Ndërlidhjet

Cilat janë sfidat për institucionet në 2008?


Albana Isufi

Institucionet që priten të krijohen këto ditë, sipas analistëve politikë, vitin do ta nisin me shumë sfida. Shpallja, e më pas njohja ndërkombëtare e pavarësisë, konsiderohet të jetë ndër sfidat e para, përderisa menaxhimi i situatës së sigurisë para dhe pas shpalljes po ashtu vlerësohet të jetë një çështje problematike. Analisti Ramush Tahiri beson se shpallja e pavarësisë do të duhet bërë para zgjedhjeve preisdenciale serbe, që mbahen në fund të janarit. Ndërsa, ndryshe nga disa vlerësime të ekspertëve të sigurisë që parashohin se në periudhën deri te shpallja e pavarësisë mund të ketë përshkallëzim të situatës së sigurisë, Tahiri mendon se popullata shumicë ka një besim të plotë se kjo gjë tashmë është punë e kryer. "Pas fjalimit të presidentit Bush se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme dhe deklaratës së sekretres amerikane të shtetit, Condoleezza Rice, se Kosova e Serbia nuk do jetojnë më kurrë në kuadër të një shteti, fati i Kosovës është përcaktuar në respektimin e vullnetit shumicë", tha Tahiri. Në anën tjetër, drejtori i Institutit për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, mendon se jo shpallja, por njohja e pavarësisë do të paraqesë sfidë të vështirë për institucionet e reja të Kosovës. "Duhet të bëhet shumë punë, që pavarësia e Kosovës të njihet prej sa më shumë shteteve në botë, që ta fitojnë legjitimitetin e mjaftueshëm ndërkombëtar, për ushtrimin e pavarësisë dhe për ushtrimin e marrëdhënieve ndëkrombëtare në të ardhmen", u shpreh Peci. Ndërkaq, Ramush Tahiri mendon se krahas njohjes ndërkombëtare të pavarësisë për institucionet e Kosovës, sfidë e veçantë do të mbetet sundimi i ligjit dhe raportet e institucioneve të reja me misionin e ri të BE-së në Kosovë. "Kosova e shkurton rrugën e asociim stabilizimit për të hyrë në BE dhe kuadrot kosovare duhet të jenë në nivelin përkatës profesional dhe të kenë përgjegjësi politike, që të bashkëveprojnë me misionin e BE-së, që do të jetë mision ekspertësh, që kanë punuar në punë të tilla në vendet e tyre; pra nuk do t’i ushtrojnë këto punë për herë të parë në Kosovë, siç ndodh me misionin e UNMIK-ut. Dhe, ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe pasi që këto kuadro kthehen në vendet evropiane dhe kur Kosova do të jetë në BE", tha Tahiri. Në anën tjetër, analisti Luzlim Peci konsideron se ekonomia e pazhvilluar, papunësia dhe varfëria do të mbesin problemet e veçanta, që duhet t'i luftojnë institucionet në vitin 2008. "Sfidë mbi sfidat do të jetë menaxhimi i zhvillimit ekonomik të Kosovës, i cili për shkak të pritjeve të popullatës, duhet të jepen shenjat e para të këtij zhvillimi per këtë qeverisje", tha Peci. Por, Tahiri konsideron se qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, ka mjaft projekte ekonomike dhe nëse zgjidhet statusi, atëherë do të ketë një lulëzim ekonomik. "Mendoj se euforia që do të bëhet për shpalljen e pavarësisë dhe pas njohjes individuale nga vendet e Quint-it dhe SHBA-të, do të krijojë një klimë të përshtatshme që njerëzit të kapërcejnë vështirësitë në kuprimin, që t'i përrahin projektet ekonomike që Qeveria Thaçi i ka me bollëk. Dhe, në muajt e parë të shpalljes së pavarësisë, do mbahet konferenca e donatorëve dhe do kemi donacioen dhe investime për shumë segmente në Kosovë", theksoi Tahiri. Në anën tjetër, raportet me komunitetin serb në Kosovë, por edhe me vetë Serbinë, konsiderohet se do t'i shkaktojnë kokëdhembje edhe institucioneve të reja. Veçanërisht, çëshja e veriut të Kosovës, në të cilin për 8 vjet me radhë funksionojnë strukturat paralele të Qeverisë serbe, nga analisti Lulzim Peci vlerësohet të jetë çështje problematike, që nuk mund të zgjidhet menjëherë. "Veriu nuk nënkupton qasje imediate, por është çështje graduale, që duhet ta bëjë Kosova në raport me veriun. Veriu për një kohë do të jetë nën kontroll të KFOR-it, sesa të institucioneve tjera dhe unë besoj se situata atje do të rregullohet vetëm pas përmirësimit të raporteve Kosovë-Serbi", tha Peci. Sfidë për institucionet e reja, sipas analistëve, mbetet edhe përmirësimi i shërbimeve publike, përkatësisht ngritja e nivelit të jetesës.

XS
SM
MD
LG