Ndërlidhjet

KUVENDI ZGJEDH FATMIR SEJDIUN PRESIDENT DHE HASHIM THAÇIN KRYEMINISTËR


Zijadin Gashi

Fatmir Sejdiu, është rizgjedhur sot president i Kosovës, Hashim Thaçi kryeministër bashkë me qeverinë e re të ndërtuar në bazë të koalicionit të PDK-së me LDK-në, kurse Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit. Ky është rezultati i finalizimit të procesit të ndërtimit të institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit. Pjesa më dramatike e seancës, ishte ri-zgjedhja e presidentit të Kosovës. Kandidati i LDK-së, Fatmir Sejdiu është ri-zgjedhur në postin e presidentit të Kosovës në mandatin e ardhshëm 5 vjeçar pas tri raundeve të votimit. Ndërsa në dy raundet e para Sejdiu, i cili kishte dhe kundërkandidatin e opozitës, Naim Malokun, siguroi mbështetjen e 62, përkatësisht 61 deputetëve, në raundin e tretë ai mori 68 vota, të cilat i mjaftuan të ri-zgjedhet president i Kosovës. Me këtë rast, presidenti i ri-zgjedhur Sejdiu premtoi angazhim të tij në ballafaqimin me sukses të gjitha sfidave, nisur nga statusi dhe pavarësia e Kosovës e deri te rimëkëmbja ekonomike.
“Institucionet e Kosovës, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, do të përmbyllin me sukses procesin e pavarësimit të Kosovës në realizim të vullnetit legjitim të popullit të saj dhe do të miratojnë Kushtetutën e shtetit të ardhshëm të Kosovës. Do të zgjerojnë korpusin legjislativ në përputhje me Pakon e presidentit Ahtisari dhe me standardet më të larta bashkëkohëse ndërkombëtare, si dhe gjithë korpusin legjislativ të nevojshëm për të mbështetur funksionimin institucioneve dhe të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve”, tha Sejdiu.
Më pas, Sejdiu ka nominuar Hashim Thaçin për kryeministër të ardhshëm në mandatin 4 vjeçar. Pas votimit të hapët, Thaçi dhe qeveria e re e koalicionit PDK-LDK siguruan 85 vota për, 22 kundër dhe 4 abstenime. Në ekspozeun e tij, Thaçi përmendi shumë sfida që e presin Kosovën si para ashtu edhe pas pavarësimit të saj. Thaçi premtoi partneritet me ndërkombëtarët dhe prosperitet ekonomik për Kosovën.
“Sot ndodhemi në udhëkryqin më të rëndësishëm të historisë sonë të re, si vend. Ne jemi duke u përgatitur që në fillim të pjesës së parë të këtij viti, ta bëjmë Kosovën e pavarur e sovrane, vend të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Të drejtat e minoritarëve do të respektohen dhe garantohen përmes angazhimeve afirmative të përgjegjshme të garantuara edhe me kushtetutë”, tha kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës.
“Qeveria Thaçi” dha betimin para kuvendit se do të punoj me nder dhe zbatojë kushtetutën e ligjet në fuqi. Ndërkohë jo të gjithë në Kuvend e kanë përshëndetur koalicionin PDK-LDK. Ish-partneri i LDK-së në qeverinë e deritashme, AAK-ja, përmes nënkryetarit të saj, Ahmet Isufi e ka quajtur këtë si një koalicion jo të natyrshëm pas gjithë akuzave që PDK i kishte bërë LDK-së, përderisa ishte në koalicion me AAK-në.
“Tani bëhet një kurorëzim po me ata që janë quajtur deri dje, keq-qeverisës, shkelës të gjitha interesave të qytetarëve me LDK-në, e cila në fakt është ofruar si partner dhe tani ju duket shumë i hijshëm, shumë i mirë. Nuk ka dy kute, ka vetëm një”, theksoi Isufi.
Koalicioni PDK-LDK nuk është përkrahur as nga LDD-ja, përderisa AKR-ja, si partia më e madhe opozitare në Kuvend, përmes kryetarit të saj Behgjet Pacolli i ka ofruar “Qeverisë Thaçi” mbështetje në çështjet që kanë të bëjnë me statusin dhe mirëqenien e qytetarëve. Por, kjo përkrahje, shtoi Pacolli do të varet nga zbatimi i premtimeve të dhëna qytetarëve nga ana e kryeministrit të zgjedhur, Thaçi.
“Z.Kryeministër ne do të votojmë për ju. Ju keni votën e qytetarëve të Kosovës dhe ne do t’ju votojmë. Por mos harroni, 24 orë rrymë zoti kryeministër, mos harroni autostradat në Kosovë, mos harroni zbutjen e varfërisë, mos e harroni punësimin, mos e harroni sigurinë e qytetarit, sepse ne jetojmë sot të pa sigurt, mos e harroni edukimin, shëndetësinë, mirëqenien e qytetarit”, u shpreh Pacolli.
Sidoqoftë, me seancën e sotme është përmbyllur kapitulli i ndërtimit të institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit.
XS
SM
MD
LG