Ndërlidhjet

HALITI:”INSTITUCIONET TË MERREN VESH PËR DATËN E PAVARËSISË”


Xhavit HALITI, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haliti, çështja e statusit të Kosovës thuhet se tashmë përfundimisht ka dalë nga kornizat e Këshillit të Sigurimit. Si i shihni zhvillimet e mëtejme në raport me statusin?

XHAVIT HALITI
Unë po pres që institucionet kryesore të Kosovës të marrin një vendim përkitazi me situatën e krijuar tani, që të përcaktohen, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, për datën përkatëse lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Besoj se në përgjithësi, në Kosovë, të gjithë janë të përgatitur që shpallja e pavarësisë të ndodhë brenda pak javësh. Parapërgatitjet janë bërë në kohë. Besoj se Kushtetuta tani veç është e përgatitur dhe dokumentet tjera që dalin pas deklaratës së pavarësisë, janë të përgatitura. Kështu që shpresoj se Kosova në pranverë do të jetë e pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se institucionet duhet të marrin një vendim për datën. Megjithatë, në Kryesi të Kuvendit ende nuk ka arritur ndonjë iniciativë për hartimin e deklaratës së pavarësisë. Kur në fakt mendoni se do të nisin procedurat parlamentare për këtë çështje?

XHAVIT HALITI
Përpara ka pasur disa iniciativa lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ka pasur kërkesa edhe me nënshkrime nga deputetët. Por, sipas procedurave të Parlamentit, nuk kemi qenë të përgatitur, sepse çështjet nuk kanë qenë të harmonizuara edhe me bashkësinë ndërkombëtare, që të procedojmë me një çështje të tillë. Tani mendoj se janë shpenzuar të gjitha mundësitë për të diskutuar më rreth kësaj çështjeje. Bisedimet kanë përfunduar. Por, kërkesat, që ju po thoni, janë të lehta për t’u bërë, do të thotë sipas procedurave që ka Kuvendi, sepse edhe brenda ditës kërkesa e nënshkruar nga 40 deputetë mund të procedohet në seancë të jashtëzakonshme; për arsye të caktuara që dihen dhe nuk thuhen, ndoshta nuk ka iniciativa publike. Tani mund të fillojë; iniciativat nuk ia ndalon askush askujt dhe jemi të obliguar që t’i procedojmë zyrtarisht përmes administratës së Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit. Ne jemi në pritje të harmonizimit të raporteve me bashkësinë ndërkombëtare, në këtë rast me shtetet mike, që ta shohim mundësinë e përcaktimit për datën, të cilën do ta shpallim.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertë kushtetues thonë se Kushtetuta dhe simbolet duhet të miratohen para shpalljes së pavarësisë. A mund t’i miratojë Kuvendi këto para deklaratës së pavarësisë?

XHAVIT HALITI
Unë besoj se edhe simbolet, edhe Kushtetuta duhet të miratohen pas shpalljes së pavarësisë dhe pas njohjes së pavarësisë nga shtetet që janë deklaruar se do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Mendoj se pas deklaratës së pavarësisë, ne duhet të mbajmë seanca në vazhdim, dy-tri ditë, që t’i miratojmë edhe simbolet, edhe Kushtetutën. Nuk shoh pengesa tani as ligjore, as administrative, as nga ana e UNMIK-ut, as nga ana e BE-së, as nga ana e SHBA-ve që ta anulojnë, ta zëmë siç ka qenë e mundur para një viti ose para një kohe të caktuar, nëse e shpallim ne pavarësinë e Kosovës. Gjërat janë ofruar dhe simbolet e Kushtetuta, meqenëse janë të gatshme pothuajse, të paktën sipas informatave që ne kemi, publike dhe zyrtare, do të miratohen menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosovarët thonë se Kosova është gati për pavarësi. Megjithatë, vazhdimisht nga Serbia vijnë kërcënime për sanksione ekonomike dhe izolim, në rast të shpalljes së pavarësisë. Si mendoni se do të mund të reflektojnë eventualisht këto veprime në Kosovën e pavarur?

XHAVIT HALITI
Ne kemi qenë jo vetëm të izoluar, por ne kemi qenë të shtypur për 100 vjet nga Serbia. Sa i përket izolimit, ajo është përpjekur që nga 12 qershori i vitit 1999 që të na mbajë të izoluar, të na mbajë në pamundësi të komunikimit me jashtë. Por, besoj se Kosova, nëse i përmbahet njëfarë izolimi që po e përmend Serbia, nuk do të humbë asgjë; përkundrazi, mendoj se do të jetë një angazhim më i madh, prodhuesit vendorë do të jenë në një situatë shumë më të favorshme për të prodhuar dhe për të mos i konkurruar në mënyrë të pandershme prodhimet që vijnë nga Serbia. Dhe, në këtë rast, mendoj se qarkullimi vjetor që Serbia bën në Kosovë, përreth 200 milionë euro, nuk do të jetë i pranueshëm për vetë prodhuesit serbë. Prandaj, përkohësisht, unë do ta shoh ndoshta si problem, do të ketë rritje çmimesh, por ne jemi të obliguar që ta shpallim pavarësinë e Kosovës me çdo kusht, edhe në kushtet ku ndoshta kostoja e jetës në Kosovë përkohësisht do të rritet, derisa nuk do të qarkullojnë mallrat përmes tregjeve të tjera, rrugëve të tjera, siç është Maqedonia dhe Shqipëria.

RADIO EVROPA E LIRË
Pasnesër mbahen zgjedhjet presidenciale serbe, zgjedhje këto që shumë kanë thënë se edhe e kanë shtyrë, në njëfarë mënyre, shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë në raport me statusin cilido nga kandidatët që do t’i fitojë zgjedhjet atje?

XHAVIT HALITI
Në Serbi, fushata që është duke u zhvilluar, në qendër të vëmendjes e ka Kosovën. Realisht, të dyja palët po e dinë që Kosova nuk do të rikthehet në Serbi. Ne jemi deklaruar që serbët e Kosovës mund të vijnë në Kosovë, por Kosova nuk do të shkojë kurrë në Serbi. Ata nuk do të kenë aq shumë mundësi që të veprojnë në drejtim të Kosovës; ata do të përpiqen që t’i manipulojnë votat e serbëve nga Kosova. Megjithatë, do të ishte më mirë që të fitojë linja më e butë, linja më evropiane e presidentit aktual, sesa të vinin në pushtet radikalët, sepse radikalët janë rrezik permanent edhe për vetë serbët. Linja e Tadiqit është më pro-evropiane dhe do të thosha që mundësitë e komunikimit pas shpalljes së pavarësisë, mundësitë e shtendosjes së raporteve do të fillojnë, do të fillojnë bisedime, do të fillojnë komunikime, përmes palës së tretë ndoshta në fillim dhe pastaj do të ketë komunikime të drejtpërdrejta për t’i rregulluar marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për t’i rregulluar raportet më të mira, sepse të dy popujt pretendojnë Evropën dhe jo Lindjen. Prandaj, është një klimë më dashamirëse ndaj Tadiqit edhe në Evropë. Kështu që mendoj se më mirë do të ishte për vetë Serbinë që Tadiqi të fitojë.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG