Ndërlidhjet

PDK e LDK synojnë zyrtarizimin e koalicionit në seancën e Kuvendit


Zijadin Gashi

Në përpjekje për të finalizuar marrëveshjen e tyre të arritur tashmë në parim për koalicionin qeverisës, PDK dhe LDK i kanë vazhduar edhe sot takimet në nivelet më të larta politike. Mirëpo, zyrtarët nga këto dy parti politike nuk kanë kumtuar ndonjë rezultat konkret nga bisedimet ndërmjet krerëve të PDK-së dhe LDK-së. Zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se këto bisedime po zhvillohen në lidhje me parimet e mandatarit Hashim Thaçi për formimin e kabinetit të tij qeveritar. “Bisedimet po vazhdojnë në nivelet e larta ndërmjet dy partive. Unë nuk mund të jap detaje nga këto bisedime. Sidoqoftë, PDK është e interesuar që të ndërtoj institucione stabile, të forta dhe mbi të gjitha nuk pranon që të bëj kompromise me parimet e saj. Ne duam njerëz profesionist dhe me duar të pastra që do të udhëheqin me institucionet e Kosovës”, tha Çitaku. Për nesër, është caktuar seanca konstituive e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë pritet të zgjidhet kryetari dhe kryesia e këtij organi. Zëdhënësja Çitaku tha se po bëhen përpjekje që marrëveshja për qeverinë të finalizohet deri nesër. Por, sipas saj, ende nuk mund të thuhet me saktësi nëse do të arrihet ky qëllim apo jo. “PDK është e interesuar që t’i ndërtoj institucionet sa më parë. Institucione këto që dalin nga vullneti i qytetarëve të Kosovës i shprehur më 17 nëntor. Mirëpo në këtë moment unë nuk mund të zotohem nëse do të mund të votohet edhe qeveria nesër apo jo”, thotë zëdhënësja e PDK-së. Ndërkohë, partneri i PDK-së në qeverinë e re, LDK-ja, ka caktuar sot Sabri Hamitin dhe Eqrem Kryeziun anëtarë të Kryesisë së Kuvendit. Ky i fundit do të jetë dhe shef i Grupit Parlamentar të LDK-së. Zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari tha se nëse do të përmbyllen bisedimet për koalicionin, seanca e nesërme do të vazhdoj edhe me formimin e qeverisë së re.“Sipas informacionit që ne kemi, seanca e nesërme e Kuvendit të Kosovës nuk do të mbyllet pas zgjedhjes së Kryesisë, do të thotë do të jetë një seancë vazhduese. Ky është një prej propozimeve që deri tash është dhënë, nëse kjo seancë vazhdon pritet që në ndërkohë të kemi edhe rezultat për qeverinë dhe pastaj të votohet edhe qeveria në Kuvend”, thekson Miftari. Në rast se PDK dhe LDK do të merren vesh përfundimisht për ndarjen e resorëve dhe caktimin e emrave të ministrave, zyrtarë nga këto dy subjekte shpresojnë që seanca e nesërme të pasohet dhe me formimin e qeverisë. Por, sipas parimeve të marrëveshjes, votimit për mandatin e ardhshëm do t’i nënshtrohet edhe presidenti i Kosovës, përkatësisht presidenti aktual Fatmir Sejdiu. Në këtë pikë, LDK nuk qe pajtuar më herët, por PDK insiston që mandati i të gjitha institucioneve të buron nga zgjedhjet e 17 nëntorit.
XS
SM
MD
LG