Ndërlidhjet

logo-print

MALOKU:”VËSHTIRËSI TË MËDHA EDHE PAS SHPALLJES SË PAVARËSISË”


Naim MALOKU, nënkryetar i AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se shumë shpejt Kosova do të pavarësohet. Si i shihni ju, si opozitë, zhvillimet në raport me statusin?

NAIM MALOKU
Unë mendoj se janë duke e bërë një gabim institucionet qendrore, tani të zgjedhura, Qeveria, kryetari i Kuvendit dhe presidenti, që nuk i kyçin të gjitha subjektet politike, që janë pjesëmarrëse në Kuvend të Kosovës, pra mendoj në të gjitha grupet parlamentare, në përgatitjen e hapave që duhet t’i ndërmarrë Kosova tani, së shpejti, për statusin e saj. Sipas medieve dhe sa kam përcjellë unë, konsultime janë mbajtur javën e kaluar dhe këtë javë, ndërsa nuk jemi të kyçur ne të tjerët. Personalisht, nuk e di se çfarë hapash; as unë si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe si nënkryetar i një subjekti politik, por as si parti politike nuk jemi të kyçur në këto konsultime. Mendoj se është hap i gabuar dhe mund të sjellë dëme për proceset në të cilat po kalon Kosova. Statusi i Kosovës nuk është pronë e dy-tre individëve, është një rezultat i arritur bashkërisht, jo vetëm nga ne, por edhe gjeneratat e kaluara. Mendoj se duhet të jemi bashkë në harmonizimin e qëndrimeve, për të ndërmarrë hapa të nevojshëm, që nuk do të jenë të lehtë dhe posaçërisht do të kemi vështirësi të mëdha edhe pas shpalljes së pavarësisë, për shkak se kjo nuk po kalon në Këshillin e Sigurimit dhe po i lihet një derë e hapur Serbisë dhe institucioneve e mekanizmave të tjerë joinstitucionalë të Serbisë, për të ndërmarrë hapa radikalë ndaj Kosovës. Mendoj se një fillim të keq e kanë institucionet e Kosovës tani, sa i përket harmonizimit dhe koordinimit të gjithanshëm të hapave që duhet t’i ndërmarrë Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila mendoni se do të jetë sfida më e madhe për Qeverinë e Kosovës?

NAIM MALOKU
Sfida më e madhe për Qeverinë e Kosovës dhe për Kosovën sa i përket statusit, do të jetë një periudhë pas statusit; ajo periudha kur me shpalljen e pavarësisë, praktikisht UNMIK-ut i skadon mandati dhe ende nuk e merr mandatin misioni civil i BE-së. Pra, ajo është një periudhë kur UNMIK-u nuk ka mandat, për shkak se Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe me shpalljen e pavarësisë UNMIK-u nuk ka më mandat të fuqishëm. (Pra, është sikur një qeveri e një vendi, kur shpallen zgjedhjet e lira, që i ka të kufizuara pastaj mandatet). Dhe, pastaj, natyrisht faza kur ende nuk e kemi të plotfuqishëm misionin civil në Kosovë. Është procesi dhe faza e njohjes së Kosovës nga shtetet; ajo nuk do të ndodhë menjëherë për 2-3 minuta, por ndoshta disa shtete do të marrin kohë për të kaluar njohja e Kosovës në parlamentet e tyre. Dhe, ajo kohë, ajo periudhë kur Kosova do ta ketë njohjen nga një numër ndoshta i vogël i shteteve, por të rëndësishme. Mirëpo, ne na duhet një njohje më e fuqishme dhe çdo njohje e cilitdo shtet në botë që e ka një votë në Kombet e Bashkuara, është për ne shumë e rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Serbi janë mbajtur zgjedhjet presidenciale. Në raundin e parë fillimisht kanë fituar radikalët. Sa mund të kenë ndikim këto zgjedhje në Kosovë?

