Ndërlidhjet

Qytetarët: BE mund ta zgjidhë statusin e Kosovës



Bashkimi Evropian i ka të gjitha mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës, thonë qytetarët e Kosovës, pasi tash është bërë e qartë se Këshilli i Sigurimit nuk pritet të ketë rol në këtë çështje.

Mustafë Berbatovci thotë se rolin kryesor për të ardhmen e Kosovës, tash e tutje, duhet ta këtë Bashkimi Evropian. “Tash e tutje, rol prirës duhet të ketë Bashkimi Evropian, pasi që pritet që më 28 të këtij muaji, në mbledhjen që do të mbahet në Slloveni, të merret një vendim, që nga Kombet e Bashkuara, rolin prirës për Kosovën ta marrë Unioni Evropian, bashkë me institucionet tona. Kështu që unë mendoj se tash do ta kemi më lehtë t’i zgjidhim problemet tjera, të cilat na mundojnë. Institucionet tona do të kenë më shumë kompetenca dhe shpresoj që punët do venë mbarë”, thotë Berbatovci.

Çështja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, thotë Adelina Çoçaj. “Shpresojmë që çështja e statusit të Kosovës të zgjidhet sa më shpejt, duke pasur parasysh se herën e fundit në Këshillin e Sigurimit, një nunër i madh i shteteve e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës. Ne, si banorë të këtij vendi, shpresojmë se kjo gjë do të zgjidhet. Megjithatë, gjithnjë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në. Njëkohësisht, mendoj se edhe qeveritarët tanë duhet të bëjnë përpjekje për ta zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës, që tashmë është e ditur se është pavarësia”, u shpreh Çoçaj.

Kurse, Memli Ymeri konsideron se Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Kosovës duhet të koordinohen për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Në Këshillin e Sigurimit nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Besojë që tani Bashkimi Evropian do t’i marrë kompetencat në duart e veta, në këtë rolin e ri. Siç dihet, në Kosovë do të vijë edhe një mision i BE-së, do të vijë edhe shpallja e pavarësisë, pastaj njohja nga shtetet e tjera, pastaj të shohim. Amerika do ta luajë rolin e vet kyç, të cilin e ka së bashku me Bashkësinë Evropiane; të dyja këto të koordinohen së bashku, vetëm nuk munden. Qeveria dhe Kuvendi duhet ta shpallini pavarësinë, pastaj do të fillojë njohja dhe një rrugë e gjatë dhe e mundimshme”, tha Ymeri.

Edhe Vjollca Kaqiu thotë se Bashkimi Evropian tash duhet të ketë një rol kryesor për Kosovën. “Ata e kanë në dorë, nuk pres ndonjë ndryshim të madh”, thotë ajo.

Por, ndryshe mendon Nezir Gashi. Përgjegjësinë më të madhe tash duhet ta ketë Qeveria e Kosovës, thotë ai. “Mendoj se nuk duhet të presim, duhet të veprojmë. Qeveria që e ka fituar besimin, e ka përgjegjësinë më të madhe; duhet t’ia tregojë realitetin popullit dhe të marrë aksione të tjera, mënyra të tjera, për ta zgjidhur çështjen. Ta them të vërtetën, nuk është unik as Bashkimi Evropian me siguri, sepse sikurse Këshilli i Sigurimit, me siguri do të bllokohet edhe në Këshillin Evropian çështja e Kosovës, sepse kjo nuk është çështje e përkohshme, por është çështje shekullore”, thotë Gashi.

Zgjidhje të statusit të Kosovës nuk do të këtë pa SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, thotë Meriman Braha. “Në këtë riformulim ose riorganizim të punës rreth Kosovës, unë besoj se Evropa do ta marrë rolin udhëheqës dhe besoj se ka forcë për ta zgjidhur problemin si duhet. Fundi i fundit, ajo ka potencial edhe ekonomik, edhe diplomatik, edhe ushtarak, edhe të gjitha, që mund të sigurojë një status të duhur të Kosovës, e cila dikur duhet të integrohet në vetë Evropën. Domethënë, duhet të bëhet pjesë e saj. Prandaj, është krejt normale që ajo ta marrë rolin udhëheqës, pavarësisht që edhe ana tjetër e Amerikës nuk do të kalojë në pjesën dytësore të punës, por do ta marrin edhe ata rolin e tyre. Pa Amerikën dhe Evropën nuk ka zgjidhje të këtij problemi. Kështu e kam përshtypjen”, tha Braha.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG