Ndërlidhjet

logo-print

SERBËT PRESIN VAZHDIMIN E NEGOCIATAVE PËR STATUSIN EDHE GJATË VITIT 2008


Zijadin Gashi

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës presin që edhe në vitin 2008 të vazhdojnë negociatat për statusin e Kosovës. Për dallim nga liderët shqiptarë, të cilët i kanë shpallur të përfunduara negociatat dhe zotohen se me formimin e institucioneve të reja do ta shpallin pavarësinë e Kosovës, liderët e komunitetit serb mendojnë se ende ka hapësirë për bisedime. Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se viti vijues do të jetë shumë i rëndësishëm si për Kosovën, ashtu edhe për tërë rajonin. “Presim që statusi i ardhshëm i Kosovës të zgjidhet përmes rrugës paqësore dhe me marrëveshje. Çdo zgjidhje e njëanshme me siguri që do të nxiste trazira dhe implikime në tërë rajonin, para së gjithash mendoj në Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjën”, thotë Veliq. Kështu që, sipas tij, këtu qëndron rëndësia e zgjidhjes paqësore të statusit të Kosovës në vitin 2008. Veliq pret që pas mesit të muajit janar dhe mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit, do të vazhdojnë përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Ky proces me siguri se nuk do të përfundojë shpejt dhe as nuk do të jetë i lehtë, por sigurisht se në vitin 2008 do t’i kemi disa kahe, që çojnë kah zgjidhja e statusit të Kosovës, që nënkupton dhe zgjidhjen e problemeve në Ballkan”, vlerëson Veliq. Ndërkaq, kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, konsideron se bashkësia ndërkombëtare do të jetë ajo që do të vendosë statusin e Kosovës. Petroviq shpreson që një vendim i tillë të mos çojë deri te dhuna. “Statusin e Kosovës duhet ta zgjidhë para së gjithash bashkësia ndërkombëtare. Për fat të keq, Prishtina dhe Beogradi kanë këtu ndikim të vogël”, thotë Petroviq. Zgjidhja më e mirë, sipas tij, do të ishte kompromisi. Por, shprehet Petroviq, procesi ka dëshmuar se palët në bisedime kanë qëndrime krejt të kundërta mes vete. Kështu që në mungesë kompromisi, Petroviq beson se tërë përgjegjësinë për statusin do ta marrë mbi vete bashkësia ndërkombëtare. Ndërsa, lidhur me angazhimet në aspektin e brendshëm politik, Petroviq, për dallim nga një pjesë e madhe e subjekteve serbe, thotë se do të marrë pjesë në institucione. Partia e tij ka fituar tri vende në Kuvend dhe pret që të jetë dhe pjesë e qeverisë. Petroviq konsideron se mënyra më e mirë që serbët t’i realizojnë të drejtat dhe interesat e tyre në Kosovë, është përmes institucioneve, përderisa Veliq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë se serbët do të vazhdojnë me institucionet e tyre paralele dhe nuk do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Përfaqësimi apo bojkotimi i institucioneve është një çështje me të cilën serbët e Kosovës janë ballafaquar në vazhdimësi vitet e fundit. Pjesa që e përkrah bojkotin ka edhe mbështetjen e Beogradit, kryesisht bazat e veta i ka në veri të Kosovës, ndërkaq subjektet që angazhohen për pjesëmarrje në institucione, janë kryesisht parti të reja politike, që vijnë nga pjesët qendrore të Kosovës.


XS
SM
MD
LG