NAIM MALOKU
Mendoj se nuk po merren seriozisht; sipas deklaratave dje dhe sot, nuk po shoh se po merren serioze lëvizjet në Serbi. Unë i kisha marrë pak më seriozisht lëvizjet atje. Ju keni parasysh që radikalët kanë fituar me mbi 6-7 për qind më tepër sesa në zgjedhjet e kaluara. Serbia po radikalizohet, vota për Nikoliqin me 39 për qind do të thotë që opinioni në Serbi po radikalizohet, qytetarët e thjeshtë votues po radikalizohen dhe kjo nuk po merret me një seriozitet pak më të madh edhe të institucioneve të Kosovës, të politikanëve kosovarë, të segmenteve që do të merren me sigurinë në Kosovë, sepse siguria do të jetë sfidë për Kosovën. Normalisht, edhe faktori ndërkombëtar, edhe UNMIK-u dhe të gjithë të tjerët që janë të kyçur në procesin e definimit të statusit, duhet t’i marrin pak më seriozisht zhvillimet në Serbi. Për mua kanë qenë zhvillime mjaft shqetësuese, rritje e madhe e popullaritetit të Nikoliqit dhe Sheshelit në këto zgjedhje, se praktikisht Nikoliqi është vetëm një përçues i politikës së Sheshelit. Shesheli është kryetar i Partisë Radikale atje dhe ne e dimë se çfarë pasojash ka lënë ajo politikë e Sheshelit në dhjetëvjeçarin e kaluar jo vetëm në Kosovë, por në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në aspektin e sigurisë, a parashikoni ndonjë përkeqësim të situatës në rast të shpalljes eventuale të pavarësisë së Kosovës?

NAIM MALOKU
Unë nuk shoh ndonjë zhvillim që do të shkaktojë vështirësi në menaxhim të situatës dhe krijim të ndonjë situate që do të jetë me përmasa të mëdha dhe vështirë të menaxhuara. Duke marrë parasysh faktin se Kosova është e mbingarkuar me forca të NATO-s, që janë të përgatitura mirë, pastaj pajisja e tyre teknike dhe infrastrukturore që është jashtëzakonisht e madhe, nuk ka nevojë të ketë shqetësime për ndonjë ndërhyrje nga jashtë. Mirëpo, në anën tjetër, janë krejt forcat radikale në Serbi dhe ato segmente që, në njëfarë forme, me qëllim lihen kinse jashtë-institucionale, por vepruese. Serbia gjithë kohën ka vepruar në dy binarë, në binarët institucionalë kinse dhe zyrtarë të Qeverisë së Serbisë dhe gjithmonë shërbimet e tyre kanë formuar segmente paramilitare, kinse jashtë kontrollit të qeverisë dhe pastaj i kanë kryer ato punët e ndyta që i kanë shkuar për shtati politikës zyrtare të Serbisë. Edhe ndaj Kosovës mendoj se do të ketë një qasje të tillë dhe mendoj se do të ndërmarrin çdo gjë në mundësitë e tyre për ta bërë rrugën e Kosovës sa më të vështirë. Duhet të merremi seriozisht me ngushtimin e hapësirës së veprimit të mundshëm dhe normalisht të kemi komunikim shumë të hapur me qytetarët, të gjitha subjektet politike, shoqëria civile, mediet; pra, në asnjë mënyrë, shqiptarët nuk guxojnë të kundër-reagojnë, në çfarëdo reagimi; mund të ketë reagim të lokalizuar, nuk pres të përmasave të mëdha, por pres ndonjë incident të lokalizuar të përmasave të vogla, që mund të shkaktojë pastaj reaksione dhe kundër-reaksione në popullatë të gjerë dhe ne duhet ta mbajmë nën kontroll situatën; qytetarët tanë duhet t’i mbajmë nën kontroll dhe ky kontroll arrihet vetëm me hapa të koordinuar, të përbashkët të të gjithëve dhe me një komunikim të hapur me qytetarët e Kosovës.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG