Ndërlidhjet

SHALA:”IMAZHI EKONOMIK I KOSOVËS DO TË NDRYSHOJË PAS ZGJIDHJES SË STATUSIT”


Ahmet SHALA, Ministër i Ekonomisë dhe Financave

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, gjendja ekonomike në Kosovë vlerësohet si e rëndë dhe pa ndonjë përmirësim të dukshëm në vitet e fundit. Çka mund të ndryshoni në këtë drejtim dhe si?

AHMET SHALA
Në Kosovë, edhe pse gjendja ekonomike vlerësohet si e vështirë, posaçërisht për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, në vitet e fundit ka pasur përmirësime të ndjeshme në fusha të caktuara. Ne, si Ministri e Ekonomisë dhe Financave, do të angazhohemi në shqyrtimin e politikave të tanishme ekonomike, me theks të veçantë të atyre fiskale dhe të administratës tatimore, me qëllim të krijimit të parakushteve më të favorshme për një zhvillim të sektorit privat dhe një qëndrueshmëri afatgjate, natyrisht afatmesme së pari, të politikave fiskale, duke mundësuar kështu një ambient më konkurrues në tregun e Kosovës karshi konkurrencës regjionale dhe botërore.

RADIO EVROPA E LIRË
Me një buxhet të kufizuar, siç e ka Kosova, cilat janë mundësitë para jush për të arritur deri tek një përmirësim?

AHMET SHALA
Qeveria e Kosovës do t’i bëjë të gjitha përpjekjet, që t’i orientojë energjitë e saj në fusha që ajo do t’i definojë si prioritete. Në veçanti, do të fokusohemi në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, si dhe ofrimin e shërbimeve më të mira publike, duke përmirësuar edhe gjendjen në fushën e energjetikës, natyrisht të transportit, të arsimit; do të kemi fokus po ashtu edhe në bujqësi. Por, për t’i prioritizuar të gjitha këto, natyrisht nuk varet vetëm nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, por edhe nga vendimi i caktuar i Qeverisë së Kosovës, duke provuar politika, të cilat shkojnë konform prioriteteve afatmesme dhe afatgjate. Ministria e Ekonomisë dhe Financave është duke punuar në atë drejtim dhe në koordinim me ministritë e tjera, ne, së shpejti, do të dalim me rangimin e prioriteteve. Natyrisht, këto do t’i bëjmë edhe në bashkëpunim me institucionet e ndryshme ndërkombëtare. Jemi duke u përgatitur për konferencën e donatorëve dhe gjatë kësaj jave do të jemi në Bruksel, për të biseduar me donatorët kryesorë, se si t’i bashkërendisim veprimet, në mënyrë që në ato segmente, ku buxheti i Kosovës është i shkurtër, ne të kërkojmë ndihma. Por, gjithsesi, nevojiten edhe projekte, të cilat e mundësojnë zbatimin e atyre projekteve që ne nuk mund t’i mbërrijmë me buxhetin tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Joshja e investitorëve të huaj shihet si shtytje kryesore për zhvillimin ekonomik. Si mendoni ta realizoni një gjë të këtillë?

