Ndërlidhjet

logo-print

KUPCHAN:"PAVARËSIA E KOSOVËS REALIZOHET JASHTË KOMBEVE TË BASHKUARA"


Charles KUPCHAN, Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme /SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se raport i shefit të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit ishte i fundit para se Kosova të shpallë pavarësinë. A pajtoheni me këtë?

CHARLES KUPCHAN
Po, jam dakord. Mendoj se lojës në Kombet e Bashkuara efektivisht i erdhi fundi me raportin përmbyllës të Treshes më 10 dhjetor. Diskutimet e fundit ishin vetëm formale. Tash, pritet që zhvillimi më i rëndësishëm në Kosovë, deklarata e shpalljes së pavarësisë dhe mundësia e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, të ndodhin jashtë kornizës së Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
"New York Times" së fundi raportoi se Uashingtoni dhe Berlini tashmë janë pajtuar që të njohin Kosovën pasi ajo të ketë shpallur pavarësinë. Çfarë do ndodhë me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian?

CHARLES KUPCHAN
Nga ajo që mund të vërejmë është se Bashkimi Evropian përfitoi nga shtyrja në vitin 2007 për të siguruar sa më shumë mbështetje për njohjen e Kosovës. Duket se ende nuk ka unanimitet. Janë të paktën pesë vende që hezitojnë të zotohen se do ta njohin Kosovën. Këtu përfshihen Qiproja, Greqia, Spanja, Rumaina dhe Sllovakia, vende që kanë frikë nga ndarjet e brendshme etnike. Nga ajo që dijmë, do të ketë disa përjashtime, por të paktën 20, 23 apo 24 vende të BE-së duket se janë të gatshme të lëvizin shpejt me njohjen e sapo Prishtina ta shpallë pavarësinë e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kupchan, çfarë pritni të ndodhë në pjesën veriore të Kosovës një ditë pasi Prishtina të ketë shpallur pavarësinë?

CHARLES KUPCHAN
Është një pyetje shumë e vështirë. Nuk mendoj se dikush e di përgjigjen për këtë. Por në një farë mënyre, ky është aspekti më problematik në pikën ku jemi sot në negociatat për Kosovën. Kjo për shkak se prej vitit 1999 deri në 2008, UNMIK-u dhe bashkësia ndërkombëtare nuk ishin në gjendje që faktikisht t'ia bashkojn Kosovës pjesën veriore të saj. Në këtë kuadër, megjithëse pritej që pjesa veriore të jetë e ndarë nga Beogradi, veriu i Kosovës efektivisht mbetet i integruar me pjesën tjetër të Serbisë. Pra, në horizont sikur po shihet e ashtuquajtura shkëputje e dyfishtë: Kosova po ndahet nga Serbia, ndërsa pjesa veriore e Kosovës pastaj po ndahet nga Kosova e pavarur. Nëqoftëse kjo ndodh, atëherë qartësisht bashkësia ndërkombëtare do të jetë në pozitë të vështirë. Me gjasë, mund të shfaqet ndonjë dhunë dhe mund të hyjmë në një periudhë pasigurie disa muajshe, kur do të duhet të mendohemi si ta trajtojmë statusin de jure të pjesës veriore të Kosovës, e cila nuk është e interesuar që të mbetet pjesë e territorit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët shkëputjen e dyfishtë. Çfarë mendoni për pasojat në rajon apo për efektin domino?

CHARLES KUPCHAN
Nuk jam veçanërisht i shqetësuar se do të ketë zgjërim të konfliktit në Ballkan. Disa njerëz shqetësohen se nëse Kosova bëhet e pavarur, atëherë mund të ndahet Maqedonia, ndërsa Republika Serbe mund të thotë: ne po largohemi nga Bosnja e Hercegovina dhe po i bashkohemi Serbisë. Sigurisht, që do të ketë zëra ekstremistë, të cilët do të përpiqen ta përdorin pavarësinë e Kosovës për qëllimet e veta. Unë më shumë shqetësohem nga mundësia e dhunës në brendi të Kosovës. Çështja e pjesës veriore të Kosovës që e dikutuam, mund të ngritë tensionet ndërmjet serbëve që jetojnë në enklavat dhe fqinjëve të tyre shqiptarë. Kjo më shqetëson më shumë se sa zgjërimi i konfliktit.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kupchan, Beogradi ka miratuar një plan aksional për t'u përballur me situatën e krijuar pasi Kosova të shpallë pavarësinë. Çfarë mendoni për masat, si p.sh. embargon apo prishjen e marrëdhënieve diplomatike me vendet që do të njihnin Kosovën?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se është tepër herët të thuhet se si do të reagonte qeveria e Serbisë. Serbia është në prag të zgjedhjeve. Për çdo politikan serb do të ishte vetëvrasje politike të pranojë pavarësinë e Kosovës apo të mos kërcënohet me ndonjë lloj sanksionesh. Rrjedhimisht, tash është vështirë të dihet se çfarë janë kërcënime boshe, e çfarë janë hapa politikë që mund të ndërmerren. Unë mendoj se padyshim do të ketë ndonjë reagim nga Serbia, i cili do të shkojë në dëm të marrëdhënieve të Serbisë me BE-në dhe SHBA-të. Por, gjithashtu mendoj se duke hedhur sytë kah e ardhmja e afërt, nëqoftëse Serbia tërhiqet nga integrimi në BE apo nga marrëdhëniet e mira me SHBA-të, atëherë si rezultat, Serbia do të jetë e dëmtuara. Por në planin afatgjatë, mendoj se integrimi i Serbisë nuk është çështje nëse por kur?

