Ndërlidhjet

Qytetarët: Presim pavarësinë, por edhe rrymë, ujë e punësim



Pavarësia e Kosovës, përmirësimi i kushteve jetësore, ulja e papunësisë dhe korrupsioni janë çështjet kryesore që qytetarët presin të adresohen nga Qeveria e re e Kosovës.

Artan Balaj shpreson që institucioner e reja të Kosovës të punojnë më shumë se sa ato që ishin më parë. “Mendoj që institucionet e reja, ndoshta do të punojnë më shume se herëve të kaluara. Nuk pres shumë, posaçërisht nuk jam i kënaqur me Ministrin e Kulturës, është një zgjedhje e gabuar”, thotë Balaj.

Serbeze Gashi, nga Prishtina, shpreson që Qeveria e re e Kosovës t’i kushtoje një vëmendje më të madhe arsimit dhe shëndetësisë. “Gjithmonë me shpresa, shpresojmë”, thotë Gashi.

Hasan Behluli, pensionist, thotë se çështje kryesore për t’u zgjidhur janë pavarësia e Kosovës, ulja e papunësisë dhe pensionet. “Po, ndoshta bëhet mirë, nuk po e dijmë tash, duhet të behët mirë. Çështja kryesore, statusi i Kosovës, hapja e vendeve të punës... Edhe pensionistëve t’u zgjidhet problemi, ata janë kategoria më e rrezikuar. Krejt këtë çka po e shohim, çka është ndërtuar, pensionistët e kanë ndërtuar. Sot, janë me 40 euro. As nuk kanë për barna, as për jetesë, këto janë më kryesoret”, thotë Behluli.

Sanie Shabani, pret përgjithësisht ditë më të mira. “Pres të punojnë më shumë dhe pres një të ardhme më të mirë. Çështja kryesore është largimi i korrupsionit, të sigurohet pavarësia dhe të shpallet sa më shpejtë”, thotë Shabani.

Agron Selimaj, thotë se në Qeverinë e Kosovës ka njerëz të mirë, por, siç thotë ai, do të presim e shohim se si do të punojë. “Deri diku mirë. Ka persona profesionalë, mbetet të shihet se çfarë menaxherësh do të jenë. Nëse menaxhojnë mirë, atëherë edhe praktika faktikisht duhet të zbatohet në bazë të teorisë së tyre që e kanë zhvilluar deri tash. Konkretisht nuk presë shumë diçka. Të paktën fillimisht t’i vendosin gjërat nëpër binarë e pastaj më vonë me lëvizë. Pas pavarësisë, zhvillimi ekonomik është gjëja e dytë që duhet të lëvizë me tutje, sistemi gjyqësor, policia e shumë e shumë gjera të tjera”, thotë Selimaj.

Kosovë Gjoci, mendon ndryshe. Ai thotë se nuk pret shumë dhe se ministrat e zgjedhur sipas tij, nuk dallojnë shumë nga ata që ishin më parë. “Nuk pres shumë prej tyre, duke pasur parasysh që nuk janë ndoshta njerëzit e njëjtë, por nuk ma merr mendja që dallojnë shumë prej atyre të kaluarve. Por, po shpresoj që korrupsioni ndoshta pak do të ndalet. Por, pa e përmendur pavarësinë që na është bërë kompleks, ma merr mendja që çështje kryesore është rregullimi i jetës së qytetarëve, përmirësimi i kushteve, duke filluar nga rryma, uji, infrastruktura në përgjithësi”, thotë Gjoci.

Adelina Neziri, nga Qeveria e re pret më shumë vende të reja për punësim. “Ndoshta për të rinjtë pak më shumë punësim, çështje tjetër është edhe rryma dhe statusi”, thotë Neziri.

Behar Haziraj është i kënaqur me emrat të cilat do t’i udhëheqin institucionet e Kosovës. Ai thotë se nëse vetëm 10 % ulet papunësia do të jetë një sukses i madh i Qeverisë. “Në pamje të parë duket që ka njerëz të qëlluar në Qeveri. Realisht, ata janë në momentin e parë që kanë filluar dhe nuk mund të gjykohen. Faktikisht ka emra shumë profesionistë që janë në qeveri”, tha Haziraj.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG