Ndërlidhjet

KËSHILLI I SIGURIMIT PËRSËRI BLLOKOHET RRETH ÇËSHTJES SË KOSOVËS


Vullnet POSHKA

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e shqyrtoi mbrëmë raportin e shefit të UNMIK-ut Joachim Ruecker mbi gjendjen në Kosovë. Ruecker tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme për hapin e ardhshëm në procesin e përcaktimit të statusit, nga i cili varet zbatimi i disa standardeve. I pyetur rreth lirisë së lëvizjes, Ruecker tha se ende ka sfida, por nuk është e drejtë të thuhet se nuk ka liri të lëvizjes. "Unë jam dëshmitar se në rrugët dhe lokalet e Prishtinës lirisht flitet serbisht", u tha Ruecker ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit.
Presidenti serb Boris Tadiq i tha këshillit se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por nuk do të përdorë dhunën për të parandaluar pavarësimin e saj.
"Njohja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës padyshim do të ishte precedent. Askush nuk ka të drejtë të destabilizojë Serbinë dhe Ballkanin me veprime të nxituara të njëanshme që do të kenë pasoja të paparashikueshme për rajonet tjera", tha Tadiq. Ai shtoi se Serbia "do ta ruajë integritetin territorial dhe sovranitetin me të gjitha mjetet, argumentet legale dhe diplomatike".
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se Kosova është e gatshme të shpallë pavarësinë dhe "së shpejti do të marrë vendimin".
"Shumë shpejt do të marrim vendimin për pavarësinë, dhe shpresojmë se shumë shpejt do të na njohë bashkësia ndërkombëtare, Uashingtoni, Brukseli dhe shtetet tjera. Gjithçka që do të bëjë Prishtina, do ta bëjë në bashkëpunim të ngushtë me Uashingtonin, Brukselin dhe shtetet tjera. Ne do të punojmë që procesi të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur. Jam i sigurtë se vendimi do të merret shumë shpejt", tha Thaçi. Ai tha se Kosova e pavarur do të jetë "një vend i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj". Thaçi tha se para takimit, ai i kishte shtrënguar dorën Tadiçit si "liderë të dy vendeve të pavarura", dhe u zotua se në të ardhmen Kosova do të "ndërtojë marrëdhënie të mira me Serbinë".
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zalmay Khalilzad, tha pas takimit se "këshilli ende është i bllokuar" rreth çështjes, dhe përsëriti se zgjidhja më e mirë është plani i Ahtisaarit.
"Mendoj se plani i Ahtisaarit është loja e vetme. Ai është në tavolinë. Ne besojmë se nisur nga pozicionet përkatëse të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat nuk arritën një marrëveshje, plani i Ahtisaarit është qasje e arsyeshme, dhe se zbatimi i tij do të ishte gjëja e drejtë për të bërë", tha Khalilzad. Ai e mirëpriti përkushtimin e Thaçit se "dëshiron t'i përfaqësojë të gjitha bashkësitë në Kosovë", dhe e paralajmëroi Serbinë kundër presioneve ekonomike ndaj Kosovës. Duke përshëndetur "gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të marrë përsipër rolin e vet në Kosovë", Khalilzad i bëri thirrje Beogradit që qëndrimet ndaj asaj që do të ndodhë në Kosovë "të mos i ndikojnë marrëdhëniet afatgjata të Serbisë me Evropën dhe me Shtetet e Bashkuara". Diplomati amerikan tha se zgjidhja përfundimtare për rajonin e Ballkanit është "të integrohet në institucionet më të gjera evropiane, veçanërisht në Bashkimin Evropian".
Ambasadori i Britanisë John Sawers gjithashtu u dakordua se "asgjë nuk ka ndryshuar". "Nuk mendoj se ka gjasa për negociata të mëtejme", tha Sawers.
Ambasadori i Rusisë Vitaliy Churkin, tha se Kombet e Bashkuara duhet ta anulojnë shpalljen e njëanshme të pavarësisë, dhe shtoi se Kosova "nuk do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe e institucioneve ndërkombëtare politike".
"Duke ecur me hapa të njëanshëm, Kosova nuk do t'i bashkangjitet radhëve të bashkësisë ndërkombëtare të vendeve që janë të njohura plotësisht. Ajo për fat të keq mund të fitojë disa njohje, madje edhe me shkelje të rezolutës 1244 dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, por nuk do të vijë në këtë ndërtesë si anëtare plotësisht e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo nuk do të jetë në gjendje t'u bashkangjitet institucioneve tjera politike ", tha ambasadori rus në OKB, Vitaliy Churkin.
XS
SM
MD
LG