Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINË


Kuvendi i Kosovës e miratoi sot përbërjen e qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi. Koalicioni PDK-LDK u zgjodh me 85 vota pro dhe 22 kundër.
"Ju siguroj se brenda disa javësh ne do ta shpallim pavarësinë. Ne po përgatitemi që ta bëjmë Kosovën të pavarur dhe sovrane në fillim të vitit. Ëndërra jonë së shpejti do të bëhet realitet", tha Thaçi. Ai tha se "Kosova e pavarur, e cila së shpejti do ta fitojë bekimin ndërkombëtar, do të jetë plotësisht e përkushtuar ndaj zhvillimit dhe bashkëpunimit me të gjitha vendet në rajon". Thaçi tha se do të punojë për të mirën e të gjithëve, për të ndërtuar Kosovën demokratike dhe shumëetnike. Ai tha se do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike.
Më herët, pas tre raundesh votimi kuvendi rizgjodhi Fatmir Sejdiun në postin e presidentit të Kosovës.
Pas zgjedhjes në mandatin e ri 5-vjeçar, Sejdiu tha se kujdes të veçantë do t'i kushtojë unitetit të vendit. "Institucionet e Kosovës, presidenti, kuvendi dhe qeveria si organe më të larta përfaqësuese dhe ekzekutive, do ta rrumbullakësojnë me sukses procesin e pavarësisë së Kosovës, dhe do të realizojnë vullnetin legjitim të qytetarëve", tha ai.
Deputetët sot gjithashtu zgjodhën Jakup Krasniqin në postin e kryetarit të Kuvendit, dhe anëtarët e kryesisë së Kuvendit, me përjashtim të atyre joshqiptarë, që s'kishin arritur marrëveshje me përfaqësuesit e tyre.
Kryeadministratori i Kosovës Joachim Ruecker ka përshendetur zgjedhjen e institucioneve të Kosovës, duke e quajtur ditën e sotme një ditë të mirë për demokracinë.
XS
SM
MD
LG