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, kështu i shihni kërcënimet e Serbisë për t'i ashpërsuar lidhjet me Bashkimin Evropian nëse Brukseli vendos të dërgojë misionin në Kosovë?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se krëcënimi i tillë mund të bëhet realitet. Por gjithashtu mendoj se nëse Serbia vetë izolohet diplomatikisht, ajo në fund do të kuptojë se ky ishte një reagim destruktiv. Një vetë izolim i tillë mund të vazhdojë për disa kohë, por për shkak të jetës në fqinjësi dhe për shkak të interesave ekonomike dhe strategjike të qytetarëve, popullatës apo votuesve serbë, do të prisja që qeveria serbe sërish të kthehet në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, a mendoni se hapat e këtillë do të kenë ndonjë ndikim te disa vende të BE-së kur ato të marrin vendimin e tyre për të ardhmen e Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se vendet anëtare të BE-së me ngurrim po vijnë në konkludimin se një Kosovë e pavarur dhe stabile ka më shumë gjasa që të çojë drejt paqes në Ballkan, se sa pasiguria e vazhdueshme për territorin. Megjithëse atje nuk mund të gjeni shumë njerëz që janë entuziastë për pavarësinë e Kosovës, mendoj se përfundimisht kërcënimet e Serbisë për t'u shmangur nga rruga evropiane nuk mjaftojnë për të prishur vendosmërinë amerikane dhe evropiane që ta njohin Kosovën nëse shpall pavarësinë, gjë që për momentin duket shumë e sigurtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e parashihni rolin e mëtejmë të Moskës në këtë proces?

CHARLES KUPCHAN
Është shumë vështirë të thuhet. Moska e ka bërë të qartë se nuk është e gatshme të largohet nga konfrontimi. Ajo ka vazhduar të prishë çdo përpjekje për të gjetur konsenzus brenda Këshillit të Sigurimit. Putin e ka bërë të qartë se ai nuk është i gatshëm të pranojë poziconin e njëanshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Tash vetëm mbetet të shihet nëse kërcënimet për të ndërmarrë hapa në Kaukaz janë fjalë boshe, apo është e mundur që rusët në fakt të ndërmarrin disa masa për t'u hakmarrë ndaj njohjes së Kosovës. Në këtë pikë, është herët për të thënë. Personalisht mendoj se reagimi i Rusisë do të jetë në përgjithësi i matur, sepse interesat specifike që rusët kanë në Kosovë janë relativisht të largëta, prandaj nuk do ndërmarrin ndonjë reagim më të ashpër, për të cilin ndonjëherë i dëgjojmë të kërcënohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund z. Kupchan, a mendoni se Beogradi mund të kthehet kah Lindja, duke marrë parasysh përpjekjet aktuale të rusëve për të investuar dukshëm në sektorin energjetik të Serbisë?

CHARLES KUPCHAN
Nuk mendoj. Mund të ketë kthim të përkohshëm kah Lindja, ngrohje të përkohshme të marrëdhënieve me Rusinë, më shumë investime nga Moska në Serbi. Por në fund, rajoni i Evropës ku ndodhet Serbia është tërhequr pashmangshëm kah Perëndimi, drejt integrimeve në institucionet dhe tregjet evropaine. Në këtë kuadër, më duket se Serbia më në fund do të sillet brenda dhe do të tërhiqet nga forca centripetale, e cila po ushtrohet nga procesi i integrimit evropian.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG