Ndërlidhjet

DALE:"RUSIA SYNON VAZHDIMIN E KRIZËS NË BALLKAN"


Helle DALE, Instituti Heritage /Uashington/

RADIO EVROPA E LIRË
Tash e kemi situatën ku duket se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk mund të arrijë marrëveshje për statusin e Kosovës. Ka mundësi që çështja e statusit të zgjidhjet jashtë Kombeve të Bashkuara. Si e shihni ju këtë situatë?

HELLE DALE
Vërtetë duket se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk është i aftë për të arritur zgjidhje, kryesisht, për shkak të kundërshtimit të Rusisë për pavarësinë e Kosovës. Me gjasë kundërshton edhe Kina. Prandaj, Kosova do të lëvizë përpara duke e caktuar një datë për pavarësinë e saj, shumë shpejtë. Nuk jam e sigurtë se a do të thotë kjo zgjidhje e statusit, por sigurisht kjo do të thotë krijim të një situatë të re.

RADIO EVFROPA E LIRË
Çfarë lloj të situatës të re do të kemi, sipas jush?

HELLE DALE
Nëse ne kemi situatën kur Kosova, njëanshëm e ka shpallur pavarësinë, pa e arritur një marrëveshje me Serbinë dhe pa arritjen e marrëveshjes në Kombet e Bashkuara, atëherë shtrohet çështja e njohjes së pavarësisë nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe e Bashkimit Evropian. Poashtu, shtrohet çështja se si do të veprojnë Serbia dhe aleatët e saj. Prandaj, mendoj se mund të shohim që situata në Ballkan përësëri të aktualizohet në një mënyrë më kritike.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës thonë se do ta shpallin pavarësinë e Kosovës brenda javësh në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian. Pozicioni i Uashingtonit në favor të pavarësisë është shumë i qartë, por disa vende anëtare të BE-së kanë disa dyshime për këtë çështje. A mendoni se në fund të fundit do të kemi unitet në mesin e vendeve evropiane?

HELE DALE
Nuk jam e sigurtë se do të kemi unitet. E dij se Greqia kundërshton ndërsa Spanja ka hezitime të fuqishme. Pra, nuk jam e sigurtë se do të kemi unitet në mesin e vendeve evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shpjegoni ju kundërshtimin nga këto vende?

HELLE DALE
Greqia ishte një kohë të gjatë aleate e Serbisë dhe poashtu në këtë rast ajo punon me Rusinë. Greqia ka dëshirë që Serbia të mbetet ashtu siç është dhe që të mos ketë ndryshime në kufijtë e saj. Kjo, në një masë, është edhe çështje e solidaritetit të vendit me religjion ortodoks dhe poashtu ka shqetësim për krijimin e shtetit mysliman në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia është mbështetësi më i fuqishëm i Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Për më tepër, ambasadori rus, Vitalij Çurkin tha se Rusia do ta bllokoj çdo përpjekje që Kosova e pavarur të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Si e komentoni ju këtë qëndrim dhe çka do të thotë kjo për Kosovën?

HELLE DALE
Mendoj se ky pozicion tregon se Rusia nuk është realisht e interesuar për zgjidhjen e problemeve në Ballkan. Rusia është e kënaqur të shohë situatë të pazgjidhur në këtë hapësirë. Vazhdimi i krizës në Ballkan do t'i preokuponte Evropën dhe Shtetet e Bashkuara dhe besoj se Rusia konsideron se kjo i konvenon asaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Ne biseduam për këtë çështje, por dëshiroj që ende të mbetemi në pozicionin e Rusisë ndaj Kosovës. Moska thotë se pavarësia e Kosovës do të krijoj precedent për rajonet e tjera në ish territoret sovjetike. Në një shkrim në Washington Times ju e përshkruat këtë si çështje "mjaft e çuditshme". Cilat janë argumentet e juaja?

HELLE DALE
Argumenti im është se Rusia po i zgjedhë vetë argumentet e veta. Rusia thotë se nëse Kosova bëhet e pavarur atëherë duhet pavarësuar edhe disa enklava të vogla në ish territoret sovjetike. Por, Rusia nuk e thotë këtë për Çeçeninë. Me fjalë të tjera, Rusia nuk jep argumente nga pozicioni i parimeve, por jep argumente sipas nevojave politike. Mendoj se Rusia synon që të mos krijohet parimi por që Ballkani të mbahet në gjendjetë një trazire të pazgjidhur politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Në shkrimin e juaj, poashtu keni thënë se zgjidhja më e logjikshme është që i gjithë Ballkani përfundimisht të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Por, gjatë javëve të fundit, disa zyrtarë të lartë serbë thanë se ata nuk janë të interesuar për anëtarësim në këta trupa. Pra, si e shihni ju të ardhmen e Ballkanit, pas pavarësisë së Kosovës?

HELLE DALE
Unë parashoh, me gjasë, më tepër trazira dhe probleme. Siç kam shkruar, besoj se nëse ju shikoni në mënyrë konstruktive në kufijtë e ardhshëm të Ballkanit, ju do t'i kapërceni mospajtimet kufitare, ndërmjet shteteve të ndryshme, me përfshirje në Bashkimin Evropian, i cili, poashtu, do të ndihmonte në nxitjen e rritjes ekonomike dhe me garanca të sigurisë nga NATO-ja. Por, nëse populli në Serbi nuk është i interesuar për këtë, atëherë kjo është punë e tyre. Nuk parashoh se Serbia do të jetë e aftë të zhvillohet shumë ekonomikisht në mungesë të pranisë së lidhjeve të mëtejme me Bashkimin Evropian.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG