Ndërlidhjet

logo-print

MARNHAC: NUK KA KËRCËNIME PËR SIGURINË, AS NË VERI, AS NË PJESËT TJERA


Albana Isufi

Komandanti i KFOR-it, Xavier De Marnhac, ka siguruar sot se aktualisht nuk ka kërcënime për sigurinë në Kosovë, pavarësisht se Kosova gjendet në prag të zgjidhjes së statusit final të saj. Ai i ka bërë këto komente nga pjesa veriore e Kosovës, pjesë kjo që nga shumë analiza të grupeve që merren me sigurinë, shihet si vend potencial i rrezikimit të sigurisë, në rast se institucionet shpallin njëanshëm pavarësinë e Kosovës. Sidoqoftë, gjenerali francez, pas takimit që ka pasur me kryetarin e Kuvendit Komunal të Zveçanit, Dragisha Miloviq, ka thënë se KFOR-i nuk pret përkeqësim të situatës dhe as probleme të sigurisë në territorin e Kosovës, e as në veriun e saj. “Unë nuk shoh të vijë ndonjë telashe nga ndonjë vend. KFOR-i është i përgatitur; kemi parashikuar të gjitha mundësitë, të gjitha situatat e mundshme dhe nuk pres telashe, veçanërisht në këtë pjesë të vendit”, tha gjenerali De Marnhac. Kohë më parë, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Blerim Kuçi, pati publikuar një raport, ku tërhiqte vëmendjen për gjendjen e brishtë të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Në raport qe theksuar edhe prania e disa civilëve, që dyshohej se ishin pjesëtarë të strukturave paralele serbe të sigurisë. Megjithatë, gjenerali francez, trupat e vendit të të cilit zakonisht kanë qenë të përqendruara në Mitrovicë dhe në pjesët tjera veriore të Kosovës, është shprehur i bindur se KFOR-i do të mund ta ruajë sigurinë në çdo cep të Kosovës. Gjenerali De Marnhac ka thënë se për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ndikim të madh kanë liderët, si të nivelit lokal, ashtu edhe të nivelit qendror. “Dua të theksoj se si komandant i KFOR-it jam përgjegjës për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe jam plotësisht i përkushtuar për këtë. KFOR-i është plotësisht i angazhuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Dhe, për të arritur këtë, llogaris në të gjithë liderët e këtij vendi dhe natyrisht edhe kryetarin e komunës, si një nga liderët e këtij vendi”, tha De Marnhac në Zveçan, komunë kjo në të cilën ende pushteti kontrollohet nga strukturat paralele serbe dhe jo nga institucionet e Kosovës. Kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, më tepër se sigurinë ka paraqitur si problem të komunës së tij praninë e më se, siç ka thënë ai, katër mijë të zhvendosurve serbë. “Sipas të dhënave tona, janë rreth 3 deri në 4 mijë të zhvendosur, që janë larguar nga shtëpitë e tyre në vitin 1999 dhe pas trazirave të marsit të vitit 2004 dhe ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre. Shumica nga ta thonë se për shkak të mungesës së sigurisë dhe lirisë së lëvizjes, nuk mund të kthehen”, tha Miloviq. Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të lartë kosovarë, por edhe sipas vetë shefit të UNMIK-ut, liria e lëvizjes nuk është më problem në Kosovë. Këtë gjë, Joachim Ruecker e ka potencuar edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, ku ka paraqitur raportin tremujor për gjendjen në Kosovë.
XS
SM
MD
LG