Ndërlidhjet

Kosova ende s'ka projekte për marrjen e kredive


Me zgjidhjen e statusit përfundimtar, Kosova do anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtar financiar, por për të huazuar kredi nga këto institucione, duhet të ketë projekte të gatshme. Kështu mendojnë disa ekspertë për çështje ekonomike, të cilët tërheqin vërejtjen se institucionet vendore ende nuk i kanë identifikuar projektet kryesore, në mungesë të Strategjisë dhe Planit Zhvillimor të Kosovës.

Gazmend Luboteni, profesor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, tha se pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, institucionet ndërkombëtare financiare do të kërkojnë projekte kapitale në mënyrë që të lejojnë marrjen e kredive. “Është pozitive pasi institucionet financiare ndërkombëtare do të kërkojnë projekte madhore, projektet prioritare, kapitale për të cilat do të lejojnë kredi. Këto institucione kërkojnë vetëm projektet të tilla të cilat nxisin zhvillimin ekonomik”, tha Luboteni.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, ndërkaq thotë se projektet kapitale është dashur të jenë të përgatitura ndoshta edhe para katër vjetësh, në mënyrë që të shmanget përballja me mungesë të këtyre projekteve në kohën e zgjidhjes së statusit politik. “Është shumë normale që kur mendohet për zhvillim dhe thithjen e investimeve të jashtme për shfrytëzimin e kredive të institucioneve financiare ndërkombëtare, duhet te kemi ofertë konkrete, për çka na duhen paratë. Të kemi projekte dhe të kemi projektet që do të jenë më interes jo vetëm për Kosovën, por me interes edhe pak më të gjerë, më atraktive për financuesin”, thotë Rexhepi.

Problem serioz në mungesën e projekteve, Luboteni e sheh tek mungesa e Strategjisë dhe Planit Zhvillimor të Kosovës. Sipas tij madje, edhe procedurat për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare financiare do të jenë të jenë më të ndërlikuara.
“Edhe procedura e anëtarësimit nuk do të shkojnë aq shpejtë, sikur ne mendojmë në këto institucione ndërkombëtare, megjithatë ka mjaft procedura të ndërlikuara. Por, ne te gjitha fazat duhet t’i kalojmë; në momentin kur ne do të kemi qasje në këto institucione, duhet të jemi shumë të përgatitur, përndryshe nuk mund të shfrytëzojmë diçka të rëndësishme nga këto institucione”, pohon Luboteni.

Por, Ibrahim Rexhepi, thotë se mungesa e projekteve kapitale rrjedhë pikërisht nga varfëria e ideve dhe koncepteve për ardhmërinë e Kosovës. “Ka një periudhë shtatë vjeçare, ku vazhdimisht nëpër tryeza dhe debate përmenden vetëm dy projektet. Është ndërtimi i autostradës Prishtinë- Durrës dhe Termocentrali “Kosova C’ që nuk mjaftojnënëse vërtet ndodh që Kosova të futet në rrjedhat e financiare ndërkombëtare “, shprehet Rexhepi.

Megjithatë, me gjithë kohën e shkurtër, siç thotë Luboteni, me një seriozitet më të madh në këtë fushë, do të mund të përgatiten projektet të cilat aktualisht mungojnë. Në të kundërtën thotë ai, do të jetë shumë problem të ketë një perspektivë për zhvillimin e ardhshëm ekonomik. ”Me qënese kohë kemi shumë pak, kohë të çmuar kemi humbur shumë në të kaluarën, kështu që unë mendoj se duhet të jemi shumë, shumë më serioz dhe është momenti i fundit që ne ta zëmë hapin dhe të bëjmë diçka, ta tejkalojmë këtë gjendje jashtëzakonisht të pavolitshme të zhvillimit ekonomik dhe të ecim me hapa pak më të shpejtë”, tha Luboteni.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG