Ndërlidhjet

Statusi frenon shpërthimin e pakënaqësive sociale


Gjendja e rëndë sociale në Kosovë dhe statusi i saj politik, i pazgjidhur deri më tani, kanë krijuar situatë paradoksale të sjelljes së shoqërisë kosovare. Kështu thonë ekspertët për çështje sociale dhe psikologjike në Kosovë.

Sociologu Fadil Maloku thotë se duke pasur parasysh gjendjen e rëndë sociale në të cilën gjenden qytetarët e Kosovës, reagimet e tyre janë të kundërta me reagimet që janë normale në vendet ku ekziston demokracia, në të cilat qytetarët do të mobilizoheshin për t’i realizuar të drejtat e tyre, të cilat kryesisht e prekin standardin jetësor. Zoti Maloku thekson se mekanizëm për frenimin e pakënaqësive tash për tash është statusi i padefinuar i Kosovës, të cilin qytetarët janë duke e pritur tash e tetë vjet. “Në Kosovë kemi një paradoks, në kuptimin kur krahasohet me shoqëritë që kanë traditë demokratike, ku të drejtat e qytetarëve janë të drejta të fuqizuara dhe të mbrojtura edhe me Kushtetutë. Në rastin tonë, kujtoj që paradoksi më i madh është se është një gjendje alarmuese sociale. Unë kujtoj që këtë frenim në drejtim të shpërthimit të trazirave sociale e bën vetëm akti i definimit të statusit politik. Njerëzit kanë pritur dhe unë kujtoj që procesin e frenimit apo procesin e frustrimit, sepse ne jemi një shoqëri e frustruar, duhet kërkuar në mekanizmat e pritjes”, tha Maloku.

Në anën tjetër, psikologu Dashamir Bërxulli thotë se psikoza e krijuar, se pritja e popullit të Kosovës për statusin final politik do të kurorëzohet me pavarësi, është mekanizëm që ka frenuar mjaft procese në Kosovë, të cilat do të ishin rezultat i gjendjes së rëndë sociale. “Mendoj se është një situatë paradoksale, në të cilën ndodhet popullsia e Kosovës. Gjatë këtyre viteve të fundit, besoj se shumë procese janë ndaluar në Kosovë. Por, nga pikëpamja psikologjike, mendoj se energjia e popullit të Kosovës, e cila është treguar që është e madhe, nuk është vënë aq sa duhet në funksionim gjatë gjithë këtyre viteve, si në planin e mekanizmave të brendshëm shoqërorë, energjisë pozitive, të arsimit, të ekonomisë, por edhe përgjithësisht në jetën aktive të qytetarit, në atë aktivizimin social që e kemi parë aq shumë të dëshmuar në vitet ‘90. Mendoj se ka një stagnim, një qëndrim në vend, në pritje të përcaktimit të statusit final të Kosovës”, u shpreh Bërxulli.

Pas definimit të statusit politik të Kosovës, sipas sociologut Maloku, qytetarët do t’i kthehen gjendjes së tyre sociale si dhe ballafaqimit me realitetin. “Në momentin që pritja përfundon, atëherë njerëzit do të zgjohen në një mëngjes dhe do të shohin se çështja e statusit është mbyllur, nuk kanë rrymë, nuk kanë ujë për t’u përgatitur për punë. Atëherë, unë kujtoj që tek njerëzit do të krijohet vetvetiu mekanizmi i solidaritetit, kohezioni i solidaritetit. Unë pres, jam shumë i bindur, që po qe se bashkësia ndërkombëtare në projektin e vet të definimit të statusit politik nuk jep infuzion, në kuptimin e investimeve apo të hapjes së vendeve të reja të punës, trazirat sociale janë të pashmangshme në Kosovë”, tha Maloku.

Zvarritja e definimit të statusit politik të Kosovës do të krijonte akumulim edhe më të madh të pakënaqësive të qytetarëve të saj, shpreh mendimin psikologu Bërxulli. Sipas tij, energjia e akumuluar do të shpërthente pavarësisht simptomave të saj, sociale apo politike. “Mendoj që destabilizimi është një opsion real, në një mënyrë apo një tjetër, varësisht se si e shikojmë, por e gjithë popullata me një gjendje emocionale të zhgënjimit, e cila nëse përjetohet pasivisht, si në rastin nëse eventualisht nuk përcaktohet statusi i Kosovës, atëherë mund të kanalizohet në drejtime të pakëndshme, duke qenë bazë për trazirat e mundshme, të cilat, natyrisht, mund të jenë të formave të ndryshme, duke filluar që nga rendi publik, ndoshta ndikimi tek prona private dhe padyshim tek stabiliteti politik i Kosovës në përgjithësi”, theksoi Bërxulli.

Sidoqoftë, ekspertët e çështjeve sociale dhe të atyre psikologjike kanë pohuar se kanalizimi i energjisë së akumuluar tek popullata në Kosovë, pas definimit të statusit politik të saj, kërkon menaxhim adekuat nga institucionet qeveritare, për t’iu shmangur shpërthimeve të mundshme. Ata, po ashtu, theksuan se një menaxhim i tillë do të varet edhe nga ndihmat e bashkësisë ndërkombëtare për rimëkëmbjen e ekonomisë kosovare, ndihma të cilat, siç thanë ata, duhet të ndikojnë direkt në standardin e qytetarëve të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG