Ndërlidhjet

ANALISTËT SKEPTIKË SE PAVARËSIA ËSHTË ÇËSHTJE DITËSH


Albana Isufi

Analistët politikë në Kosovë janë skeptikë se pavarësia e Kosovës është çështje ditësh. Kryeministri Hashim Thaçi tha sot, pas takimeve me zyrtarë të lartë në Bruksel, se pavarësia është çështje ditësh dhe se kanë mbetur të plotësohen vetëm disa aspekte procedurale. Megjithatë, analisti Ramush Tahiri mendon se janë shumë faktorë që bëjnë që pavarësia të shtyhet të paktën deri në muajin mars. Ai thotë se kryeministri Thaçi, me zyrtarët e lartë të BE-së, ka arritur pajtimin vetëm se pavarësia është e vetmja zgjidhje, ndërkaq data do caktohet më vonë. "I vetmi qëllim i përbashkët do të ishte se pavarësia e Kosovës shihet si zgjidhje, mirëpo qëndrimet do të harmonizohen dhe do të caktohet një datë e përshtatshme. Kjo datë e përshtatshme assesi nuk do të jetë përpara vendosjes së misionit evropian në Kosovë, sidomos të policisë dhe të gjyqësisë", tha Tahiri. Ndërkaq, Driton Lajçi mendon se pavarësia, megjithatë, duket se do të mbetet çështje javësh, për arsye se ende nuk është arritur pajtueshmëria e plotë për këtë çështje në mesin e vendeve të BE-së. "Unë nuk mendoj se kjo çështje është në duar të Qeverisë, kryeministrit, presidentit dhe të BE-së. Janë disa faktorë tjerë që e përcaktojnë edhe përmbajtjen, madje edhe datën. BE-ja ende nuk ka arritur qëndrim të plotë unifikues sa i përket statusit të ardhshëm të Kosovës. Pavarësia - plus apo minus... Mandej, është çështja e datës, ku duhet të ketë konsensus të plotë në mes të faktorëve vendimmarrës, siç janë BE-ja, SHBA-të dhe pala kosovare", theksoi Lajçi. Ramush Tahiri mendon se shpallja e pavarësisë, përderisa në Kosovë të gjendet ende administrata e Kombeve të Bashkuara, do të shkaktojë probleme legale në Kombet e Bashkuara, por edhe në mekanizmat tjerë botërorë. "Për mendimin tim, pavarësia e Kosovës duhet të bëhet gjatë mandatit të misionit të BE-së, sepse nuk e hap mundësinë e kundërshtimeve dhe të hedhjes poshtë të shpalljes së pavarësisë, e cila nuk do të konsiderohej akt i njëanshëm, por që do të konsiderohej vullnet i shprehur lirshëm i popullit të Kosovës", tha Tahiri. Megjithatë, analisti Driton Lajçi konsideron se faktori vendor duhet të jetë më këmbëngulës dhe të imponojë caktimin e datës së pavarësisë. "Një nga faktorët kryesorë që duhet ta afrojnë datën e shpalljes është faktori vendor, faktori Kosovë. Ata duhet të tregojnë vendosmëri që brenda pak ditëve, eventualisht pak javëve, të shpallet pavarësia e Kosovës. Kjo nuk ndodh në takimet Solana-Thaçi, por ndodh në takimet mes BE-së, GK-së, SHBA-ve. Dhe këta duhet të dakordohen për përmbajtjen dhe datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës", u shpreh Lajçi. Sidoqoftë, dilemë tjetër mbetet nëse pavarësia duhet të shpallet para apo pas ardhjes së misionit të BE-së në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë sot se brenda 2-3 ditësh do të qartësohet data e vendosjes së këtij misioni.

XS
SM
MD
LG