Ndërlidhjet

PAKOJA E AHTISAARIT KA NEVOJË PËR NDRYSHIME, THONË DEPUTETËT


Zijadin Gashi

Pakoja e presidentit Martti Ahtisaari, përkundër shumë defekteve, do të jetë një prej prioriteteve të punës së institucioneve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, thonë deputetët kosovarë. Sipas tyre, dokumenti i Ahtisaarit ka disa lëshime, të cilat besohet se në koordinim me ndërkombëtarët, mund të përmirësohen. Shefi i grupit më të madh parlamentar në Kuvend, atij të PDK-së, Ramë Buja, thotë se në radhë të parë duhet kaluar në procesin e shpalljes së koordinuar të pavarësisë me mbështetësit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, para se të kalohet në zbatimin e dokumentit të Ahtisaarit. “Në radhë të parë, nuk e dimë se si do të jetë procesi i shpalljes së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, se cilat do të jenë sugjerimet e miqve tanë ndërkombëtarë, me të cilët do të duhej t’i koordinonim veprimet tona politike e pragmatike dhe pastaj çështja e pakos së Ahtisaarit. Nëse ajo do të jetë e tumirur, e përbashkët nga të dyja anët, se si do të shkojë puna me të, atëherë gjithsesi do të zbatohet, por ajo pako lë shumë për të dëshiruar dhe ka defekte të mëdha brenda vetes. Ne do të duhet t’i koordinojmë gjërat dhe të shohim se çka mund të bëhet dhe si mund të bëhet”, tha Buja. Në vazhdim, ai numëron edhe disa nga të metat e ‘Pakos Ahtisaari’, duke u fokusuar kryesisht në çështjet që parasheh të rregullojë në fushën e të drejtave të komunitetit serb, që, sipas tij, nuk njihen në praktikat tjera ndërkombëtare. “Çështja e të drejtave, që mbase herë-herë janë shumë më të larta se që parashihet me standardet ndërkombëtare të komuniteteve të caktuara, veçanërisht të komunitetit serb. Këtu është ai nëse mund ta quajmë defekt, sepse në fakt janë të drejta të avancuara, që nuk i ka asnjë komunitet pakicë i këtyre përmasave në Evropë e në botë”, vlerëson Buja. Zbatimi i pakos së Ahtisaarit mbështetet edhe nga partia më e madhe opozitare në Kuvend, Aleanca Kosova e Re. Shefi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, rikonfirmon mbështetjen e partisë së tij për dokumentin e Ahtisaarit. Sipas tij, do të jetë një punë shumë e ngarkuar për Kuvendin dhe Qeverinë që ta zbatojë këtë pako, duke pasur parasysh zbatimin e ligjeve dhe implikimeve buxhetore, që ka ky dokument. “Nuk do të jetë e lehtë absolutisht, sepse Kosova edhe më tutje përballet me mungesë të kapaciteteve edhe njerëzore, por edhe materiale, për t’i vënë në jetë të gjitha ato që kërkon kjo pako. Por, konsiderojmë se edhe me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, shumica nga çështjet që kërkohen me këtë pako, do të realizohen”, thekson Makolli. Ndërsa pranon se pakoja e Ahtisaarit ka defekte brenda vetes, Ibrahim Makolli thotë se ky dokument fillimisht ishte paraparë që të jetë një dokument konsensusi ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Por, duke pasur parasysh që Beogradi e ka hedhur poshtë atë, tani, sipas Makollit, mund të ketë fleksibilitet në ndryshimin e saj, duke mos rrezikuar bazamentin e dokumentit. “Me kalimin e kohës do të vërehet se pjesë të këtij dokumenti mund të mos jenë funksionale edhe mund të mos jenë të implementueshme, natyrisht duke pasur parasysh edhe nevojën që të kërkohen modalitete të tjera. Por, me rëndësi është që të mos preket bazamenti i këtij dokumenti. Përndryshe, do të ketë nevojë që të ketë edhe veprime të tjera, sepse shumë çështje që i parasheh pakoja, tashmë mund të llogariten si të tejkaluara”, tha Makolli. Pakoja e Ahtisaarit është miratuar tashmë nga përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës. Sidoqoftë, tani i mbetet lidershipit të ri, që në koordinim me praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë, t’i shqyrtojë mundësitë e zbatimit apo ndryshimit të pakos së presidentit Ahtisaari, i cili këtë dokument e ka lansuar gjatë procesit të bisedimeve për statusin, në cilësinë e të dërguarit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Dokumenti i Ahtisaarit ka gjetur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian si dhe të shumicës së vendeve të rajonit. Bashkë me pakon e Ahtisaarit, Këshillit të Sigurimit i është dorëzuar edhe rekomandimi për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën. Ndërsa nga Këshilli i Sigurimit nuk është miratuar për shkak të kundërshtimit të Rusisë, pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare konsideron se ky dokument mund të jetë bazë e mirë e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG