Ndërlidhjet

ISMAJLI:”VITI 2008 - VIT I VEÇANTË NË HISTORINË E KOSOVËS”


Akademik Rexhep ISMAJLI / Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ismajli, cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore përballë Kosovës në vitin 2008?

REXHEP ISMAJLI
Viti 2008 është një vit pak më i veçantë në historinë e Kosovës. Është viti kur presim zyrtarizimin e pavarësisë së Kosovës. Pra, jo vetëm shpalljen, por edhe realizimin e të gjitha efekteve të kësaj shpalljeje. Do me thënë, realizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që nënkupton shpallje të pavarësisë dhe natyrisht edhe të funksioneve të tjera të shtetit që i ka pasur deri tash, por që do të shtohen edhe më shumë. Kjo nuk është sfidë e vogël, ka edhe të panjohura për ne, por ka edhe për brezin që është në udhëheqjen politike tani, e ka edhe sharmin, edhe atraktivitetin që sjell diçka që bën për herë të parë dhe do të përpiqet që ta bëjë në një mënyrë, siç mednon ai, pak më të mirë. Ka shumë elemente të rëndësishme, por, në të njëjtën kohë, nuk duhet të jemi shumë të verbër me çështjen e pavarësisë. Kosova që tetë vjet është në një fazë, pak a shumë, vendnumërimi, sa u përket proceseve ekonomike, proceseve sociale etj. Ka qenë, të them kështu, pak e mbyllur nën kujdesjen e administratës së Kombeve të Bashkuara dhe tani është koha e fundit, kur duhet të nisë të hapet një cikël i ri, një cikël çfarëdo, por i rëndëishëm për Kosovën në aspektin ekonomik. Kjo nënkupton shumë gjëra të tjera dhe natyrisht ne shpresojmë që qeveria e re do të ketë një vizion pak më të qartë. Janë sfida të shumta në aspektin social, në sferën e arsimit. Arsimi është neglizhuar një kohë të gjatë. Tani është koha që të merremi më seriozisht me këtë çështje. Kjo është e ardhmja e Kosovës. Në sferën sociale, shëndetësia është shumë e rëndësishme dhe në një gjendje jo të mirë. Ka shumë probleme, shumë sfida; për një vit janë tepër. E rëndësishme është që të nisë cikli i investimeve pozitive dhe krijimi i një besimi tek popullata, se mund të bëhen dhe po ndërmerren gjëra të rëndësishme. Jo të gjitha mund të bëhen brenda një viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se deklarata për pavarësinë e Kosovës pritet të shpallet këtë vit. Në çfarë rrethanash mendoni se duhet të bëhet një gjë e këtillë?

REXHEP ISMAJLI
Këtë gjë ne tashmë e kemi bërë edhe më herët, por tani i kemi zgjedhjet, kemi Parlamentin, i kemi institucionet e tjera poliike që e përbëjnë shtetin. Natyrisht që është Parlamenti ai që duhet të bëjë një deklaratë solemne për këtë dhe pastaj të kërkojë njohjen e pavarësisë. Sigurisht që deri tash kjo çështje po shtyhet për pak ditë, për pak javë, për pak muaj. Tanimë nuk ka mundësi të shtyhet. Tanimë institucionet tona duhet t’i marrin përgjegjësitë mbi vete, nëse marrëveshja ndërkombëtare nuk arrin ta krijojë hapësirën e mjaftueshme për këtë. Unë jam i bindur se kjo hapësirë do të krijohet në marrëveshje me SHBA-të dhe BE-në dhe brenda pak javësh kjo duhet të realizohet. Natyrisht, me faktin që realizohet në marrëveshje me faktorin ndërkombëtar dhe me kërkesat që i shtrojnë ata, edhe përgjegjësia e faktorit ndërkombëtar për realizimin e kësaj pavarësie në të gjitha dimensionet e saj, nuk është e vogël. Kështu që institucionet tona po ushtrojnë një të drejtë e një detyrë, por edhe një përvojë krejt të veçantë. Ne shpresojmë se çdo gjë do të përfundojë mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi është kërcënuar se do të ndërmarrë një sërë masash për të penguar zbatimin e pavarësisë në rast të shpalljes së saj. Si i shihni ju këto kërcënime?

REXHEP ISMAJLI
Serbia ka barë kërcënime edhe përpara. Ato kërcënime janë në funksione të ndryshme. Shumë shpesh reagimet në Serbi lidhen edhe me gjendjen që ka brenda Serbia, me raportet politike midis forcave të atjeshme. Në fakt, Serbia asnjëherë nuk ka pasur të drejtë të vendosë për Kosovën dhe të gjitha vendimet që janë marrë deri tash në Serbi për Kosovën, janë vendime të pavlefshme, sepse Kosova nuk është pyetur. Nga ana tjetër, kërcënimet që bën Serbia për Kosovën, natyrisht që ajo ka edhe mjete, është shtet që ka ushtri, polici e tjera, janë kërcënime që nuk i drejtohen vetëm Kosovës, janë kërcënime që i drejtohen në radhë të parë komunitetit ndërkombëtar, për shkak se ky projekt po realizohet drejtpërdrejt në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar. Dhe, për shkak se me faktin që komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të mos shpallet pavarësia ose të mos funksionalizohet Kuvendi ynë qysh në vitin 2000, ka marrë edhe një përgjegjësi në këtë drejtim. Prandaj, kërcënimet e Serbisë nuk lidhen vetëm me Kosovën dhe unë nuk mendoj se ato do të kenë efekte të mëdha për sa i përket pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë roli i Akademisë së Shkencave në shtetësinë e Kosovës?

REXHEP ISMAJLI
Akademia e Shkencave është një institucion i shkencave dhe i arteve. Rolin e saj e përcakton Ligji i Parlamentit të Kosovës për Akademinë e Shkencave. Ne nuk mund të bëjmë diçka tjetër jashtë ligjit. Institucionet e Kosovës, përkatëse shtetërore, nëse do të kërkojnë nga Akademia, Akademia do të jetë e gatshme të bëjë atë që është në fuqinë e saj për institucionet dhe për shtetin e Kosovës. Të tjerat janë në fushën e veprimtarisë shkencore dhe të arteve.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG