Ndërlidhjet

Qytetarët s'u besojnë premtimeve për datën e pavarësisë



Qytetarët kosovarë thonë se janë lodhur nga premtimet e politikanëve, se Kosova shumë shpejt do të pavarësohet. Ata mendojnë se politika e tyre është bërë si një lojë.

Safet Behrami, edhe pse thotë se është i lodhur nga pritjet për pavarësi, ai mendon se duhet pritur edhe pak. “Natyrisht që është lodhje e gjithë popullatës, e edhe e imja po ashtu. Por, mendoj së duhet koordinuar me qarqet ndërkombëtare. Unë e pëlqej pozicionin e udhëheqësisë sonë, që të koordinohet me qarqet ndërkombëtare. Kjo është një garanci se nuk do te këtë më zhgënjim”, u shpreh Behrami.

Vigan Jashari thotë se ka dëgjuar se në shkurt do të shpallet pavarësia. “Po thonë se në shkurt, e në cilin shkurt, të cilit vit, nuk dihet. Jam lodhur me këto premtime. S’ka më, ka ardhur koha”, tha ai.

Behije Visoka thotë se është lodhur nga premtimet e politikanëve. “Me premtime mjaft jemi lodhur. Veç po heshtim e po durojmë; të shohim se çka do bëhet. Këto premtime, dhëntë Zoti, të mos jenë lojë”, thotë Visoka.

Hysen Alia mendon se politika në Kosovë është e kotë, meqenëse, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare vendos për Kosovën. “Sipas mendimit tim, ne këtu nuk mund të vendosim, por vetëm ata të jashtmit”, thotë Alia.

Deklaratat e politikanëve se shumë shpejt do të ketë pavarësi, janë vetëm për të shtyrë kohën, thotë Sadri Fetiu “Kjo është një lojë me fatin e këtij populli; me vite të tëra, nuk është vetëm sot. Vazhdon loja. Ky popull ka të drejtë të vetëvendosë për fatin e vet. E drejta e vetëvendosjes kuptohet, duhet të jetë. Deklaratat që jepen janë për të shtyrë kohën. Edhe këta nuk kanë gjë në dorë, Evropa. Ato forca që i kanë bërë të padrejta popullit shqiptar, ato forca janë ende; lidhet e vjetra, ende sillen nga Kongresi i Berlinit e këndej”, shprehet Fetiu.

Remzi Sinani thotë se është mësuar me premtimet e politikanëve dhe se për të premtimi për pavarësi është i vjetër. “Mendoj se klasa politike e Kosovës është nën ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ushtron pushtetin në Kosovë. Unë mendoj se këto premtime janë të vjetra. Këto premtime janë që një kohë të gjatë. Kështu që, në një aspekt, këta janë edhe të pafajshëm, për arsye se gjenden nën ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila që një kohë të gjatë është e pranishme në Kosovë”, tha Sinani.

Edhe Nafije Gërxhaliu shprehet skeptike për realizimin e pavarësisë në një kohë të shpejtë. “Kjo, aspak nuk besoj se është as më 2 shkurt, as me 6 shkurt apo 15 shkurt. Ku ta di unë, aspak nuk besoj. Që sa vite janë duke thënë se jo në këtë muaj, jo në këtë vit; asgjë nuk ka. Krejt populli është lodhur prej këtyre fjalëve”, u shpreh Gërxhaliu.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG