Ndërlidhjet

logo-print

SEJDIU E THAÇI THONË SE JANË NË KOORDINIM ME NDËRKOMBËTARËT PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË


Zijadin Gashi

Me konstituimin e institucioneve të reja, tani Kosova është në koordinim të hapave drejt finalizimit të procesit të statusit me shpalljen e pavarësisë, kanë thënë sot presidenti i rizgjedhur Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi. Këto komente, dy udhëheqësit më të lartë kosovarë i kanë bërë pas takimeve me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe zëvendësin e tij të parë, amerikanin Larry Rossin, i cili këto ditë mori për herë të dytë këtë post në administratën e UNMIK-ut. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se aktualisht po bëhen konsultime edhe me ndërkombëtarët, që procesi i finalizimit të statusit të kryhet sa më shpejt me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Ne jemi në koordinime të vazhdueshme. Nuk mund ta them datën si datë. Nuk e kemi thënë asnjëherë deri në një moment që do të vijë shumë shpejt. Por, janë koordinime që i kemi bërë me partnerët e Kosovës, me vendet që e kanë mbështet dhe e mbështesin fuqishëm ecjen tonë dhe vizionin tonë, pavarësinë e Kosovës, projektin Ahtisaari. Ju e dini se kemi komunikime të vazhdueshme me SHBA-në me BE-në, dhe në këtë kuadër edhe me vendet e botës demokratike. Por, për ne është me rëndësi që kjo qasje do të jetë e koordinuar për arsye se Kosova ka pasur, ka dhe do të ketë miq dhe ne bashkë do të ecim në proceset e zhvillimit të saj”, tha Sejdiu.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi, tha se dita e pavarësisë së Kosovës po afrohet. Ndërsa në analiza të ndryshme thuhet se kosovarët janë pajtuar me perëndimin që para se të shpallin pavarësinë, të presin edhe raundin e dytë të votimeve presidenciale në Serbi që parashihet të mbahen më 3 shkurt, kryeministri Thaçi tha se vendimi i kosovarëve për të ardhmen e tyre nuk mund të ndërlidhe me zhvillimet në Serbi.
“Zgjedhjet në Serbi, assesi nuk ndikojnë në Kosovë. Kosova ka rrugën e vet, i ka prioritetet e veta dhe natyrisht se ne do të ndërtojmë bashkëpunim shumë të mirë fqinjësor edhe me Maqedoninë, Shqipërinë e Malin e Zi, por në të ardhmen edhe me Serbinë”, tha Thaçi.
Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker tha se kishte takuar sot bashkë me z.Rossin udhëheqësit kosovarë, përfshirë edhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, për të biseduar çështjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të punëve mes UNMIK-ut dhe institucioneve të reja. Ruecker i ka njoftuar liderët vendorë edhe në lidhje me prezantimin e tij në Këshillin e Sigurimit, në kuadër të sesioneve të rregullat tre mujore, për përparimet në Kosovë.
Në sesionin e radhës në Këshillin e Sigurimit, pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi. Kryeministri i ri i Kosovës, ka mbajtur sot dhe mbledhjen e parë me kabinetin e tij të ministrave, nga të cilët ndër tjera ka kërkuar projekte konkrete zhvillimore dhe një luftë, si tha ai, të pa kompromis me korrupsionin.

XS
SM
MD
LG