Ndërlidhjet

SHPALLJA E PAVARËSISË VË NË DILEMA PARTITË SERBE, PJESËMARRËSE NË INSTITUCIONE


Zijadin Gashi

Partitë politike serbe që marrin pjesë në punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës thonë se do të ndërmarrin vendime adekuate me interesat e komunitetit të tyre, në rast se shpallet pavarësia e Kosovës. Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, thotë se reagimi i tij dhe subjektit që përfaqëson në rast se Kuvendi shpall pavarësinë, do të jetë në harmoni me interesat e serbëve të Kosovës, por ai nuk shpjegon se cili do të ishte ky reagim adekuat. “Ajo që dihet nga përbërja e kaluar e Kuvendit është se në rendin e ditës ishte propozimi i Ahtisaarit, i cili është pas nesh. Kurse, ajo që përmendet dhe që është e ditur dhe me siguri do të vijë edhe deri te shpallja, por këtë ende askush nuk mund ta dijë se kur do të ndodhë”, thekson Petroviq. Në çdo rast, thotë ai, liberalët serbë do ta ndërmarrin veprimin e duhur në përputhje me interesat e komunitetit serb. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike, Sllavisha Petkoviq, thotë se do të presë që të shohë se si do të zhvillohen gjërat. Ai thotë se partia e tij do të mbetet jashtë Parlamentit, përderisa të mos qartësohet statusi i Kosovës. “Ne do të presim që të sqarohet kjo çështje rreth statusit. Do presim të shohim se çka me të vërtetë do të ndodhë. Do t’i shohim edhe reagimet nga Nju Jorku dhe në bazë të këtyre zhvillimeve, edhe ne do të vendosim çka dhe si tutje”, thotë Petkoviq. Partitë politike serbe, që marrin pjesë në institucione, kanë marrë një përkrahje të vogël nga votuesit serbë. Por, në bazë të Kornizës Kushtetuese, ata kanë trashëguar 10 vende të rezervuara për këtë komunitet në Kuvend dhe dy vende ministrore në Qeveri. Kur kanë dalë në zgjedhje, këto subjekte kanë refuzuar t’i dëgjojnë thirrjet e Beogradit për bojkot, duke besuar se pjesëmarrja e tyre në institucione ndihmon krijimin e kushteve më të mira për jetë për komunitetin serb. Sllobodan Petroviq thotë se ende beson që pjesëmarrja në institucione është në të mirën e vetë serbëve të Kosovës. “Ne nuk presim që mund ta ndryshojmë politikën serbe, por gjithsesi presim të punojmë në interes të komunitetit serb”, thekson Petroviq. Por, në anën tjetër, Sllavisha Petkoviq, i pakënaqur që vendet ministrore i ka fituar partia rivale e Sllobodan Petroviqit, ka vendosur që tash për tash ta lëshojë edhe Kuvendin. “Kryeministri me këtë tregoi se në të vërtetë atij nuk i interesojnë serbët dhe se atij i intereson vetëm një grup serbësh. Kështu që Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në institucione, por do të vështrojë nga jashtë se çka do të ndodhë”, thekson Petkoviq. Vendimi për të bojkotuar punën e Kuvendit nuk është definitiv, por më shumë shihet edhe si masë presioni ndaj kryeministrit, që të përfshijë në Qeverinë e tij edhe Partinë Demokratike.

XS
SM
MD
LG