Ndërlidhjet

PDK: ËSHTË ARRITUR MARRËVESHJA PËR KOALICION ME LDK-NË


Albana Isufi

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar sot se përfundimisht është arritur marrëveshja me LDK-në për koalicionin qeverisës. Pas mbledhjes së kryesisë së PDK, nënkryetari I këtij subjekti politik, Fatmir Limaj konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se tani pritet vetëm zyrtarizmi I marrëveshjes. Limaj, ka cituar mandatarin për kryeministër Hashim Thaçi të ketë thënë se koha e nënshkrimit të marrëveshjes do të caktohet nga vetë ai dhe kreu I Lidhjes Demokratike te Kosovës Fatmir Sjediu.
“Marrëveshja është arritur, LDK ka pranuar dhe tani pritet zyrtarizmi, që do të caktohet nga dy kryetarët”, ka thënë Limaj.
Por, në anën tjetër, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se ende nuk bëhet fjalë për zyrtarizim të marrëveshjes, por vetëm për përafrim të qëndrimeve. Zëdhënësi i LDK-së Vehbi Miftari ka thënë se arritja e marrëveshjes pritet të bëhet në ditët në vijim.
“Mund të konfirmoj se ka progres të vazhdueshëm në kuptimin e cilësisë dhe shpresojmë që kjo të rezultojë me një marrëveshje, por nëse i referohemi momentit të tanishëm nuk kemi ndonjë nënshkrim dhe përcaktim të qartë në afatin kohor se kur do të bëhet”, tha Miftari.
Megjithatë, nënkryetari i PDK-së Limaj ka konfirmuar se në vazhdimin e seancës së Kuvendit, që mbahet të mërkurën, më 9 janar, pritet që në pako të votohen organet e Kuvendit- kryetari dhe kryesia, kabineti qeveritar si dhe të rivotohet kryetari I Kosovës.
“Do të votohet presidenti, do të votohen të gjithë”, tha Limaj.
Pas shumë raundesh bisedimesh, marrëveshja për koalicion mes PDK-se dhe LDK ka ngecur, pasi që LDK ka kërkuar poste ministrore më të fuqishme nga ato që i janë ofruar nga partia e mandatuar për ta formuar qeverinë. Megjithatë, Limaj ka konfirmuar se PDK do të mbajë për vete ato ministri që i kishte paraqitur fillimisht në ofertë.
”Ato që dihen më, transportin, energjetikën, rendin, arsimin, bujqësinë, shërbimet publike..”, tha Limaj.
Sidoqoftë, ajo për të cilën është të dy kampet politike kanë arritur pajtim është që Partia Demokratike e Kosovës të mbajë për vete postin e kryeministrit, atë të kryetarit të kuvendit, një zëvendëskryeministër dhe 7 ministri, ndërsa LDK postin e presidentit, një zëvendëskryeministër dhe 5 ministri. Tri ministri tjera do t’u takojnë partive të komuniteteve pakicë, poste këto të rezervuara në bazë të Kornizës Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG