Ndërlidhjet

POZITA E OPOZITA ME MEKANIZMA TË PËRBASHKËT PËR DEKLARIMIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS


Zijadin Gashi

Statusi i Kosovës pritet të bashkojë sërish pozitën dhe opozitën në ndërtimin e trupave të përbashkëta për të përgatitur vendin për pavarësi dhe zbatim të obligimeve që i merr Kosova me këtë rast. Por, për dallim nga ish-Ekipi i Unitetit, i cili kishte për mision zhvillimin e negociatave, tani pritet të formohet një grup për përgatitjen e deklaratës së pavarësisë dhe katër grupeve tjera që do të merren me zbatimin e çështjeve që kanë të bëjnë me statusin. Niveli më i lartë do të përbëhet nga udhëheqësit e institucioneve dhe kryetarët e partive politike, pra edhe atyre opozitare. Ky grup pritet të hartojë deklaratën e pavarësisë së Kosovës, e cila më pas do të miratohet nga Kuvendi. Kur është në pyetje statusi, Kosova nuk do të ketë pozitë dhe opozitë, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Çështjet kryesore, me të cilat do të përballen mekanizmat e përbashkët qeveritarë dhe opozitarë, ndërlidhen me zbatimin e pakos së Ahtisaarit. “Akti i shpalljes apo definimit të statusit final të Kosovës është baza juridike e politike për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë. Por, kjo është çështje e vendimit politik që ne do ta respektojmë. Ne kemi një strategji të veçantë si Qeveri e Kosovës, që të krijojnë harmonizimet paraprake në tri rrafshe, rrafshi nacional, në mes forcave politike, si dhe të jenë të përfshira edhe forcat politike, të cilat nuk janë të përfshira në Qeverinë e Kosovës, pra në opozitë; rrafshi i dytë, harmonizimi i komuniteteve me komunitete jo shumicë që jetojnë në Kosovë dhe rrafshi i tretë, komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi. Me deklaratën e shpalljes apo rishpalljes së pavarësisë, varësisht si do të vendoset, Kuvendi i Kosovës do t’i ftojë njëkohësisht vendet tjera që ta njohin shtetin e Kosovës. Njëkohësisht, do të mirëpritet misioni civil ndërkombëtar dhe ai ushtarak i NATO-s. Me këtë deklaratë, thuhet se Kuvendi do të bëjë zotimin publik të Kosovës për zbatimin e pakos së Ahtisaarit si zgjidhje. Grupet tjera që do të formohen janë ai për Kushtetutë, grupi për simbolet, grupi për çështje strategjike, si dhe grupi për legjislacion, që ka të bëjë me zbatimin e pakos së Ahtisaarit. Aleanca Kosova e Re si dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë e kanë mirëpritur nismën e kryeministrit Hashim Thaçi për formimin e këtyre grupeve, duke i konfirmuar pjesëmarrjen. Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi, thotë se çështja e statusit nuk duhet t’i njoh kufijtë normalë në mes pozitës e opozitës, pasi që bëhet fjalë për një interes të popullit të Kosovës. “Natyrisht edhe ne, përkatësisht kryetari, mbështeti idenë që AKR-ja të jetë e përfshirë në këto trupa punues, që kanë të bëjnë me projektet që lidhen me statusin final të Kosovës dhe me shpalljen e pavarësisë. U përmend një grup që do të jetë në përgatitje të aktit të shpalljes, aty u ftua dhe ne pranuam që kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, të jetë pjesë e tij, meqë bëhet fjalë për liderët e gjitha subjekteve që do ta përbëjnë këtë grup”, tha Gashi. Po ashtu, edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë konfirmon pjesëmarrjen e saj në projektet që kanë të bëjnë me statusin. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Lulëzim Zeneli, thotë se pjesëmarrja e LDD-së në grupet e përbashkëta për statusin është konfirmuar që nga seanca e parë e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës. “Sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me statusin final dhe ato çështje që identifikohen si çështje nacionale, shtetërore të vendit, LDD-ja nuk do të jetë opozitë, përkundrazi do të jetë një partner me qeverinë në këtë raport. Këtu bëhet fjalë për grupet punuese, sidomos ai për Kushtetutë, tranzicion dhe simbolet shtetërore”, theksoi Zeneli. I tërë procesi i përgatitjes së deklaratës për pavarësinë e Kosovës, si dhe ai zbatimit të pakos së Ahtisaarit, sipas qëndrimeve aktuale të kosovarëve, do të koordinohet me përfaqësuesit ndërkombëtarë, sidomos me përfaqësitë diplomatike dhe me Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG