Ndërlidhjet

PRISHTINA NUK PRET BEFASI NGA SEANCA E SOTME E KËSHILLIT TË SIGURIMIT


Albana Isufi

Seanca e sotme e Këshillit të Sigurimit kushtuar Kosovës, sipas qeveritarëve, nuk do të sjellë asnjë të re në raport me statusin përfundimtar të Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mendon se zgjidhja e statusit tashmë ka dalë nga kornizat e Këshillit të Sigurimit dhe mbledhja e sotme do të jetë rast vetëm për paraqitjen e të arriturave nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës. “Mendoj se në Këshillin e Sigurimit, diskutimi për statusin final ka përfunduar që në muajin dhjetor. Besoj se kësaj radhe do të diskutohet dhe fokusimi do të jetë kryesor në punën dhe sukseset që i ka arritur misioni i UNMIK-ut në Kosovë, por edhe vetë institucionet e Kosovës”, tha Kuçi. Por, në anën tjetër, zyrtarë të opozitës thonë se prania e kryeministrit Thaçi në seancën e sotme flet për një faktorizim të spektrit politik kosovar. Ibrahim Gashi, nga Aleanca Kosova e Re, mendon se takimi i sotëm do të kontribuojë edhe më tej në homogjenizimin e qëndrimeve të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. “Nuk pres shumë nga kjo seancë, por them se hap pas hapi edhe Këshilli i Sigurimit po involvohet në çështjen e Kosovës dhe sikur po e faktorizon faktorin politik kosovar përmes pranisë në dy takimet e fundit, përfshirë edhe këtë të fundit të zyrtarëve të lartë kosovarë, në një fazë kur ende nuk janë plotësisht të pushtetshëm, por, megjithatë, krahas PSSP-së, po ftohen me të drejtë të fjalës edhe zyrtarët e lartë të Kosovës. Kjo mund të shihet edhe si një krijim i opinionit brenda Këshillit të Sigurimit, se Kosova po ecë drejt rrugës së saj”, u shpreh Gashi. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, është thënë se do të paraqesë një raport pozitiv mbi gjendjen në Kosovë, përderisa do të theksojë se përparimi i mëtejmë në zbatimin e standardeve do të varet nga zgjidhja e statusit. Ndërsa, tashmë përfundimisht është konfirmuar se kryeministri Hashim Thaçi do t’i drejtohet anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në një sesion të mbyllur. Hajredin Kuçi thotë se kryeministri Thaçi do ta argumentojë nevojën e krijimit të shtetit të Kosovës. “Kryeministri ka marrë konfirmimin se do t’i drejtohet sot anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Ai do ta ketë rastin e mirë që të tregojë për të arriturat në Kosovë dhe për objektivat e tij, të Qeverisë së Kosovës dhe të të gjitha institucioneve të Kosovës, për të ndërtuar një shtet modern dhe demokratik, ku sundon rendi dhe e drejta, por, natyrisht dhe mbi të gjitha, një shtet në dobi të të gjithë qytetarëve të saj, si dhe objektivat për ndërtimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet”, tha Kuçi. Ndërkaq, përfaqësues të serbëve të Kosovës nuk janë të befasuar me praninë e kryeministrit Thaçi në Nju Jork, përderisa nuk presin se takimi i sotëm do të sjellë zhvillime të reja rreth statusit. “Nuk do të ketë befasi; është i qartë qëndrimi që do të paraqesë zoti Ruecker, i cili, sikurse edhe të gjithë paraardhësit e tij, do të flasin për suksese, apo më shumë ta lavdërojnë vetveten dhe nuk pritet të jenë plotësisht objektivë. Në anën tjetër, presidenti Tadiq do të mundohet që ta paraqesë punën e deritashme të misionit, por edhe kushtet në të cilat gjenden serbët. Për statusin nuk mendoj se do të flitet, meqë Këshilli i Sigurimit nuk është i gatshëm që të vendosë për këtë çështje, pasi që edhe më tej ka polarizime”, tha politikani serb Oliver Ivanoviq. Ndryshe, në pjesën e parë dhe të hapur të seancës së Këshillit të Sigurimit do të flasë presidenti i Serbisë, Boris Tadiq. Serbia dhe Rusia kanë bërë të ditur se do të kërkojnë vazhdimin e negociatave për zgjidhjen e statusit. Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk beson se një kërkesë e tillë do të aprovohet, pasi, siç thotë ai, nuk ka asnjë arsye që çështja të kthehet sërish në pikën zero.
XS
SM
MD
LG