Ndërlidhjet

MAVRAJ:”KOALICIONI QEVERISËS - TRYSNI E TË HUAJVE”


Muhamet MAVRAJ, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mavraj, tashmë është zyrtarizuar marrëveshja e koalicionit qeverisës në mes të PDK-së dhe LDK-së. Si e shihni ju këtë marrëveshje?

MUHAMET MAVRAJ
Ky koalicion nuk ka pasur nevojë të vonohet fare, meqenëse ka qenë pak a shumë i arritur qysh gjatë procesit të negociatave të Kosovës, e shoh si një koalicion që mund të garantojë një qeveri pak a shumë stabile në krahasim me ndonjë lidhje tjetër shumë partiake. Intimisht unë kam qenë për një koalicion tjetër, sepse elektorati i Kosovës e ka dënuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe deri diku edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pavarësisht numrit të votave me të cilat mburret AAK-ja. Elektorati e ka dënuar qartë Lidhjen Demokratike të Kosovës, në përgjithësi Qeverinë e kaluar, koalicionin LDK-AAK. Ka mundur të jetë Partia Demokratike e Kosovës me AKR-në dhe LDD-në. Unë mendoj se kjo qeveri dhe cila do qeveri tjetër vuan nga sindromi i mungesës së legjitimitetit. Kësaj qeverie do t’i duhet edhe në të ardhmen që të bejë shumë përpjekje që, përpos numrit të votave në Parlamentin e Kosovës, të fitojë edhe një përkrahje të gjerë në opinionin publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mavraj, pas nënshkrimit te kësaj marrëveshjeje për koalicion, zoti Thaçi është shprehur se marrëveshja e arritur me LDK-në është marrëveshje e partneritetit shtet formues. Por, ka vlerësime se marrëveshja është imponuar dhe si e tillë është marrëveshje kompromisi. Çka mendoni ju?

MUHAMET MAVRAJ
Tash zoti Thaçi i ka bërë një arsyetim politik këtij koalicioni përpara anëtarësisë dhe presionit publik. Nuk mendoj se vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës ka mundur të bëjë koalicion shtetformues, ka mundur edhe me të tjerët. Më shumë mendoj se është një koalicion i kompromisit dhe i trysnisë së duarve të huaja. Në Kosovë vazhdojnë të përzihen jashtëzakonisht ashpër duart e huaja, ndikimi i tyre, deri edhe në përbërjet qeveritare të Kosovës. Duart e huaja janë këto duar që të gjithë po i shohim, të zyrave të huaja diplomatike në Kosovë, të një pjese të UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh kushtet e marrëveshjes, sa mendoni se do të jetë efikase Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Hashim Thaçi?

MUHAMET MAVRAJ
Qeveria e re e Kosovës, në radhë të parë duhet të punojë shumë që të fitojë përkrahje të gjerë të opinionit publik, sepse këtë përkrahje të gjerë nuk e ka, nuk e ka as përkrahjen e anëtarësive përkatëse, as të PDK-së e as të LDK-së. Partia Demokratike e Kosovës dhe personalisht Hashim Thaçi ndodhen përpara sfidave të jashtëzakonshme. Thaçi do ta këtë shumë-shumë më vështirë se sa kryeministri i parë i koalicionit të kaluar ose kryeministri i dytë, i tretë, sepse ai koalicion pati tre kryeministra. Ka sfida, ka vështirësi, do të ketë probleme të reja, lidhur me statusin e Kosovës, me varfërinë, me të gjithë faktorët makro-ekonomikë, po, edhe me ata mikro-ekonomikë, me urinë, me varfërinë, me mjerimin. Jam i bindur se me angazhim serioz Partia Demokratike dhe zoti Thaçi do të shënojë rritje në gjithë këta faktorë që unë i thashë në kuptimin pozitiv. Nëse bëjmë qeveri tenderësh, do ta zhytin Kosovën edhe më poshtë sesa koalicioni i kaluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku janë sipas jush sfidat më të mëdha?

MUHAMET MAVRAJ
Sfida numër një është çështja e statusit të Kosovës, sfida numër dy është papunësia masive. Në Kosovë kemi mbi 60% papunësi dhe në Kosovë, kemi mbi 55% varfëri, prej tyre rreth 20 % varfëri ekstreme, prej këtij 20% rreth 5 % vuajnë nga uria. Në anën tjetër, sfidë shumë serioze për Kosovën për të gjithë ne është luftimi i korrupsionit. Kosova doli në vendin e katërt, një vend më ulët se sa Shqipëria. Shqiptarët nuk e kanë ballin më ulët përpara bashkësisë ndërkombëtare, përpara botës, sepse etiketa e korrupsionit me këto qeveri në dhjetë vitet e fundit, si në Tiranë si në Prishtinë, jemi bërë sinonim i hajnive dhe vjedhjeve. Hashim Thaçi, së paku në vendin e pestë nëse e zbret Kosovën unë personalisht si shqiptar i Kosovës do të isha i kënaqur.

RADIO EVROPA E LIRË
Tri partitë AKR, LDD dhe AAK, që kanë mbetur në opozitë, kanë shprehur dyshimin për koalicionin e ri. Marrë parasysh këto kritika, si e shihni ju rolin e opozitës në Kuvendin e Kosovës?

MUHAMET MAVRAJ
Kjo opozitë, është një opozitë, që tash për tash nuk premton asnjë ardhmëri, sepse është një opozite e përçarë. Hashim Thaçi, ka punuar me taktikëjashtëzakonisht të hollë këtu. Deri diku AKR-ja dhe LDD-ja, kanë njëfarë lloj bashkëpunimi. Por, AAK-ja nuk ka bashkëpunim as me AKR-në dhe as më LDD-në. AAK dhe LDD, nuk bëjnë shumë. Por, megjithatë unë mendoj që edhe me ndihmën e mediave, do të arrijmë ta konsolidojmë një opozitë që gjithësesi i duhet Kosovës, mundësisht sa më e fortë. Unë personalisht si botues do të jem në anën e opozitës, pas njëqinditëshit të kësaj qeverie. Besoj edhe shumë media të tjera do ta ndihmojnë opozitën dhe si demokraci në stabilizim e sipër nuk do të koritemi.

IINTERVISTOI ARTON KONUSHEVCI

XS
SM
MD
LG