Ndërlidhjet

KURTI: “PREMTIMEVE PËR PAVARËSI IU KA DALË BOJA”


Albin KURTI, lider i Lëvizjes "Vetëvendosje"

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, liderët kosovarë thonë se pavarësia është çështje javësh. Ju keni qenë skeptik rreth angazhimit të institucioneve. Vazhdoni të keni këtë qëndrim?

ALBIN KURTI
Gjithsesi. Këto janë institucione pa sovranitet, që nuk mund ta bëjnë Kosovën sovrane. Edhe para shumë muajsh ata patën thënë se çështja e pavarësisë është çështje javësh, por nuk doli ashtu. Pra, bëhet fjalë për premtime të vjetra, të cilave iu ka dalë boja dhe unë mendoj se kur politikanët kosovarë thonë se edhe kaq javë, ditë apo muaj do të bëhet pavarësia, apo do ta shpallim atë, ata në fakt janë duke kërkuar durimin e qytetarëve, pritjet e mëtutjeshme të tyre, në mënyrë që ata të vazhdojnë të mbesin në ato pozita ku janë atje, e ku i gëzojnë privilegjet si rezultat i buxhetit që është krijuar nga djersa dhe kontributi i qytetarëve. Këta do ta shtyjnë shpalljen e pavarësisë sa më shumë që të është e mundur. Unë nuk besoj se ajo shpallje e pavarësisë do të jetë edhe pavarësi. Ajo do të jetë kulmi i deklaratave të tyre për pavarësi, e cila shumë më parë do ta prodhojë pavarësinë e enklavave nga Kosova sesa të Kosovës nga Serbia, meqenëse po është një shpallje e pavarësisë pa pasur ne kurrfarë force ushtarake apo policore nën kontrollin tonë, gjë që do ta mbronte atë pavarësi nga intervenimi i Serbisë, qoftë i drejtpërdrejtë, qoftë nga intervenimi përmes strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, që ngjashëm sikurse në Bosnje dhe Kroaci do të mund ta shpallnin të pavlefshme atë pavarësinë e atij territorit ku ata janë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sidoqoftë, institucionet thonë se angazhohen për pavarësi, sikurse edhe Lëvizja që drejtoni ju. Atëherë kur synimi është i njëjtë, pse duhet të ekzistojë Lëvizja Vetëvendosje?

ALBIN KURTI
Këto institucione janë në rrugë të gabuar. Unë nuk mendoj se pavarësia po shtyhet apo po vonohet. Në fakt unë mendoj se pavarësia është e pamundur me rrugën që po e ndjekin ata. Rruga e negociatave nuk është rrugë e pavarësisë. Qëndrimi fillestar ka qenë pavarësia. Por, kur kanë hyrë në negociata kanë bërë shumë koncesione: 45 zona të veçanta rreth kishave dhe manastireve ortodokse, 11 komuna të reja serbe, ne do të marrim pjesë ne borxhin e jashtëm të Serbisë, por jo edhe në ndarjen e pasurisë dhe posaçërisht Serbia nuk do të paguajë asnjë cent. Prandaj, të gjithë këto lëshime pe, që i kanë bërë, i kanë bërë për hir të pavarësisë, të cilën tash po duan që ta shpallin edhe këta vetë. Dhe në këtë mënyrë po përfundojmë duke zbatuar çmimin e pavarësisë. Rruga e duhur nuk janë negociatat, por është vetëvendosja. Ne kemi qenë konsistentë në konceptin dhe veprimet tona, ndërsa ata pavarësinë e kanë pasur në fjalët e tyre të thata, të cilat nuk u realizuan asnjëherë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni qenë kritikët më të ashpër të administratës ndërkombëtare në Kosovë. Mbeteni kritikë edhe për vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian?

ALBIN KURTI
Po, unë mendoj se ardhja e misionit të ardhshëm të BE-së në Kosovë do të paraqesë një zëvendësim burokratik të UNMIK-ut ose një bashkëngjitje burokratike duke qenë se do të mbetet edhe UNMIK-u këtu, mbase në një numër të reduktuar, por do të vijë edhe ai misioni i ardhshëm i BE-së. Ardhja e misionit të BE-së është një ardhje jodemokratike, meqenëse nuk po bëhet kurrfarë referendumi në Kosovë për një ardhje të tillë dhe sikur që dikur nuk kishim nevojë për misionin e OKB-së në Kosovë, por për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, anëtare në OKB, njësoj edhe tani ne kemi nevojë që Kosova e pavarur të aderojë në BE e jo të na vie një sundim jodemokratik, dhe i cili nuk na jep neve llogari. Ai do të jetë një mision i ngjashëm sikurse në Bosnje me ç’rast do të kemi një përfaqësues special ndërkombëtar, i cili do ta ketë fjalën e fundit për gjithçka dhe në çdo kohë dhe në këtë mënyrë do të jetë një autoritet suprem mbi qeverinë e Kosovës, mbi Kuvendin e Kosovës, mbi popullin e Kosovës. Unë nuk besoj në këtë modelin autoritar të ndërtimit të sistemeve politike. Unë besoj në sistemet politike të cilat janë shtrëngim për politikanët dhe liri për popullin, e jo anasjelltas siç është rasti tani në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohë më parë ju patët bërë thirrje për bojkotimin e produkteve serbe. Tani, qeveria serbe ka kërcënuar me embargo ekonomike në rast të shpalljes së pavarësisë. Sa është real ky kërcënim, sikurse edhe kërcënimet për ruajtjen e Kosovës me të gjitha mjetet?

ALBIN KURTI
Unë mendoj se Serbia po kërcënon në të gjitha mënyrat e mundshme. Pra, ajo çdo front është duke e ndërtuar kundër Kosovës dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Prandaj, duke e ditur se në Kosovë është krijuar një lloj varësie nga produktet e Serbisë, ajo po do që t’i frikësojë qytetarët e Kosovës. Në fakt, unë mendoj se shumë më tepër Serbia ka nevojë për qytetarët e Kosovës si konsumatorë të produkteve të saj, sesa që ne kemi nevojë për produktet e Serbisë. Kështu që, kërcënimi i Serbisë do t’i frikësojë vetëm disa biznesmenë në Kosovë të cilët janë kryesorët në importimin e mallrave prej Serbisë e kurrsesi qytetarët e Kosovës. Unë mendoj se qytetarët e Kosovës do ta orientojnë konsumin e tyre kah produktet e Shqipërisë, por mbase edhe nga vendet tjera dhe në këtë mënyrë nuk kemi pse t’u frikësohemi kërcënimeve të Serbisë, aq më tepër pasi që mendoj se Serbia nuk e ka me gjithë mend. Serbia përveç se e dëshiron Kosovën si territor, e dëshiron edhe popullin e Kosovës si konsumator të prodhimeve të saj. Pra, atyre u duhet Kosova, neve nuk na duhet Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbetemi ende te zhvillimet në Serbi. Në zgjedhjet e djeshme presidenciale fitues ka dalë kandidati radikal Tomislav Nikoliq. Çfarë ndikimi do të ketë fitorja e tij eventuale në raport me statusin e Kosovës?

ALBIN KURTI
Nuk mendoj se politikanët në Serbi, që janë kryesorë atje, dallojnë shumë mes vete kur është në pyetje çështja e Kosovës. Pra, Nikoliqi dhe Tadiqi mund të kenë dallime sa i përket disa çështjeve të brendshme të Serbisë dhe të disa çështjeve tjera të integrimeve euroatlantike e kështu me radhë, por sa i përket Kosovës ata janë pak a shumë të njëjtë, për të mos thënë identikë. Kështu që, unë mendoj se nuk do të duhej që të karikaturohen, të dramatizohen dallimet mes Tadiqit dhe Nikoliqit sa i përket Kosovës. Ne e dimë se Kosova nuk e ka luftuar regjimin e Millosheviqit, por Serbinë. Nuk ka qenë Millosheviqi, ai që e ka prodhuar një Serbi të tillë çfarë e njohim ne, por ka qenë Serbia e tillë ajo që në një moment e prodhoi Millosheviqin. Kështu që, unë nuk pres ndonjë ndryshim të politikës së Serbisë karshi Kosovës, dhe statusit të saj pa marrë parasysh se në fund do të jetë fitues Nikoliq apo Tadiq.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti edhe para zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit ju keni parashikuar se koalicioni qeverisës do të bëhej nga PDK dhe LDK. Si e shihni tani këtë bashkëqeverisje?

ALBIN KURTI
Mendoj se është një harmonizim i dy klaneve kryesore në Kosovë, të cilët janë grupe interesash me bajraktarët e tyre ne krye, Fatmir Sejdiun dhe Hashim Thacin dhe në këtë mënyrë ata formulën jodemokratike të Grupit Negociator të Kosovës, i cili ishte tërësisht mbi institucionet dhe tërësisht nën PSSP-në e shndërruan edhe në formulë qeveritare. Mendoj se kjo i ka konvenuar shumë UNMIK-ut dhe disa prej zyrave të Quint-it këtu dhe posaçërisht Javier Solanës, sepse ata janë të interesuar që ta kenë një qeveri të fortë me një kryeministër të fuqishëm në krye, i cili do të mundte që ta zbatonte planin e Ahtisaarit në terren, përkundër faktit se Kosova nuk do të jetë e pavarur dhe sovrane.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga synimet kryesore te "Vetëvendosjes" është referendumi. Besoni në një referendum të afërt për vetëvendosje?

ALBIN KURTI
Unë mendoj se vetëm referendumi i ushtrimit të së drejtës për vetëvendosje është zgjidhje e drejtë për Kosovën, popullin e saj, e madje edhe për rajonin. Nuk mendoj se kjo do të ngjajë shumë shpejt për shkak se procesi aktual politik është në drejtim të gabuar dhe për t’u realizuar referendumi në Kosovë, që më pas do të njihej edhe nga bashkësia ndërkombëtare duhet që të ngritët populli i Kosovës, të gjithë njerëzit e pakënaqur, duhet të organizohen dhe mobilizohen për protesta e demonstrata masive dhe afatgjate dhe në këtë mënyrë ta detyrojnë UNMIK-un dhe faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë që nga përkëdheljet, që po ia bëjnë Serbisë të kalojnë te respektimi i vullnetit të popullit të Kosovës.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG