Ndërlidhjet

SINANI:”KOSOVA PËR RRYMË S’VARET NGA SERBIA”


Nezir SINANI, zëdhënës në Korporatën Energjetike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sinani, sa rrymë merr Kosova prej Serbisë? Kohët e fundit po spekulohet se sasia e kësaj rryme është 40 për qind...

NEZIR SINANI
Duhet të sqarojmë për rrymën që e marrim nga Serbia; janë dy lloje të energjisë, që vijnë nga Serbia. Lloji i parë i energjisë është energjia që e importojmë nga kompani të ndryshme, me të cilat kemi kontrata, të cilat kompani e blejnë energjinë diku në rajon dhe janë përgjegjëse për ta sjellë energjinë përmes linjave, përmes Serbisë, deri në kufirin me Kosovën. Është përgjegjësi e kompanive, nga të cilat e blejmë ne energjinë elektrike, për të vendosur se nga ato do të vendosin ta sjellin apo ta transmetojnë energjinë deri në Kosovë dhe shumicën e herëve ata shfrytëzojnë Serbinë dhe largpërçuesit e Serbisë për ta sjellë këtë energji deri në kufi me Kosovën, mirëpo jo gjithherë. Lloji i dytë i energjisë që ne e marrim nga Serbia është energjia emergjente, me të cilën energji ne furnizohemi drejtpërdrejt nga Serbia, domethënë nga energjia, e cila prodhohet në Serbi. Dhe, për këtë energji, ne kemi një marrëveshje për t’i ndihmuar kompanitë në mënyrë reciproke, në rastet kur një energji e tillë nevojitet. Kur KEK-u ka telashe me blloqet e veta dhe ka nevojë për një energji emergjente, në ato raste kemi kontrata me Serbinë që ndihmojnë KEK-un për të siguruar mjaft energji, për ta mbajtur sistemin energjetik stabil, për një kohë derisa të kthehen në punë blloqet e Termocentralit Kosova B apo Kosova A, ku kemi telashe. Përndryshe, shifra 40 për qind që përmendët ju, nuk është e saktë. Nevojat e Kosovës dhe të KEK-ut në këtë rast, për të importuar energji, gjatë vitit të kaluar kanë qenë 14 për qind nga e tërë energjia që ka qenë në dispozicion, çka i bie të jetë shumë më pak se 40 për qind.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilët janë përçuesit tjerë, prej nga Kosova merr rrymën e importuar?

NEZIR SINANI
Përveç një përçuesi 400 kilo-volt që lidh Kosovën me Serbinë dhe një përçuesi tjetër 220 kilo-volt që lidh Kosovën me Serbinë, ekzistojnë edhe përçues tjerë 400 kilo-voltësh që lidhin Kosovën me Maqedoninë dhe Malin e Zi, dhe këta përçues mund të shfrytëzohen për të importuar energjinë që Kosova dhe KEK-u blen. Mirëpo, sërish po e ceki që mbetet përgjegjësi dhe është detyrë e atyre që e shesin këtë energji, që t’i sigurojnë linjat se prej ka do të importohet; domethënë, ata vendosin dhe jo Kosova. Përndryshe, Kosovën e lidh edhe një përçues tjetër 220 kilo-voltësh me Shqipërinë, i cili gjithashtu mund të shfrytëzohet për të importuar energji elektrike. Kështu që Kosova nuk varet vetëm nga përçuesit nga Serbia për të importuar energji, mirëpo është mjaft mirë e lidhur me rajonin dhe shtetet tjera përreth, sa i përket importit dhe transmetimit të energjisë elektrike.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka Korporata Energjetike e Kosovës plan alternativ, në rast të jetësimit të kërcënimeve të Serbisë për bllokim të furnizimit me rrymë?

NEZIR SINANI
KEK-u ka plane operative, që parashohin edhe bllokimin e përçuesve nga Serbia. Dhe, në ato raste, Kosova do të varet drejtpërdrejt nga bashkëpunimi rajonal me shtetet tjera përreth, gjegjësisht me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë, për ta mbajtur sistemin energjetik stabil. KEK-u dhe Kosova kanë pasur kontakte të shumta me këto tri vende që sapo përmenda, për t’i parë mundësitë se si mund të bashkëpunojmë edhe më shumë, në rast se gjendemi në një situatë të tillë, kur Serbia bllokon përçuesit. Mund të them se kemi një marrëdhënie jashtëzakonisht të mirë me tri shtetet, me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, që kanë ofruar mbështetjen e tyre dhe i kanë ofruar edhe linjat e tyre të transmetimit në dispozicion të Kosovës, për ta mbajtur sistemin energjetik, në rast se Serbia kërcënon dhe faktikisht e aplikon këtë bllokadë në largpërçues. Deri më tash, ne kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë edhe me kompaninë energjetike në Serbi. Mendimi im është se Serbia, në rast se vendos të bëjë një bllokadë të tillë, dëmin më të madh do t’ia shkaktojë vetes, sesa Kosovës. Kosova nuk varet vetëm nga ai përçues për ta mbajtur sistemin energjetik, meqenëse ka edhe përçues tjerë që i përmenda, përderisa Serbia, në rast se e bllokon këtë, do të jetë shkaktare e prishjes së shumë kontratave ndërkombëtare, të nënshkruara për transmetim të energjisë elektrike dhe do ta dëmtojë kryesisht veten, meqenëse ata janë kryesorët që e shfrytëzojnë këtë linjë, për të transmetuar energji deri në Greqi.

INTERVISTOI: NADIE AHMETI
XS
SM
MD
LG