Ndërlidhjet

Liderët e shohin shpalljen e pavarësisë e njohjen ndërkombëtare të saj si sfidë të 2008-ës


Zijadin Gashi

Shpallja e pavarësisë së Kosovës menjëherë pas formimit të institucioneve të reja, potencohet të jetë angazhimi edhe sfida kryesore e lidershipit kosovar gjatë vitit 2008. Ndërkaq, njohja ndërkombëtare, zëvendësimi i UNMIK-ut me misionin civil ndërkombëtar të BE-së, si dhe krijimi i infrastrukturës kushtetuese e ligjore mbi bazën e pakos së Ahtisaarit, mbetet hapi në vijim, me të cilin liderët kosovarë thonë se do të ballafaqohen. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, angazhohet që deklarimi i pavarësisë, si sfida kryesore e 2008-ës, të ketë edhe mbështetjen ndërkombëtare. “Kryesorja është maturia jonë në veprim dhe t’i matim të gjitha hapat pa u zmbrapsur. Pavarësia e Kosovës nuk ka çmim. E dyta, duhet të jenë hapa të matur në kuptimin e bashkëpunimit. Ne jemi të interesuar ta realizojmë njohjen ndërkombëtare të Kosovës me miqtë e Kosovës, që kanë investuar shumë për ne dhe në mënyrën më të sinqertë të mundshme”, tha presidenti Sejdiu. Duke besuar se nxjerrja e aktit të pavarësisë nuk është larg, ai thotë se do të ketë nevojë edhe për disa konsulta me bashkësinë ndërkombëtare, para se Kuvendi i Kosovës ta marrë vendimin e vet. “Do të jetë fati i kësaj legjislature të mbështetet në shtrirjen e legjislaturave, por edhe gjithë njerëzve që kanë sakrifikuar për Kosovën, që ta shpallë pavarësinë. Kosova ka marrë obligimet për projektin e Ahtisaarit dhe shpallja e pavarësisë do të jetë akt solemn i Kuvendit të Kosovës, që e deklaron Kosovën të pavarur e sovrane dhe e kërkon njohjen ndërkombëtare”, theksoi Sejdiu. Ndërkohë që edhe mandatari për formimin e qeverisë, Hashim Thaçi, thotë se shpallja e pavarësisë do të ndodhë shumë shpejt dhe pret që Kosovën e pavarur ta njohin edhe një numër i konsiderueshëm i vendeve të rëndësishme dhe ato të rajonit. “Sfida e parë është statusi, që do të përmbyllet shumë shpejt - Kosova shtet i pavarur, sovran e demokratik. Do të thotë se institucionet e vendit do ta shpallin pavarësinë. Do të kemi dhe njohje kualitative të gjerë, të fuqishme dhe numerike ndërkombëtare të Uashingtonit, Brukselit dhe të vendeve përreth”, theksoi Thaçi. Menjëherë pas deklarimit të pavarësisë, Kosova do ta miratojë edhe Kushtetutën, simbolet dhe legjislacionin e nevojshëm, që të funksionojë si shtet, thotë i mandatuari për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Sipas Thaçit, qeverinë e tij do ta presin shumë punë në planin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në Kosovë. “Do t’i marrim zotimet për zbatimin e dokumentit të presidentit Ahtisaari, të mikpritjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me misionin e ri ndërkombëtar. Fillimi i reformave dhe investimi në edukim, që ta nxjerrin Kosovën nga terri në dritë dhe kam besim të plotë se këtë do ta bëj”, pohoi Thaçi. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që ka drejtuar qeverinë gjatë 3 vjetëve të fundit, ndërkaq tani pret të jetë në opozitë, konsideron se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment historik, kur bashkësia ndërkombëtare ka një pajtim për pavarësinë e Kosovës. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, vlerëson se çdo shtyrje në shpalljen e pavarësisë, do të ishte e dëmshme për fatin e statusit të Kosovës. “Sfidat e Kosovës gjatë vitit 2008 dhe ajo më kapitalja është shpallja e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës dhe kërkesa për njohjen e menjëhershme ndërkombëtare. Konsideroj se kemi një unifikim më të madh të faktorit ndërkombëtar dhe duhet të shfrytëzohet ky moment, sepse çdo shtyrje do të mund të ketë një akomodim të bashkësisë ndërkombëtare me një gjendje të tillë të Kosovës”, vlerësoi Isufi. Sidoqoftë, konstituivi i institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit, mbetet megjithatë puna e parë që e pret spektrin politik kosovar. Më 4 janar është paralajmëruar thirrja e seancës konstituive të përbërjes së re të Kuvendit. Ndërkohë që po bëhen përpjekje që deri atëherë të shpallet edhe formula e re qeverisëse ndërmjet PDK-së e LDK-së. Sipas marrëveshjes ndërmjet këtyre dy partive politike, krahas konstituivit të Kuvendit dhe qeverisë së re, edhe presidenti i Kosovës do t’i nënshtrohet votimit për mandatin e ardhshëm 3 vjeçar.
XS
SM
MD
LG