Ndërlidhjet

logo-print

Ekspertët: Brenda një viti duhet hapur 25 mijë vende të reja pune


Në këtë vit, krijimi i vendeve të reja të punës do të jetë një ndër sfidat kryesore përballë institucioneve vendore, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Sipas statistikave të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në 43 për qind. Por, kjo shifër supozohet të jetë shumë më e madhe, pasi, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, jo të gjithë të papunët regjistrohen si të tillë në zyrat e punësimit.

Ylber Shabani, drejtor i departamentit për punësim, thotë se çështja e papunësisë është problem shqetësues, pasi, sipas tij, të rinjtë janë ata që përbëjnë pjesën më të madhe të të papunëve. “Është e vërtetë që sipas ekspertëve, por edhe të MPMS-së, një ndër problemet më të mëdha në Kosovë është papunësia, ndërkaq pjesa më e madhe janë të rinjtë. Kjo është brengosëse, sepse vërtet një kategori e tillë është dinamike, është mirë e edukuar, ka aftësi të nevojshme për tregun e punës. Për shkak të ngecjes së zhvillimit ekonomik, kemi edhe papunësi aq të lartë”, u shpreh Shabani.

Muhamet Musfata, udhëheqës i Institutit për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST, thotë se çështje primare në agjendën e institucioneve vendore për këtë vit duhet të jetë ulja e shkallës së papunësisë, sepse, thotë ai, papunësia në Kosovë ndikon në shumë aspekte tjera, duke thelluar kështu edhe nivelin e varfërisë. “Padyshim se norma e lartë e papunësisë është brenga krysore, sepse ajo ndikon në mosshfrytëzimin e burimeve humane të Kosovës, në dobi të zhvillimit, ndikon në thellimin e varfërisë, ndikon që të mos ketë mundësi të një pjese të madhe të popullsisë të aftë për punë të gjenerojë të ardhura, të përmirësojë jetën dhe të marrë pjesë në progresin shoqëror dhe në shumë aspekte të tjera të shoqërisë”, tha Mustafa.

Për këtë arsye, ai pohon se në epiqendër të institucioneve vendore duhet të jetë krijimi i politikave, të cilat sjellin tek punësimi më i madh. Mustafa thotë se në Kosovë duhet të krijohen deri në 25 mijë vende të reja të punës brenda një viti. “Këto janë politika, të cilat nxisin investime. Pastaj, shtrohet çështja se si të nxiten investimet, sepse punësimi në Kosovë është në nivel të tillë, për shkak se një kohë të gjatë mungojnë investimet. Pra, kemi nje aktivitet të pamjaftueshëm investues. Për t’i nxitur investimet, mendoj se duhet të bëhen ndryshime në politikat ekonomike. Prandaj, duhet të shtrohet një strategji për të bashkëpunuar me institucionet financiare dhe donatorët, për përmirësimin e infrastrukturës”, tha Mustafa.

Gjasat e tashme ekzistojnë për një rritje të numrit të punësuarve brenda këtij viti, pasi pritet të zgjidhet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, tha Mustafa, duke shtuar se kjo do t’i hapë rrugë zhvillimit ekonomik. Megjithatë, ai thotë se për këtë nevojitet përkushtim dhe seriozitet më i madh nga institucionet vendore. “Patjetër që do të jetë më lehtë, sepse zgjidhja e statusit krijon një siguri më të madhe për investime, krijon një klimë më të përshtatshme për investime dhe siç thashë edhe më herët, investimet janë parakushti themelor për të gjeneruar një rritje ekonomike dhe për të krijuar vende të reja të punës“, theksoi Mustafa.

Edhe Ylber Shabani, nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, shpreson se pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, do të zbutet sadopak shkalla e papunësisë në Kosovë, sepse, thotë ai, Kosova do të ketë qasje në institucionet financiare ndërkombëtare. “Pritet që për shkak të klimës në Kosovë për investimet e huaja, të kemi investime të jashtme dhe ato do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, në rritjen e produktivitetit në Kosovë dhe vetëvetiu do të shtohen edhe vende të reja të punës dhe do të zvogëlohet papunësia”, pohoi Shabani.

Ndryshe, ai thotë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tashmë ka përgatitur disa projekte të punësimit, zbatimi i të cilave varet nga zgjidhja e statusit të Kosovës. “Trajnimi dhe punësimi në botën e jashtme, në formë të punësimit sezonal; fatkeqësisht, ende rezultate të dukshme nuk ka”, tha Shabani. Sidoqoftë, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare dhe vendore kanë vlerësuar se shkalla e lartë e papunësisë, e posaçërisht papunësia tek të rinjtë, është burim kryesor i destabilitetit në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG