Ndërlidhjet

logo-print

KFOR-i DHE SHPK-ja të gatshme për të ruajtur rendin dhe qetësinë



Pavarësisht zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe kërcënimeve të mundshme që mund të ketë në prag të zgjidhjes së statusit të Kosovës, KFOR-i dhe Shërbimi Policor i Kosovës thonë se janë të gatshëm për t’i mbrojtur qytetarët. Zëdhënësi i KFOR-it, Bertrant Bonneau, thotë se KFOR-i është i gatshëm për çfarëdo situate të mundshme, sa i përket sigurisë. “Ne kemi plane të ndryshme për situata të ndryshme dhe kjo është ajo që mund ta them tash për tash. Ne jemi këtu, mandati ynë mbetet i njëjtë dhe ne punojmë në bazë të Rezolutës 1244. KFOR-i garanton mbrojtje dhe siguri për të gjithë qytetarët”, ka thënë zëdhënësi i KFORI-it, Bertrant Bonneau. Ai ka shtuar se KFOR-i i ka planet e veta për t’u ballafaquar me situata të ndryshme, që përfshijnë edhe pakënaqësitë që mund të vijnë si rezultat i zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Po ashtu, edhe zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, thotë se policia ka plane të ndryshme për veprim, në rast të kërcënimeve ngado që ato vijnë. Sipas Elshanit, në raste të tilla do të veprohet me kohë. “SHPK-ja vazhdimisht përgatitet për situata të ndryshme, në kohë të ndryshme. Ne kemi pasur një plan operativ më herët; që në dhjetor të vitit 2005 veç është implementuar plani operativ i quajtur ‘Siguria e rreptë’, që si qëllim kryesor kishte krijimin e klimës së sigurisë gjatë zhvillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Tani kemi një plan tjetër, i cili ka të bëjë me vetë statusin, mirëpo ka të bëjë me variete të ndryshme. Kështu që qëllimi kryesor i këtij plani dhe qëllimi kryesor i SHPK-së është që të bëjë ruajtjen e jetës dhe të pronës, ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike, sikurse çdo polici tjetër në botë. Nuk mund të flasim për kërcënime. Duke pasur parasysh se ne jemi një institucion, i cili merret me rendin dhe qetësinë publike, normalisht që çdoherë kur rrezikohet rendi dhe qetësia publike, jemi në gjendje të reagojmë dhe jemi të përgatitur ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Elshani.

Por, nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Agim Musliu, vlerëson se në këtë periudhë të ndjeshme të përcaktimit të statusit final, janë të mundshme kërcënimet. “Kërcënime, sipas disa skenarëve, janë bllokimet e rrugëve nëpër enklava ku janë serbët shumicë; mundësia e provokimit të një konflikti më të gjerë, ku do të mundohen që popullata shqiptare të tërhiqet në konflikt. Ne nuk guxojmë assesi të bimë në atë kurth”, u shpreh Musliu.

Sido që të jetë, gjatë muajit të ardhshëm, në Kosovë do të zbarkohen 560 pjesëtarë të forcave rezervë të NATO-s, nga radhët e ushtrisë italiane. Zbarkimi i tyre nuk ka të bëjë me situatën e sigurisë apo me procesin e statusit, por bëhet fjalë për ushtrime të rregullta të njësive rezervë. Ata do të vendosen në Kosovën qendrore dhe në veri të Kosovës, ka bërë të ditur zëdhënësi i KFOR-it.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG