Ndërlidhjet

LIGJET E PAKOS SË AHTISAARIT DUHET MIRATUAR NË FILLIM TË 2008-TËS


Arton Konushevci

Përderisa liderët kosovarë janë fokusuar në debatet politike, një grumbull ligjesh që dalin nga pakoja e Ahtisaarit kanë mbetur të papërfunduara. Profesorët e Universitetit të Prishtinës thonë se menjëherë në vitin 2008 duhet të bëhet miratimi i ligjeve. Arsim Bajrami, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se agjenda e parë legjislative e Kuvendit të Kosovës, sapo ai të themelohet, duhet të jetë miratimi i pakos së Ahtisaarit, duke filluar nga Kushtetuta dhe ligjet. “Qeveria e re do t’i marrë ligjet nga Qeveria e zotit Çeku. Ne do t’i rishqyrtojmë shumë shpejt; do të shohim a ka nevojë të përsosën dhe të standardizohen me kriteret e Bashkimit Evropian. Është e sigurt se ato do të jenë agjenda e parë legjislative. Ne do të krijojmë një politikë legjislative dhe ato ligje do të jenë ligjet e para që do të procedohen në Kuvendin e Kosovës. Unë pres që menjëherë, në mbledhjen e parë apo të dytë, Kuvendi të merret me çështjen e Kushtetutës së Kosovës. Pas miratimit të Kushtetutës, duhet të miratohen këto ligje. Pra, ne duhet të kemi një renditje logjike të veprimeve, fillimisht duhet Kushtetuta, pastaj ligjet e pakos së Ahtisaarit”, tha Bajrami. Ai, vonesat e deritanishme për miratimin e ligjeve, i quan vonesa politike. Bajrami thotë se në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm do të miratohen në tërësi të gjitha ligjet. ”Komplet pakoja e Ahtisaarit është menduar në një kontekst tjetër politik, në kontekstin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës, përmes Këshillit të Sigurimit. Tani është çështje e institucioneve të Kosovës dhe marrëveshjës me strukturat e UNMIK-ut dhe Bashkimit Evropian, se si do të procedohet pakoja e ligjeve nga pakoja e Ahtisaarit. Vonesat janë kryesisht si pasojë e moszgjidhjes së statusit final të Kosovës. Unë shpresoj se Qeveria e zotit Çeku ka punuar në ato ligje dhe i ka bërë ligje mjaft moderne. Është e sigurt që edhe Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e re do t’i marrin në rishqyrtim dhe unë pres që në tremujorin e parë të vitit 2008 të miratohet komplet pakoja e ligjeve të Ahtisaarit”, theksoi Bajrami. Nga ana tjetër, edhe Ismet Salihu, profesor në Fakultetin Juridik në Prishtinë, thotë se nuk ka nevojë që të ketë vonesa në miratimin e ligjeve, që dalin nga pakoja e Ahtisaarit. “Do të ishte mirë po të ishin përgatitur dhe po të ishin aprovuar edhe para zgjidhjes së statusit, përkatësisht shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, kjo nuk është pengesë që në muajin e parë dhe të dytë pas shpalljes së pavarësisë, të punohet me një intensitet më të shpejtuar. Kështu që fakti që një numër i ligjeve që duhet të pergaditen, që rezultojnë dhe që janë obligim i Kosovës nga pakoja e Ahtisaarit, që nuk do të përfundohen eventualisht deri në shpalljen e pavarësisë, nuk duhet të jetë pengesë që në muajin e parë, të dytë, ato të përgatiten, të shqyrtohen, të aprovohen dhe të hyjnë në fuqi. Mirëpo, nuk do të ishte mirë që të bëhej një vonesë, p.sh, tre muaj, gjashtë muaj “, tha Salihu. Ai vlerëson se duhet të angazhohen ekspertë të lëmive përkatëse dhe të gjitha ligjet të përfundojnë brenda një afati kohor në vitin 2008. “Është fakt që është punë e madhe, kërkon angazhim të madh, të përgatiten 40 deri në 50 ligje në bazë të pakos së Ahtisaarit. Mirëpo, kjo kërkon që qeveria jonë të angazhojë një numër të ekspertëve, të juristëve kulminantë të Kosovës, jo vetëm nga ato zyrat e tyre, por edhe nga institutet, Fakulteti Juridik, Ekonomik etj. Të bëhen ekipet edhe ajo punë mund të kryhet për një muaj, dy muaj, eventualisht tre muaj, por duhet një organizim dhe nje punë më intensive”, u shpreh Salihu. Sido që të jetë, janë 40 ligje që dalin nga pakoja e Martti Ahtisaarit, ndërsa deri më tash Qeveria e Kosovës i ka përfunduar vetëm tetë prej tyre, të cilat janë dërguar për rishikim në Zyrën Ndërkombëtare Civile. Nga ana tjetër, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e publikuar së fundi, ka kritikuar liderët kosovarë për mospërmbushje të pakos legjislative të Ahtisaarit.

XS
SM
MD
LG