Ndërlidhjet

A DO TË KETË MË EKIP TË UNITETIT?


Albana Isufi

Ekipi i Unitetit, mandati i të cilit ka pushuar me krijimin e institucioneve të reja, duket se nuk do të ringjallet më. Presidenti i Kosovës, i cili është autoriteti, që vendos për ekzistencën ose jo të një trupi të tillë, ka dhënë një sinjal të paqartë rreth fatit të Ekipit.., që para krijimit të institucioneve i ka bërë bashkë pushtetin dhe opozitën.
“Nuk them se do të formohet Ekipi i ri i Unitetit, por do të vazhdojmë punën në mënyrën më të mirë të mundshme, të shohim formulën se si do të jetë. Është shumë e qartë se kemi një strukturë të re të institucioneve dhe do të analizojmë bashkë, por duhet them se anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë punuar mirë dhe kanë bartur barrën shumë të rëndë në një kohë shumë të ndjeshme dhe e kanë bërë me shumë sukses, prandaj është respekti im për secilin”, tha Sejdiu.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaci ka deklaruar se për këtë çështje duhet të vendose presidenti, por ka premtuar se në secilën rrethanë institucionet nuk do të lënë anash spektrin politik opozitar. Ndërkohë, analisti politik Ramush Tahiri mendon se më nuk ka nevojë për një trup të tillë sic ishte Ekipi i Unitetit, i cili përfshinte tre liderët e institucioneve dhe dy kryetarët e subjekteve më të mëdha opozitare. Analisti Ramush Tahiri mendon se Kosova tani do të përfaqësohet nga institucionet e reja.
”Më herët Ekipi i Unitetti është krijuar për të përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, si partinë më të madhe opozitare dhe si trashëguese të UÇK-së. Ndërsa, tash ashtu sikurse Serbia, bisedimet duhet t'i udhëheqë qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse dhe Kosova duhet të sillet si shtet normal dhe nuk ka nevojë që konsensusi politik, apo faktori politik të vihet mbi atë shtetëror”, tha Tahiri.
Por, në anën tjetër, analisti tjetër prishtinas Baton Haxhiu konsideron se duhet të ketë një lloj vazhdimësie në procesin e statusit. Ai thotë nëse nuk do të ketë një format siç është Ekipi i Unitetit atëherë të paktën, anëtarët e këtij ekipi, që tashmë nuk ndodhen në institucione, duhet të përfshihen në procesin e statusit deri në përmbylljen e tij.
“Unë mendoj se nëse Blerim Shala, Veton Surroi dhe ish- kryeministri Agim Ceku nuk janë më pjesë e projekteve politike atëherë do të ishte mirë që ata së paku të kenë një vazhdimësi në ndërtimin e atyre dokumentacioneve të cilat kanë të bëjnë me planin e Ahtisaarit dhe deklaratën për pavarësi. Si do ta bëjë z. Thaci këtë ekip dhe si do t’ia gjejë vendin është çështje e tij dhe e z. Sejdiu”, shprehet Haxhiu.
Por, Haxhiu nuk mendon se liderët e ri opozitarë, si Nexhat Daci e Behxhet Pacolli, duhet të kenë vend në një trup të tillë, meqë sipas tij atyre do t’u dëgjohet zëri në Kuvend.
“Tash, opozita është pjesë e parlamentit dhe ai dokumentacion duhet të jetë me atë parlament”, tha Haxhiu.
Ngjashëm, edhe Ramush Tahiri mendon se çështjet e statusit tani debatohen ne parlament dhe për vendimet e mëdha vendosë Kuvendi, kështu që edhe opozita gjithsesi nuk do të lihet jashtë këtij procesi.
“Opozita në çështjen e statusit është bashkë në parlament dhe edhe ashtu Kosova duhet që çështjet e caktuara t’i drejtojë në parlament vetëm për një miratim formal, ndërsa qeveria i ka kapacitetet që përmes ministrive ku janë edhe ekspertët, por ku edhe institucionalisht mund t’i kryejë punët e veta. Ndërsa organi mbishtetëror, çfarë ishte Ekipi i Unitetit në këtë rast do të ishte i dëmshëm dhe do të pengonte procesin, sepse do t’i jepej rëndësi faktorit politik, që faktikisht nuk e ka”, tha Tahiri.
Ekipi i Unitetit qe formuar në vitin 2005 nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe më pas ka marrë bekimin edhe nga Kuvendi i Kosovës. Për dy vjet me radhë, ky ekip nën ndërmjetësimin ndërkombëtar ka zhvilluar negociatat me delegacionin serb, për t’i mbyllur ato pa sukses më 10 dhjetor të vitit të kaluar.
XS
SM
MD
LG