Ndërlidhjet

DACI:”ZGJATJA E MANDATIT TË INSTITUCIONEVE - ZHVLERËSIM I PAKOS SË AHTISAARIT"


Nexhat DACI, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, u krijuan institucionet e reja të Kosovës me një marrëveshje koalicioni qeverisës në mes të PDK-së dhe LDK-së. Pse nuk është pritur mirë nga partia juaj ky koalicion?

NEXHAT DACI
Unë, do të thoja që në radhë të parë është e drejtë demokratike e partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe duke përfshirë edhe partitë më të mëdha për të formuar koalicion. Nuk them që është pritur keq, por, e kemi kuptuar si një simbiozë të paqëndrueshme të dy partive që nuk kanë programe as të njëjta, as të ngjashme. Orientimet politike, sipas programeve dhe statuteve të tyre, dallojnë shumë. Dhe e dyta, ne e dimë shumë mirë, ndjenjën në mes të anëtarësisë, elektoratit të dy partive dhe na është dukur një simbiozë jo e natyrshme dhe dikush e tha se kjo është martesë për letra. Kështu që nuk e besoj që përmbajtësisht do të jetë diçka e mirë ose pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse e keni këtë qëndrim zoti Daci?

NEXHAT DACI
Unë, informacionet që i kam personale, edhe udhëheqësit e atyre dy partive edhe anëtarësia nuk janë konsultuar, edhe nuk i kanë informuar sa duhet dhe nuk ka pasur një homogjenitet në mesin e atyre dy udhëheqëseve të atyre dy partive për një koalicion të tillë. Mund të jenë informata të gabueshme, por, nuk është pritur me simpati në rradhët e atyre dy partive dhe kjo të bën të kuptosh se është shumë vështirë të realizojë diçka të madhe diçka të rëndësishme, nëse nuk e kanë mbështetjen e partive të veta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju tani bëni pjesë në opozitë. Si e shihni rolin tuaj në këtë rrafsh të spektrit politik?

NEXHAT DACI
Po, si duket jemi në qendër të opozitës për të mirë ose për të keq, sepse nuk jemi partia më e madhe në opozitë do të thotë, jemi në qendër. Po, edhe nga domethënia besojë që LDD, do të jetë shtyllë e opozitës për nga struktura homogjene e deputetëve, për nga koncepti i qartë që LDD, nuk do të jetë, opozitë e procesit politik të statusit të Kosovës. Nuk do të jetë opozitë e stabiliteti politik dhe të sigurisë në Kosovë. Dhe e treta, LDD, do të jetë pozitë shumë e fuqishme me kërkesat e qytetarit të rëndomtë me nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe Kosovës. Prandaj e ndjejmë vetën shumë të fortë, numerikisht jo. Nëse dikush e llogarit vetëm me numra, politikisht shumë të fortë dhe stabil, të qëndrueshëm jemi. Mendoj që edhe pse si opozitë jemi pak deputetë, gjatë këtyre njëqind ditëve të mjaltit sa do t’ja japim Qeverisë, ne do të homogjenizohemi edhe me tutje dhe do ta luajmë një rol konstruktiv në opozitë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, me planin e Martti Ahtisaarit është paraparë që brenda 9 muajsh pas përcaktimit të statusit, në Kosovë të mbahen zgjedhjet. Por, kjo çështje vazhdon të jetë e debatueshme. Ju çfarë mendoni?

NEXHAT DACI
Unë, mendoj me marrëveshjen që e kanë bërë dy partitë e koalicionit, faktikisht e kanë zhvleftësuar propozimin e Ahtisarit, sepse i kanë zgjatë mandatin vetes, i kanë dhënë katër vite institucioneve të Parlamentit dhe të Qeverisë dhe pesë vite Kryetarit të Kosovës. Me nënshkrimin në mes të dy partnerëve të koalicionit që nuk guxon të ketë mocion, brenda anëtarësisë të deputetëve të atyre partive për përgjegjësi dhe për dorëheqje ose shkarkim të Qeverisë ose të Presidentit. Kjo tregon instalimin e një metode krejtësisht jodemokratike, mos të them ndonjë fjalë më të rëndë. Nuk është një porosi e mirë as për qytetarët e Kosovës, as për bashkësinë ndërkombëtare, sepse në momentin e konstituimit të institucioneve, kur merren vendime të tilla pa asnjë bazë juridike të themi të Kornizës Kushtetuese të planit Ahtisari, që vitin e kaluar ka pranuar Parlamenti. Megjithatë, nëse e kanë përkrahjen e shumicës letë vazhdojnë më këtë. Nuk e besoj që do të jetë kështu në të ardhmen, sepse obligimet ndërkombëtare janë obligime ndërkombëtare dhe duhet të sillemi si shtet i ri më një vizion të qartë të respektimit të demokracisë së procedurave demokratike dhe respektimin e të gjitha të drejtave, qofshin të pozitës ose opozitës. Si mund t’ia ndaloni deputetit të koalicionit që të mos bëjë mocion nëse është i pakënaqur dhe ai deputet i ka fituar votat në emër të tij, dhe punës së tij, kësaj radhe. Kjo është diçka e paparë. Unë e di që kur kanë qenë zgjedhjet për parti, ndoshta ka pasur ndonjë kuptim të disiplinimit, por, në kohën kur ne mëtojmë të kemi zgjedhje demokratike të hapura, me lista të hapura, është e pa logjikshme.

RADIO EVROPA E LIRË
T’i kthehemi pak statusit politik. Tani me krijimin e institucioneve të reja, në Prishtinë thuhet se shpallja e pavarësisë është çështje javësh. Deri ku kanë arritur përgatitjet në këtë drejtim?

NEXHAT DACI
Unë, mendojë që ajo është nxitim i deklaratave të këtilla sepse elementet e shtetësisë nuk janë aprovuar në Parlament, nuk kanë arritur në Parlament, as në përbërjen e kaluar. As tani, unë si deputet në përbërjen e re nuk i kam. Unë, besoj që nuk do të ketë zhagitje më të pakuptueshme, por, nuk duhet të jemi nën presion që është çështje ditësh ose javësh. Është një proces që duhet dhe do të përfundojë në fillim të këtij viti dhe në fillim të mandateve. Duhet ta bëjmë punën me nxitim, por, punë cilësore të aprovimit të Kushtetutës dhe të simboleve të shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, Beogradi është kërcënuar me bllokadë ekonomike, izolim, e në disa raste madje edhe me përdorim të forcës. A mendoni se mund të ketë jostabilitet?

NEXHAT DACI
Unë, nuk pres destabilizim të fuqishëm në atë drejtim siç trumbetojnë mjetet e informimit në Beograd dhe institucionet e Beogradit. Mjerisht duhet të jemi të përgatitur për incidente të izoluara dhe për tentime të izoluara, sepse strukturat paralele janë brenda Kosovës, por, përkrahja ndërkombëtare, kësaj radhe do të jetë më të fuqishme. Unë, kam shumë besim në NATO-n. KFOR-i është i përgatitur. Shërbimi Policor i Kosovës është i përgatitur, TMK-ja do ta kryej funksionin e vet aq sa kërkohet. Kërkohet prej subjekteve politike që t’i informojë qytetarët e vet që të mos e humbin qetësinë shpirtërore. Të mos i nënshtrohemi provokimeve dhe ne ta bëjmë në institucione punën e këmbëngulshme, cilësore dhe vërtetë në interes kësaj radhe të qytetarëve të Kosovës dhe të paqes në rajon.

INTERVISTOI ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG