Ndërlidhjet

KUVENDI KONSTITUOHET PA KOALICIONIN QEVERISËS


Zijadin Gashi

Përbërja e re e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e parë konstituive, por nuk ka arritur që të zgjedhë kryetarin dhe kryesinë e këtij organi, siç kishte në agjendë. Nën kryesimin e deputetit më të vjetër Mark Krasniqit, deputetët e zgjedhur kanë dhënë betimin duke shënuar kështu dhe fillimin e punës së tyre në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar. I mandatuari për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Hashim Thaçi tha se seanca e sotme do të vazhdojë të mërkurën, kur sipas tij, do të zgjedhen të gjitha institucionet e reja, presidenti i Kosovës, qeveria e re si edhe kryetari dhe kryesia e Kuvendit.
“Kosova të mërkurën do t’i ketë të gjitha institucionet që burojnë nga zgjedhjet e 17 nëntorit, pra presidentin, qeverinë, kryetarin e Kuvendit dhe kryesinë e re të këtij organi”, tha Hashim Thaçi.
Mbledhja e sotme konstituive është përshëndetur nga shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Ai tha se ishte në përgjithësi i kënaqur me thirrjen e mbledhjes inauguruese të Kuvendit, duke besuar se institucionet dhe organet e reja, Kuvendi i Kosovës do t’i zgjedhë në vazhdimin e seancës të mërkurën e ardhshme.
“Seanca e sotme do të jetë vazhduese dhe pjesa e dytë e kësaj seance që do të thirret në mesin e javës së ardhshme, kur presim që të zgjidhen organet e reja”, tha Ruecker. Ai tha po ashtu, se nuk pret vonesa tjera dhe nuk sheh ndonjë arsye që të ndërhyjë në çështjen e formimit të institucioneve të reja. Kuvendi i Kosovës është mbledhur në afatin ligjor brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, dhe kjo mjafton që çështjet konstituive të përmbushen, tha ai.
“Është përkushtim i të gjithëve që të punojmë bashkërisht në hapat tonë të mëtutjeshëm të kosovarëve, bashkërisht me ndërkombëtarët që të përmbyllet edhe ky proces sa më shpejtë që është e mundur, do të thotë zyrtarizimi i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, vend i sigurt e më të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, me respektim afirmativ për të drejtat e minoritarëve”, theksoi Thaçi.
Ndërkaq mandatari Hashim Thaçi tha se seanca e sotme, edhe pse solemne po shënon fillimin e institucioneve të reja të cilat do të marrin shumë shpejt dhe vendimin për pavarësinë e Kosovës.
Përbërja e re e Kuvendit është rezultat i zgjedhjeve të 17 nëntorit. Nga Kuvendi, tash në bazë të marrëveshjes politike, pritet që të zgjidhet edhe qeveria e re si edhe të rikonfirmohet mandati i presidentit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG