Ndërlidhjet

Sa ka mundësi të përmirësohet gjendja në arsim?




Një ndër sfidat më të rënda përballë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është përmirësimi në sistemin e arsimit dhe rritja e pagave të mësimdhënësve. Ekspertë për çështje të arsimit dhe udhëheqës të Sindikatës së Arsimit besojnë se një përmirësim i mundshëm gjatë mandatit të qeverisë së re mund të ndodhë.

Ali Shabani, udhëheqës i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, pohon se sindikalistët e arsimit besojnë se me ndryshimin e Qeverisë, pozita materiale e mësimdhënësve kosovarë do të ndryshojë. Ai thotë kështu pasi shpreson se do të rishikohet edhe njëherë buxheti i Kosovës, i cili ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të bëhen ndryshime në favor të punëtorëve arsimorë. “Duke përcjellë fushatën zgjedhore dhe premtimet që i kanë dhënë ata që kanë marrë verdiktin e popullit dhe që kanë marrë pushtetin, ne duam të besojmë se edhe pozita e punëtorëve të arsimit do të ndryshojë në mënyrë substanciale, meqë është thënë se do të rishikohet edhe buxheti i Kosovës, i cili nuk është aprovuar ende. Dhe, me rishikimin e buxhetit të Kosovës, qeveritarët tanë të rinj do të përpiqen që premtimet që i kanë dhënë në fushatë, t’i bëjnë realitet”, thotë Shabani.

Edhe ekspertë për çështje të arsimit thonë se mundësitë për rritjen e pagave të punëtorëve të arsimit gjithmonë kanë ekzistuar, vetëm është kërkuar përkushtim dhe seriozitet më i madh në këtë çështje. Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, beson se do të ketë ndryshime pozitive në aspektin e arsimit, gjatë mandatit të Qeverisë së formuar javën e kaluar. “Natyrisht, unë besoj se nuk mund të ndodhë një ndryshim radikal, rrënjësor, por një ndryshim do të ndodhë, që do të motivojë dhe do të shtojë mobilitetin e mësimdhënësve tanë, për një punë më të avancuar”, tha Hyseni.

Ai pohon se nëse qeveria e Kosovës, si prioritet kryesor paraqet çështjen e arsimit, ka mundësi që nëpërmes tatimeve të ndryshme të bëhet edhe rritja e pagave të punëtorëve të arsimit. “Përmes tatimeve të ndryshme, përmes tatimeve të tjera të gjërave luksoze, të cilat nuk e prekin gjendjen sociale të shtresave të ulëta dhe të mesme, mund të sigurohen mjete të mjaftueshme, që më në fund tek punëtorët e arsimit të kthehet një gjendje e mobilitetit, të hapen perspektivat për një situatë dhe status më të mirë”, u shpreh Hyseni.

Ndryshe, Ali Shabani, nga SBASHK-u, thotë se Qeveria e re e Kosovës duhet të bëjë përpjekje për t’i eliminuar pakënaqësitë që ekzistojnë në sistemin e arsimit e tyre dhe të shmangin çdo mundësi të grevave. “Unë kujtoj se më mirë është të merremi vesh, t’i negociojmë çështjet dhe të dakordohemi për çështjet që janë për interes për arsimin, sesa ta pengojmë procesin mësimor”, theksoi Shabani.

Sidoqoftë, kryeministri i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë ka premtuar se Qeveria e re e Kosovës do të fillojë një projekt të madh, duke krijuar Fondin Nacional për Arsim, duke i ngritur pagat e mësimdhënësve dhe duke i motivuar ata me shpërblime për arritjet në punë. Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ende nuk ka informacion nëse puna rreth këtij projekti ka filluar.
XS
SM
MD
LG