Ndërlidhjet

logo-print

Varfëria ekstreme ka tendencë rritjeje


Mbi 15 për qind e familjeve kosovare vlerësohet se jetojnë në varfëri ekstreme, apo me më pak se 1 dollar në ditë. Këto janë të dhënat e fundit të Bankës Botërore dhe të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, zyrtarët e së cilës thonë se këto shifra mund të jenë edhe më të larta.

Mustafë Garaj, drejtor i Institutit për Politika Sociale në këtë ministri, pohon se varfëria ekstreme në Kosovë mund të jetë shumë më e lartë, pasi, sipas tij, numri i të papunëve është shumë i lartë, ndërkaq ndihmat sociale që ndan kjo ministri, nuk mund ta zbusin gjendjen e rëndë ekonomike të familjeve. “Në rast se e marrim varfërinë ekstreme tek njerëzit që nuk kanë mundur të punojnë dhe të sigurojnë 1.42 dollar në ditë, shkalla e varfërisë është mbi 15 për qind. Kjo shifër ka tendencë rritjeje”, pohoi Garaj.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike thonë se duke pasur parasysh gjendjen e rëndë socio-ekonomike dhe numrin e madh të punëkërkuesve, edhe 37 për qind e popullsisë janë në kufi të varfërisë ekstreme. Ymer Havolli, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore ‘RIINVEST’, pohon se nëse nuk ndërmerret diçka në favor të kësaj kategorie, atëherë shumë shpejt mund të rritet përqindja e varfërisë ekstreme. “Nëse vazhdon trendi i futjes së punëkërkuesve të rinj në tregun e punës, i cili është vazhdimisht në rritje në Kosovë, atëherë kjo varfëri sigurisht se do të rritet”, tha Havolli.

Ndërkaq, Mustafë Garaj, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohon se është vështirë të mendohet se varfëria mund të zbutet me ndihma sociale, pa pasur ndonjë projekt që gjeneron vende të reja të punës. Ndryshe, 43 mijë familje gjenden në listën e skemës sociale, të cilat marrin nga 40 deri në 60 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes. “Asistenca sociale jepet në bazë të një ligji që përcakton shumën dhe ajo vlen për një familje; e për fat të keq, familjet tona janë me më shumë se pesë anëtarë. Ajo nuk ka mundësi që ta zbusë, sepse në ato familje me pesë anëtarë, në momentin që fëmija më i vogël i mbush pesë vjet, ndihma sociale ndërpritet”, tha Garaj.

Megjithatë, shkaktar kryesor i varfërisë ekstreme në Kosovë është zhvillimi i dobët ekonomik, thotë ai, duke shtuar se në këtë kuadër ka ndikuar edhe privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, që, sipas Garajt, ka rezultuar me shuarjen e mijëra vendeve të punës. “Firmat që janë privatizuar, nuk kanë realizuar planet e punësimit, premtimet e punësimit. Ka pasur ndërmarrje të vogla, të cilat kanë pasur të punësuar, por tashmë i kanë zëvendësuar me familjarë”, u shpreh Garaj.

Ndërkaq, mënyra e vetme për të tejkaluar këtë gjendje është përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga institucionet kosovare, thotë Ymer Havolli. “Sektori, i cili aktualisht është duke mbajtur barrën kryesore, është sektori privat. Prandaj, të gjitha institucionet, edhe qeveria aktuale, e cila e ka marrë qeverisjen e Kosovës, strategjinë e vet duhet ta orientojë nga zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, konkretisht nga sektori privat”, theksoi Havolli.

Ndryshe, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore në Kosovë, 37 për qind e popullsisë jeton me më pak se 1.47 euro në ditë, ndërkaq mbi 15 për qind me më pak se 0.93 centë në ditë. Ekspertë për çështje ekonomike shpresojnë se me zgjidhjen e statusit, kjo përqindje mund të zvogëlohet, edhe pse, sipas tyre, për uljen e varfërisë, Kosovës i nevojiten 5 herë më shumë vende të reja të punës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG