Ndërlidhjet

RUECKER:”PËRPARIMI I MËTEJSHËM VARET NGA STATUSI”


Joachim RUECKER, shef i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker, më 16 janar, ju do të prezantoni raportin tuaj për Kosovën para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Cfarë mesazhesh do të dërgoni?

JOACHIM RUECKER
Raporti është një dokument publik, një raport teknik mbi përmbushjen e standardeve dhe mbi të natyrisht, është raporti politik i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK-ut. Mesazhi kryesor ka të bëjë me përparimet që ne kemi arritur në rrafshin e përmbushjes së standardeve, se gjërat janë në binarë dhe gjithashtu, përmban dhe mesazhin kryesor se UNMIK-u ka arritur atë që është e arritshme duke pasur parasyshë rrethanat. Përparimi i mëtutjeshëm tani varet nga statusi.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të përmendet fare çështja e statusit në këtë raport?

JOACHIM RUECKER
Në atë mënyrë siç e ka përmendur Sekretari i Përgjithshëm, në raportin e të cilit thuhet se na duhet zgjidhja e statusit urgjentisht. Kështu natyrisht mendojmë edhe ne në UNMIK. Përparimi i mëtutjeshëm në përmbushjen e standardeve varet nga statusi në shumë, shumë mënyra. Kjo është pra situata në terren dhe këtë duhet ta raportojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Debatet mbi statusin e Kosovës tani janë përqëndruar në atë që tash njihet si deklaratë e koordinuar e pavarësisë. Prishtina ka dhënë shenja se shpallja e kësaj deklarate është çështje javësh. Kur mendoni se mund të ndodhë kjo dhe në çfarë rrethanash?

JOACHIM RUECKER
Ju e dini se ne s’jemi të mandatuar të komentojmë përmbajtjen e statusit dhe as që jemi të mandatuar të përshkruajmë se si do të ndodhë ky proces. Kjo natyrisht i takon komunitetit ndërkombëtar dhe atyre që janë të angazhuar në procesin e statusit. Megjithatë, ne kemi mandat për të ndihmuar procesin e statusit dhe në këtë kuadër, shpresoj se ky proces do të përmbyllet shumë shpejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë drejtim, disa kanë tërhequr vërrejtjen se Kosova ka hyrë në një periudhë sfidash, duke marrë parasyshë kundërshtimin e zyrtarëve serbë në raport me deklaratën e pavarësisë. Ju keni kontakte të vazhdueshme me udhëheqësit shiptarë dhe serbë, cilië është mendimi juaj?

JOACHIM RUECKER
Unë mendoj se duhet të shikojmë ngjarjet që kanë ndodhur javët e fundit. Treshja ndërkombëtare i ka dhënë fund periudhës së angazhimit të saj pa ndonjë rezultat, NATO-ja tashmë ka deklaruar se do të mbetet e angazhuar në Kosovë, Këshilli Evropian ka shpallur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të vendosur misionin dhe për t’i kontribuuar Zyrës Civile Ndërkombëtare. Kemi parë gjithashtu edhe takimin e Këshillit të Sigurimit më 19 dhjetor, i cili përfundoi pa ndonjë rezultat mbi këtë çështje. Prandaj, mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të niset prej këtyre ngjarjeve, por nuk është UNMIK-u ai që mund ta përshkruajë se si do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Derisa Misioni i Kombeve të Bashkuara përgatitet për t’u larguar nga Kosova, një prej sfidave më të mëdha që prej ardhjes së këtij misioni më shumë se tetë vjetë më parë, mbetet integrimi i Mitrovicës dhe i veriut në përgjithësi. Pse është ende ky problem i gjallë, kush është përgjegjës?

JOACHIM RUECKER
Mendoj se nëse më lejoni, nuk mund ta adresojmë këtë çështje në një formë aq të përgjithshme. Duhet të shikojmë natyrisht edhe faktin se UNMIK-u, KFOR-i dhe institucionet e përkohshme kanë mandat mbi tërë Kosovën. Ka pasur një numër hapash gjatë të cilave kjo çështje është shprehur në muajt dhe madje edhe vitet e fundit. E kemi fenomenin e strukturave paralele në veri, por në anën tjetër, gjithashtu kemi suksese në vendosmërinë se ekziston vetëm një Kosovë, ajo është integrale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne synojmë që në këtë frymë të zbatojmë mandatin tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i vështirë mendoni se do të jetë integrimi i veriut dhe kur them integrim, mendoj të paktën në aspektin institucional?

JOACHIM RUECKER
Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës dhe siç e dini, ky edhe është një nga parimet, mbi bazën e të cilave është zhvilluar procesi i statusit. Pra, nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe UNMIK-u, KFOR-i dhe institucionet e përkohshme, janë tërësisht të përkushtuar në këto parime.

RADIO EVROPA E LIRË
Misioni juaj pritet të zëvendësohet me një mision të ri të Bashkimit Evropian, i cili do ta mbikqyrë procesin e pas-statusit në Kosovë. Në cilat çështje mendoni se institucionet në Kosovë kanë nevojë për mbikqyrje dhe udhëzime ndërkombëtare?

JOACHIM RUECKER
Nëse si document reference shikojmë planin e zotit Ahtisaari, atëherë padyshim është ai elementi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë, civile dhe ushtarake. Pavarësisht nga natyra e kësaj pranie, unë e parashoh se kjo do të mbetet kështu deri në një afat të mesëm kohor.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi janë duke u zhvilluar disa debate mbi vendimin tuaj për të ndryshuar Kornizën Kushtetuese në mënyrë që të zgjatet mandati i institucioneve të reja. Pse janë bërë këto ndryshime?

JOACHIM RUECKER
Mendoj se i referoheni një ndryshimi dhe kjo ka pasur të bëjë me mandatin e presidentit të Kosovës nga katër në pesë vjetë. E kam bërë këtë me kërkesën e koalicionit politik, i cili përfaqëson përafërsisht dy të tretat e Parlamentit. Kjo ka qenë dëshira e tyre politike dhe nuk ka pasur arsye pse të mos zgjatet nga katër në pesë vjetë. Kjo është edhe në frymën e vendimeve që Ekipi i Unitetit ka marrë më parë dhe në frymën e planifikimit tranzicional.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se marrëveshja nuk do të mund të arrihej pa këto ndryshime?

JOACHIM RUECKER
Nuk e di. Por, kjo ka qenë një kërkesë e arsyeshmedhe shefi i administratës ndërkombëtare mund ta bëjë një gjë të këtillë i vetëm, por unë nuk do ta bëja një gjë të këtillë. Nëse më kërkohet nga grupimi politik që përfaqëson një shumicë të këtillë në Parlament për të bërë një ndryshim të vogël, që është në një vijë me vendimet e Ekipit të Unitetit, në një vijë me frymën tranzicionale, siç ka qenë edhe çështja e listave të hapura që kemi bërë në të kaluarën, nuk ka pasur arsye për ta refuzuar këtë kërkesë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker, sipas planit të Ahtisaarit, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja nëntë muaj pas përcaktimit të statusit. A vlen ende ky opsion apo jo?

JOACHIM RUECKER
Nëse e marrim planin e Ahtisaarit si bazë, atëherë mendoj se u takon institucioneve të ardhshme të Kosovës që të vendosin mbi këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni kohë që jeni në Kosovë. Cfarë mendoni, është Kosova e gatshme për t’u bërë një shtet i ri?

JOACHIM RUECKER
Ajo që mund të them është se Kosova është e gatshme ta bëjë hapin tjetër dhe mendoj se institucionet e saj janë të pjekura për statusin politik.



INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI

XS
SM
MD
LG