Ndërlidhjet

Ekonomia pas statusit



Përmirësimi i infrastrukturës ligjore, përmirësimi i furnizimit me energji elektrike, eliminimi i korrupsionit dhe përkrahja e biznesit privat, janë disa nga çështjet kryesore, që institucionet vendore duhet t’i ndërmarrin menjëherë pas përcaktimit të statusit. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se nëse Qeveria e Kosovës nuk bën përmirësim të infrastrukturës ligjore, atëherë do të jetë shumë vështirë, sipas tij, të ketë tërheqje të investimeve nga jashtë.

“Ju vetëm mund t’i analizoni disa ligje, qoftë për investime të huaja, qoftë për legjislacion gjithëpërfshirës; do të thotë, është një vakuum. Dhe, në këtë drejtim, është nevojë imediate që të punohet më tepër në këtë legjislacion, që të paktën në aspektin juridik, të lansohet nga Kosova një mesazh pozitiv dhe të jetë inkurajues për investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

Çështje tjetër, sipas tij, është edhe monitorimi i shpenzimeve të mjeteve buxhetore nga institucionet qendrore dhe ato lokale. “Duhet sa më shpejt të bëhet një prerje e gjendjes financiare; pra, auditorët ta marrin punën e tyre në dorë, në kabinetin qeveritar dhe në institucionet qeveritare, që ta japin raportin pozitiv apo negativ”, u shpreh Gërxhaliu.

Në anën tjetër, Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë ndryshimin e politikave fiskale, në mënyrë që të përkrahë komunitetin e biznesit privat. Kusari-Lila pohon se institucionet më të larta vendore duhet t’i shikojnë mundësitë për rritje të buxhetit të konsoliduar të Kosovës, që paralelisht mundëson ngritjen e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve kosovarë. “Një çështje tjetër apo një ndryshim i menjëhershëm që prapë lidhet me politikat fiskale, është mbledhja e tatimeve në kufi. Tatimi duhet të mblidhet brenda në Kosovë, duhet lënë pak më tepër periudhë për ata që importojnë, deri kur të vijë koha për këto pagesa. Të gjitha këto masa do ta lehtësojnë operimin e biznesit në Kosovë”, pohoi Kusari-Lila.

Janë këto masa, që, sipas saj, mund të përmirësohen menjëherë nëse ekziston vullneti politik, e që në zhvillimin ekonomik do të ndikojnë në mënyrë pozitive. “Pagesa e TVSH-së në kufi, që shkakton pengesë për biznesin, sepse këto mjete duhet të mblidhen brenda territorit të Kosovës, pas një periudhe të caktuar, e jo menjëherë apo pa hyrë mallrat në Kosovë; duhet të paguhet një shumë prej 26 për qind. 15 për qind TVSH dhe 10 për qind doganat, që, në një farë forme, e rëndojnë buxhetin e një biznesi, i cili ende nuk ka filluar të operojë“, tha Kusari-Lila.

Megjithatë, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, është skeptik se një përmirësim i mundshëm ekonomik mund të ndodhë menjëherë pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, pasi, thotë ai, të gjithë zyrtarët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare janë fokusuar në zgjidhjen e statusit, duke lënë anash çështjet ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve.

XS
SM
MD
LG