AHMET SHALA
Ne jemi duke u konsultuar me institucione të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare, për të krijuar një bazë më të mirë ligjore dhe prioritizimi i mëhershëm i sektorëve në krijimin e politikave më të favorshme ekonomike, natyrisht se do të krijojë parakushte për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Së shpejti, ne do të fillojmë një dialog, së pari të brendshëm, për t’i përmirësuar politikat fiskale dhe tatimore dhe organizimin e administratës tatimore. Pastaj, në dialog me biznesin kosovar, do të shohim se cilat do të jenë masat e para afatshkurtra dhe afatmesme, në mënyrë që të krijohet një ambient më joshës për investime. Natyrisht, këtu kërkohet një bashkërendim me të gjitha institucionet kosovare dhe besoj se vullneti ekziston. Do të bashkëpunojmë ngushtë edhe me institucionet tjera ndërkombëtare, në mënyrë që të gjejmë politika të qëndrueshme, duke respektuar gjithmonë edhe qëndrueshmërinë fiskale dhe buxhetore të Kosovës. Shihet qartë se procesi i privatizimit në Kosovë ka filluar t’i japë efektet e veta pozitive. Besoj se do të vazhdojë. Agjencia Kosovare e Mirëbesimit natyrisht që do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar punën e vet, në mënyrë që ndërmarrjet që kanë mbetur pa privatizuar, të privatizohen. Sigurisht që pas statusit final, ne do të vazhdojmë të gjejmë rrugë për riorganizimin më të mirë edhe të organizatave publike, siç është Aeroporti, KEK-u dhe të tjerat, që janë po aq të rëndësishme për ne, për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, duke pasur parasysh gjithmonë që taksat e popullit që vërtet vështirë po mblidhen, të përpiqemi t’i orientojmë në ato segmente, ku sektori privat nuk ka interesim. Ndërsa, aty ku sektori privat ka interesim, ne do të përpiqemi të gjejmë forma, qoftë me partneritetin publik privat, qoftë me koncesione t’i zgjidhim problemet, duke mos dëmtuar buxhetin e Kosovës, por duke e orientuar atë në segmente siç është arsimi, shëndetësia, siç janë segmentet ku sektori privat mbase do të kishte interesim, por ne si shtet i kemi obligim ndaj popullatës, ndaj të moshuarve, ndaj arsimit dhe ndaj pensionistëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, zgjidhja e statusit të Kosovës është cilësuar edhe si zgjidhje e vetme, e cila do ta rimëkëmbë ekonominë. Në anën tjetër, gjithashtu është thënë se statusi nuk është shkop magjik për zgjidhjen e problemeve në rrafshin ekonomik. Ju, si mendoni?

AHMET SHALA
Është e vërtetë që pavarësia vetvetiu nuk i zgjidh problemet, as nuk është shkop magjik dhe mbase nuk do të ketë kurrë një shkop magjik, çfarëdo që të jetë statusi, për t’i zgjidhur problemet ekonomike, sociale e të tjera. Por, megjithatë, statusi ekonomik i ka dy gjëra shumë të rëndësishme; nën një, që mbase është faktori i brendshëm, çliron popullin që të mos mendojë vetëm për statusin, por t’i rreket punëve të veta të përditshme. Ju e dini se mbase me dekada ne jemi duke u fokusuar vetëm në atë dhe mbase ashtu është dashur të veprohet. Prej momentit kur ajo do të ndodhë, sigurisht se do të paraqiten para nesh shumë sfida dhe shumë probleme. Por, statusi, vetvetiu, zgjidh edhe disa elemente të tjera, i jep Kosovës akces në institucionet financiare ndërkombëtare, ndërsa për ne mbetet detyrë që të hartojmë, të përpilojmë dhe të jemi të gatshëm që të zbatojmë projekte, në mënyrë që të thithim kapitale të jashtme nga institucionet financiare ndërkombëtare. Sigurisht se imazhi i Kosovës do të përmirësohet jo vetëm duke u integruar në këto institucione, por edhe duke zhvilluar sektorë të qëndrueshëm ekonomikë, duke e bërë gjyqësinë më të efektshme, duke luftuar korrupsionin në çfarëdo forme që ai paraqitet dhe duke ngritur efektshmërinë e institucioneve publike, siç është vetë Qeveria, siç janë qeveritë komunale, siç janë edhe shërbimet e tjera publike. Këto janë elemente, në të cilat sigurisht se pas statusit do të fokusohemi dhe natyrisht integrimet tjera regjionale dhe ndërkombëtare do të na mundësojnë që të jemi partnerë të barabartë me ata partnerë që vërtet i bashkëngjiten vizionit të së ardhmes së Kosovës në Unionin Evropian.

INTERVISTOI: NADIE AHMETI
XS
SM
MD
LG