimit të këtij vendimi. Përkushtimi im është që të kemi një qasje që siguron institucione efikase, demokratike e funksionale, në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe shpresoj e besoj se kjo do të ndodhë shpejt”, u shpreh Thaçi. Në asnjë rrethanë, Kosova nuk do të futet në vakuum institucional, pohoi lideri i PDK-së në mandatin e kryeministrit të ardhshëm. Përderisa nga partneri i ardhshëm qeverisës i PDK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkohet që të paktën të thirret seanca konstituive e Kuvendit, e cila, sipas afatit ligjor, duhet të mblidhet deri më 5 janar. Eqrem Kryeziu, nënkryetari i parë i LDK-së, tha sot se LDK-ja dhe PDK-ja kanë një marrëveshje në parim, por, sipas tij, ende ka disa çështje që duhet diskutuar, para se të shpallet marrëveshja për koalicion. Kryeziu tha se PDK-ja e LDK-ja ende nuk e kanë sqaruar ndarjen e ministrive, ndërsa janë pajtuar për formulën, sipas së cilës PDK-ja merr kryeministrin dhe shtatë ministri, kurse LDK-ja presidentin e Kosovës dhe pesë ministri. Ndarja e ministrive, sipas tij, mund të marrë kohë, andaj i ka bërë thirrje PDK-së që të thirret të paktën seanca e Kuvendit dhe të evitohet rreziku nga vakuumi institucional. “Mendoj se duhet të arrihet afati ligjor dhe mos të turpërohemi para faktorit ndërkombëtar. Kjo nuk kushton kurrfarë mundi. Sa i përket qeverisë, i kuptoj telashet që mund t’i ketë mandatari. Për qeverinë mund të bisedohet edhe më pas. Por, kuvendi duhet konstituuar sa më parë dhe ky është hapi i domosdoshëm. Nuk po shohim arsyen pse po zvarritet thirrja e Kuvendit. Me gjasë, ata (PDK-ja) janë përcaktuar për kryetarin e Kuvendit edhe është kryer puna, ecim përpara”, tha Kryeziu. Si në PDK, ashtu edhe në LDK, thonë se zvarritjet në asnjë formë nuk e rrezikojnë marrëveshjen e tyre në parim për koalicion. Por, këto konsultime shtesë, ata i shohin si qartësim të disa çështjeve brenda partive të tyre, për caktimin e posteve ministrore dhe si konsultime ndër-partiake për ndarjen e ministrive. Nëse marrëveshja për qeverinë e re nuk arrihet të nënshkruhet gjatë vikendit, atëherë mund të pritet që të thirret të paktën seanca konstituive e Kuvendit para datës 5 janar, kur edhe është afati i fundit ligjor, në mënyrë që bisedimet për qeverinë të vazhdojnë tutje.

XS
SM
MD
LG