Ndërlidhjet

NIKOLIQ U THOTË SERBËVE SE BEOGRADI NUK E JEP KOSOVËN PËR T’U BËRË PJESË E BE-SË


Zijadin Gashi

Serbia do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që të bëhet pjesë e BE-së, bashkë me Kosovën si pjesë të saj, ka thënë sot kandidati i Partisë Radikale Serbe për president të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, gjatë një tubimi parazgjedhor, të mbajtur në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai u ka premtuar serbëve të Kosovës mbrojtje nga Serbia, duke i sugjeruar ata që të mos brengosen fare për statusin dhe të ardhmen e Kosovës. “Nëse nuk mund t’ju mbrojnë Kombet e Bashkuara, atëherë këtë mund ta bëjë Serbia”, u është drejtuar Nikoliq disa mijëra serbëve të tubuar. Ai tha se Kosova është pjesë e trupit të shtetit serb dhe si e tillë nuk mund të ndahet. Kandidati i radikalëve serbë për president, i cili në garën zgjedhore do të ketë për kundër-kandidat presidentin aktual serb, Boris Tadiq, i ka adresuar mesazhe edhe Bashkimit Evropian. Ai tha se nuk mund të kërkohet nga Serbia që ta japë Kosovën për ta fituar vendin në Evropë. “Bashkimin Evropian e porosis se kur ta doni një Serbi të tillë, do ta keni si aleat dhe nëse do të na pranoni, mund të na pranoni si të tillë, por jo duke u zvarritur para dyerve të BE-së”, tha Nikoliq. Ai tha se BE-ja nuk mund të kërkojë nga serbët që të dorëzojnë krenarinë e tyre, duke cituar më pas kryetarin e tij, Vojisllav Sheshelin, i cili aktualisht po gjykohet në Tribunalin e Hagës, se gara për presidentin e Serbisë do të jetë luftë për mbrojtjen e Kosovës. Nga serbët e Kosovës, përkrah tij kanë qëndruar liderë nga Këshilli Nacional Serb. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, thotë se deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës, përgjegjësinë për tubime të tilla e mban administrata e UNMIK-ut. Rexhepi vlerëson se tubimet e tilla që më shumë i kontribuojnë politikës ditore, nuk paraqesin ndonjë kërcënim për sigurinë në Kosovë, sa paraqet prania ilegale e vazhdueshme e strukturave shtetërore serbe në veri të Kosovës. “Është në një mënyrë një përzierje në punët e brendshme të Kosovës, por deri në definimin e statusit të Kosovës mbetet një gjendje e paqartë dhe është përgjegjësi e UNMIK-ut. Realisht, nuk ka kërcënim nga tubime të tilla; kërcënimi mund të vijë nga struktura, të cilat janë struktura shtetërore të Serbisë, të cilat veprojnë si civile. Përndryshe, mitingjet e tilla janë më tepër një ikonografi dhe faktikisht një retorikë politike”, theksoi Bajram Rexhepi. Ndryshe, më 20 janar, kur pritet të mbahen zgjedhjet për presidentin e ri serb, në Kosovë pritet të hapen 278 vendvotime. Administrata e UNMIK-ut ka përsëritur pozicionin e mëhershëm, se nuk do t’i organizojë, por as pengojë këto zgjedhje. Ndërkaq, pritet që strukturat e sigurisë në Kosovë, atë ditë t’i rrisin masat e sigurisë në pjesë të ndryshme, ku jeton komuniteti serb.
XS
SM
MD
LG