Ndërlidhjet

THAÇI E SEJDIU NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJEN E KOALICIONIT PDK-LDK


Zijadin Gashi

Dy liderët e partive më të mëdha në Kosovë, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu kanë nënshkruar sot marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Në bazë të marrëveshjes, të mërkurën Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës konstituive, do të zgjedhë presidentin e Kosovës për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar, qeverinë e re me mandat katërvjeçar, si edhe kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit. Marrëveshja parasheh shtatë ministri për PDK-në dhe pesë për LDK-në. Të dy partitë, do t’i propozojnë nesër edhe emrat e ministrave dhe zëvendëskryeministrave. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, i mandatuari për kryeministër të Kosovës, Hashim Thaçi tha se kjo është një marrëveshje e vullnetit të mirë dhe parimeve të qëndrueshme që garantojnë efikasitet dhe funksionalitet në punën e institucioneve të ardhshme të Kosovës.
“Ky është një partneritet shtet-formues i dy partive tona politike, është zotim i kooperimit të sinqertë e të interesit reciprok të energjive tona politike, që buron edhe nga vullneti dhe legjitimiteti i qytetarëve të Kosovës, që të ndërtojmë shtet të pavarur sovran dhe demokratik”, tha Hashim Thaçi.
Me këtë marrëveshje, PDK dhe LDK zotohen të jenë partnerë në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu, përkatësisht kryetari i LDK-së tha se me marrëveshjen e sotme shënohet finalizimi i rezultatit të zgjedhjeve të 17 nëntorit, ngase me të krijohet mundësia për formimin e institucioneve të reja.
“Është shumë me rëndësi se kjo është një garanci e përkushtimit tonë për të zhvilluar në një dinamikë të shpejtë dhe efikase edhe shumë procese të tjera, për të qenë të gatshëm në mënyrën më të mirë të sfidojmë të gjitha ato që i kemi para vetes, posaçërisht në këtë vigjilje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe një dëshmi të Kosovës në një funksionim sa më të mirë me të gjitha potencialet tona që kemi”, tha Sejdiu.
Mandatari Hashim Thaçi pritet që nesër t’i takojë edhe komunitetet, për t’i marrë edhe konfirmimet e tyre për ministritë që u janë ndarë. Të mërkurën ndërkaq, pritet votimi për kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit. Menjëherë pas kësaj, procedurës së zgjedhjes do t’i nënshtrohet presidenti i Kosovës, përkatësisht presidenti aktual Fatmir Sejdiu, në një mandat të ardhshëm pesë vjeçar. Kurse kryeministri dhe qeveria do të zgjedhen në mandatin katër vjeçar. Zgjatja e mandatit të institucioneve është arritur pasi që shefi i UNMIK-ut, ka ndërhyrë duke bërë ndryshime në Kornizën Kushtetuese. Ndryshimet për mandatin e institucioneve janë në harmoni me pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e re të Kosovës, por e cila nuk mund të hyjë në fuqi pa zgjidhjen paraprake të statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG