Ndërlidhjet

Pritjet nga presidenca sllovene e BE-së


Arton Konushevci

Sllovenia, gjatë kryesimit të radhës së Bashkimit Evropian ka vënë si prioritet zgjidhjen e statusit të Kosovës, thonë njohës të së drejtës evropiane. Ata mendojnë se Sllovenia është një shtet që e njeh mire çështjen e Kosovës. Qerim Qerimi, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, mendon se Sllovenia si udhëheqëse e radhës e BE-së do të përpiqet që të ketë sukses gjatë kryesimit të saj. "Ajo çka është e rëndësishme në këtë rast ka të bëjë me faktin që Sllovenia tashmë e ka bërë të qartë se ka një interes për Kosovën dhe se Kosova do të jetë në krye të listës së prioriteteve gjatë presidencës sllovene të Bashkimit Evropian". Qerimi, ka shtuar se Sllovenia, veç çështjeve dhe problemeve të tjera që do t'i ketë, do mundohet të ushtrojë ndikimin e saj në Bashkimin Evropian që të zgjidhë fillimisht çështjen e statusit të Kosovës. "Sigurisht ajo do të përpiqet që të ketë sukses në agjendën të cilën e ka paracaktuar për gjashtë muajt e ardhshme. Nuk jam i sigurt nëse ndikimi i saj do të jetë aq i madh. Po, sidoqoftë ky lloj ndikimi do të mund të ushtrohet me vetë faktin që Sllovenia i jep një prioritet të rëndësishëm çështjes së Kosovës", ka thënë Qerimi. Po ashtu edhe eksperti Bardhyl Hasanpapaj, mendon se Sllovenia do të luajë një rol kyç në zgjidhjen e statusit të Kosovës. "Në përcaktimin e prioriteteve, Sllovenia tash e ka bërë të qartë që Kosova dhe çështja e statusit është një nga prioritetet kryesore të presidencës së saj. Por, megjithatë kjo nuk është diçka shumë e re, sepse faktikisht vetë Bashkimi Evropian, njëzëri ka deklaruar se prioritet është çështja e Kosovës. Megjithatë roli i presidencës, unë e shoh më fort si ajo që quhet i pari në mes të barabartëve, por sidoqoftë ka mundësi ndikimi. Sllovenia nuk është një vend që është shumë i madh, nuk ka ndonjë trup, ndonjë armatë të madhe diplomatike në arenën ndërkombëtare; por ajo do t'i shfrytëzojë strukturat e BE-së për këtë qëllim", ka thënë Hasanpapaj. Sipas tij, Sllovenia gjatë kryesimit të radhës së BE-së do të ketë një rol të veçantë edhe në dislokimin e misionit të ri në Kosovë. " Unë e shoh rolin e Sllovenisë më shumë kyç në dislokimin e misionit të BE-së në Kosovë . Këtu e shoh fokusimin e saj më të madh sesa në vetë zgjidhjen e statusit të Kosovës. Sidoqoftë, Sllovenia është një nga vendet që ka qenë republikë e ish- Jugosllavisë dhe e njeh historinë e shpërbërjes së Jugosllavisë më së miri, sidomos në krahasim me shtetet tjera anëtare të BE-së. Dhe në kuadër të saj mund të sjellë një informatë me permbajtësore për shtetet anëtare të BE-së".
Ndryshe, Sllovenia është vendi i parë ish komunist që do të kryesojë Bashkimin Evropian. Kryesimin me 27 vendet e BE-së Sllovenia e mori nga Portugalia. Në krye të agjendës sllovene gjatë kryesimit me BE-në pritet të jenë çështja e Kosovës dhe marrëveshja e re kushtetuese e Bashkimit Evropian. Sllovenia planifikon që ta shfrytëzojë historinë e saj si ish- republikë jugosllave për të vepruar si urë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit.

XS
SM
MD
LG