Ndërlidhjet

KS KA NXJERRË ZGJIDHJEN E STATUSIT JASHTË KORNIZAVE TË OKB-SË


Zijadin Gashi

Këshilli i Sigurimit ka dhënë sinjale të qarta se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet jashtë këtij mekanizmi, vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Pas mbledhjes së djeshme në Nju Jork, e cila, si edhe pritej, nuk rezultoi me ndonjë vendim apo kthesë për sa i përket statusit, përfaqësuesit kosovarë besojnë se atje, megjithatë, shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit e kanë kuptuar tashmë se nuk ka më vend për negociata dhe se tash është koha e vendimit për statusin. Zëvendëskryeministri kosovar, Ramë Manaj, vlerëson se mbledhja e mbrëmshme ishte tejet e favorshme për Kosovën, ku janë prezantuar vlerësime pozitive për të arriturat në Kosovë, si nga shefi i UNMIK-ut dhe kryeministri i Kosovës, ashtu edhe nga përfaqësues tjerë nga vendet anëtare. Hapi tjetër në vijim, sipas Manajt, do të jetë shtrirja e misionit të BE-së në Kosovë. “Sesioni i djeshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, edhe njëherë dhe unë mendoj përfundimisht, dëshmoi se zgjidhja e statusit politik të Kosovës, respektivisht definimi i këtij statusi, duhet kërkuar jashtë Këshillit të Sigurimit. Këtë, në një mënyrë, e dëshmon edhe deklarata e ambasadorit të SHBA-ve, e zotit Khalilzad. Ishte një sesion shumë pozitiv dhe mendoj se tash është koha kur Bashkimi Evropian duhet t’i marrë obligimet e veta të mëtejme”, tha Manaj. Me vlerësime pozitive për mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit paraqitet edhe presidenca e Kosovës. Xhavit Beqiri, zëdhënës i presidentit Fatmir Sejdiu, e vlerëson lart sidomos qëndrimin e ambasadorit amerikan në Këshillin e Sigurimit, Khalilzad dhe beson se tash edhe shumica e vendeve tjera anëtare e kanë kuptuar se statusi i Kosovës nuk mund të mbetet peng i vullnetit të asnjë vendi. “Mbledhja e djeshme e Këshillit të Sigurimit është e rëndësishme edhe për faktin se ambasadori amerikan ripohoi se Këshilli i Sigurimit e ka mbyllur këtë çështje dhe se Kosova pret një zgjidhje tjetër. Siç e ka thënë presidenti Sejdiu, Kosovës i nevojitet shpejt një zgjidhje edhe për hir të së kaluarës së saj, edhe për hir të së ardhmes; një qartësi substanciale, e cila definohet vetëm me përcaktimin e qartë të statusit të Kosovës, me pavarësinë e saj, konform propozimit të presidentit Ahtisaari”, thekson Beqiri. Ndërkohë, Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, pret që statusi i Kosovës të jetë i përkohshëm. Kjo, sipas saj, mund të shihet edhe nga rezultatet e takimeve të fundit të Këshillit të Sigurimit. “Kjo do t’i mundësojë territorit të Kosovës që të fitojë një status të caktuar, i cili nuk do të jetë definitiv, por do të jetë i monitoruar”, thotë Trajkoviq, duke mos e saktësuar se çfarë do të ishte ky status kalimtar. Gjatë kësaj faze kalimtare, sipas saj, bashkësia ndërkombëtare do ta mbikëqyrë rreptë respektimin e të drejtave të komuniteteve, sidomos atij serb. Ndryshe, para Këshillit të Sigurimit, për të arriturat në Kosovë, si zakonisht, ka folur shefi i UNMIK-ut, ndërkaq vizionin dhe pikëpamjet politike kosovare janë prezantuar nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai ka thënë se pavarësia e Kosovës është e domosdoshme për suksesin rajonal, ndërsa si rrugën më të mirë në këtë drejtim, ai ka vlerësuar planin e Ahtisaarit. Pas takimit të Këshillit, Thaçi ka thënë se Kosova shumë shpejt do ta marrë vendimin për pavarësi dhe se shpreson që ky vendim do të njihet nga bashkësia ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një numër më i madh i vendeve të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG