Ndërlidhjet

Sllovenia do ta kthejë Kosovën në krye të agjendës së BE-së


TIMES, Londër

Sllovenia është vendi i parë ish komunist që prej sot e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, me synimin që ta përfundojë "krizën jugosllave", që solli krijimin e Sllovenisë së pavarur para 16 vitesh. Ky vend i vogël në Evropën Lindore, në rolin e kryesuesit të presidencës së BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm, e ka të drejtën për përcaktimin e prioriteteve të Bashkimit Evropian, në periudhën kur Ballkani kërcënohet të trazohet përsëri me deklaratën për pavarësi të Kosovës, që peritet në fillim të vitit 2008.
Sllovenia me 2 milionë banorë e pranon se i mungon përvoja dhe personeli, që e kanë vendet e mëdha të BE-së dhe ka marrë këshilla dhe mbështetje diplomatike nga Franca, që pas Sllovenisë do ta kryesojë BE-në. Kjo ka shkaktuar akuza se presidenti francez, Nicolas Sarkozy do të ketë kontroll ndaj agjendës së BE-së për gjithë vitin, duke i ndihmuar atij që t'i shtyjë përpara ambicjet, siç janë për shembull, e ardhmja e politikës së përbashkët për agrikulturë gjatë presidencës së Sllovenisë, prandaj Parisi që tash do të mund t'i përgatiste konkulzat. Kryeministri Janez Jansha ka përgënjeshtruar pohimet se Franca do të ndërhyjë në planet e Sllovenisë ose do të përdorë ndikimin e saj që ta përgatisë terrenin për projektet franceze.
Ministri i jashtëm Dimitrij Rupel tha se Franca dhe Sllovenia po bashkëpunonin mirë. "Ne i kemi premtuar njëri tjetrit tërë ndihmën e mundshme", tha ai dhe shtoi se diplomatët francezë do të ndihmojnë shumë dhe ai do ta ftojë kolegun e tij francez për konsultime lidhur me zgjidhjen e çështjeve në Ballkanin perëndimor.
Presidenca e radhës së Bashkimit Evropian ndërrohet çdo gjashtë muaj dhe kjo nënkupton se Sllovenia do t'i kryesojë takimet ministrore dhe ka të drejtë që t'i përcaktojë prioritetet. Sllovenia synon që ta avancojë procesin e përpjekjeve për anëtarësim në BE për ish vendet jugosllave: Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnjën. Zoti Rupel ka thënë se "ne në Slloveni besojmë se është koha që kriza jugosllave të prëfundojë, krizë që ka filluar në vitin 1991 kur ish lideri jugosllav Sllobodan Millosheviq e sulmoi Slloveninë" dhe shtoi se "ne e shohim zgjidhjen në zgjerimin e Bashkimit Evropian". Zoti Rupel shpreson se "gjatë presidencës sllovene marrëveshjet me BE-në do të nënshkruhen me Ballkanin perëndimor në tërësi".
Mëtutje, ministri i jashtëm slloven, premton se do të punojë shumë për ta ndalur ndarjen e BE-së lidhur me statusin e Kosovës. Pavarësia e plotë mbështetet nga pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së, por disa, përfshirë Qipron, Spanjën dhe Greqinë, kanë dyshime. Kombet e Bashkuara kanë dështuar të arrijnë marrëveshje pas kundërshtimeve për pavarësinë e Kosovës nga Rusia, e cila e mbështetë dëshirën e Serbisë që ta mbajë kontrollin ndaj Kosovës.
Bashkimi Evropian është pajtuar që ta dërgojë një forcë të sigurisë prej 1800 vetëve në Kosovë. I pyetur se a do ta pranojë Lubjana pavarësinë e Kosovës, zoti Rupel tha "ne jemi të gatshëm, ti njohim realitetet e situatës".
XS
SM
MD
LG