Ndërlidhjet

MAURING:”2008 – VIT VENDIMTAR PËR KOSOVËN”


Frode MAURING, shef i UNDP-së në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e fundit të paralajmërimit të hershëm flitet për një mungesë të besimit në institucione, përderisa një vit më parë ju patët thënë se hendeku mes pritjeve të qytetarëve dhe punës së institucioneve është i madh. Ky hendek a do të zhduket apo do të rritet më 2008?

FRODE MAURING
Rënia e besimit te institucionet sa i përket ofrimit të sigurisë, mendoj se është pasojë e nervozizmit rreth statusit. Nuk mendoj se performanca e institucioneve ka bërë që njerëzit të përgjigjen kësisoj. Mendoj se secili nga ne mund t’i bëjë njerëzit që të kenë pritje më realiste, sepse ka pritje shumë të mëdha nga statusi, meqë shumë njerëz mendojnë se me zgjidhjen e statusit do të përmirësohen gjërat. Por, nuk ka një lidhje automatike. Duhet bërë një punë shumë e madhe, sepse papunësia nuk do të zhduket si me shkop magjik, ndërkaq edhe më tej problemet kryesore do të mbesin në infrastrukturë, do ketë sfida në krijimin e një shoqërie transparente, në sundimin e ligjit. Këto dhe gjëra të tjera duhet të zgjidhen dhe natyrisht shumë njerëz, që mund të mendojnë se me zgjidhjen e statusit gjërat do të vijnë në vendin e vet, do të zhgënjehen. Ata duhet të përgatiten për faktin se duhet shumë kohë për ta bërë Kosovën ashtu si duhet të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e paralajmërimit të hershëm po ashtu është parë se njerëzit tash janë më të gatshëm që të protestojnë për çështje politike, sesa për ato ekonomike. Sa e rrezikon situatën e sigurisë kjo gatishmëri?

FRODE MAURING
UNDP-ja nuk është ofrues i sigurisë; kështu që do ta vendosja këtë në kornizën zhvillimore. Unë personalisht mendoj se me një informim dhe qasje të duhur ndaj popullatës, do të mund ta menaxhojmë situatën.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë thonë se viti 2007 nuk ka qenë i mirë në luftimin e varfërisë dhe të papunësisë. Ndërsa ju, me një rast, keni thënë se siguria në Kosovë varet shumë nga niveli i varfërisë dhe jostabiliteti ekonomik. Si mund të mbahen të qetë në periudhën e përcaktimit të statusit final, njerëzit që në fakt jetojnë në kushte të vështira?

FRODE MAURING
Mendoj se duhet të tregohem i matur, nëse them se në Kosovë gjërat janë jostabile, pasi në këtë fazë gjërat janë të qeta, por natyrisht ka faktorë rrezikues. Njerëzit nuk protestojnë në rrugë për shkak të statusit vetëm se janë të papunë, por nëse janë të papunë, nuk kanë çka të bëjnë, nuk kanë çfarë të humbin; natyrisht se është lehtë që të ndizen nga euforia. Prandaj, kjo nënkupton se njerëzit, veçanërisht liderët, qeveria, opozita, shoqëria civile e organizatat tjera, duhet të jenë shumë të kujdesshme, që të mos bëjnë diçka që do ta vështirësonte më shumë, sesa do ta lehtësonte të ardhmen e Kosovës. Unë mendoj se të gjithë janë të interesuar që të shohin një zhvillim paqësor në Kosovë, një tranzicion të lehtë te autoritetet e ardhshme, cilado qofshin ato, dhe kjo është në interes të të gjithëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga qëllimet e mileniumit është lufta kundër varfërisë; çfarë ka bërë UNDP-ja në Kosovë që ta përmbushë këtë qëllim?

FRODE MAURING
Pikësëpari, varfëria në Kosovë ka shumë anë. Në një masë është e lidhur me grupet më të ndjeshme të shoqërisë, me të papunët. Kështu që lufta kundër papunësisë është prioritet i madh dhe UNDP-ja, vitin e kaluar, jo vetëm që ka ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por, përmes projekteve tona, kemi punësuar 1400 njerëz. Ne, po ashtu, po punojmë për mundësitë që biznesi kosovar të mund të eksportojë dhe në anën tjetër po ndihmojmë të zhvendosurit, që janë të varfër, të zhvendosurit e të gjitha etnive. T’u ndihmosh atyre, do të thotë edhe të luftosh varfërinë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë folët për të zhvendosurit, UNDP-ja ka ndihmuar deri tash procesin e kthimit, përderisa ju më herët keni thënë se Beogradi po stërmadhon rrezikun për të kthyerit në Kosovë. Si e shihni këtë proces tash, kur Beogradi ka thënë se do ta mbrojë Kosovën me të gjitha mjetet, në rast të pavarësisë së saj?

FRODE MAURING
Aktualisht kemi një debat të nxehtë. Dhe, në debate të nxehta, argumentet politike dalin para çështjeve zhvillimore afatgjate. Për këtë arsye, njerëzit, që ndjekin diskursin politik, do të kenë pikëpamje ekzagjeruese mbi problemet në Kosovë, sa i përket sigurisë. Kjo ka ndikim negativ në procesin e kthimit. Në këtë kuadër, qëllimisht ose jo, shumë persona nuk mund të vendosin për t’u kthyer dhe kjo është për të ardhur keq, meqë ne kemi parë se në shumë komuna, si në Lipjan, Fushë Kosovë, Klinë, procesi i kthimit në 2007-ën ka qenë shumë i suksesshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni Kosovën në 2008-ën?

FRODE MAURING
Viti 2008 duket të jetë vit vendimtar në historinë e Kosovës, edhe pse këtë e kam thënë edhe një vit më parë. Por, derisa po ecim hap pas hapi drejt vendimit për statusin, duket se në gjysmën e parë të 2008-ës do të shohim se diçka do të ndodhë, edhe pse UNDP-ja nuk është pjesë direkte e këtij procesi. Por, në mënyrë indirekte ne po vërejmë se vëmendja po zhvendoset nga ai proces, duke u fokusuar më shumë te aspektet normale të zhvillimit. Dhe, shpresoj se do të ndodhë kështu, sepse ka rrezik që të ndërmerren hapa që do ta zhvendosnin vëmendjen në sigurinë, si dhe në zhvillimet në vendet fqinje. Kështu që të shohim se çka do të sjellë kjo. Megjithatë, Kosova duhet të fokusohet edhe në zhvillimin ekonomik, në zgjidhjen e situatave dëshpëruese, kur bëhet fjalë për energjinë, sfidat në infrastrukturë, ambient, ndërtim, institucionet solide, pasi ka ende shumë punë për t’u bërë. Marrë parasysh se në çfarë situate ka qenë Kosova, shumë gjëra janë arritur, por ende ka shumë punë për t’u bërë.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI

XS
SM
MD
LG