Ndërlidhjet

Mbi 100 milionë euro në vit humbje nga malli i kontrabanduar



Mbi 100 milionë euro humb buxheti i Kosovës, brenda një viti, nga malli i kontrabanduar vetëm në pikat kufitare me Serbinë, thonë udhëheqës të organizatave që merren me çështje ekonomike. Qendra kryesore e kontrabandimit të mallit, sipas tyre, është pjesa veriore e Kosovës.

Ky është një problem që po i shkakton dëme të mëdha ekonomike Kosovës, për shkak se malli që hyn, nuk i nënshtrohet fare procedurave doganore, thotë Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit. Ai thotë se ekonomia ilegale në Kosovë po rritet dita-ditës, për shkak të interesave personale të individëve, qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi. “Rreth 200 milionë euro janë importe legale nga Serbia, ndërkaq nga statistikat që ka Serbia, kjo është mbi 300 milionë euro eksport për Kosovë; po aq janë edhe mallrat e kontrabanduara. Për këtë diferencë nuk kanë të dhëna as pjesa kosovare, as pjesa e Serbisë, sepse kontrabandohet në forma të ndryshme, përmes kanaleve të ndryshme, me maune të ndryshme. Unë mendoj se 100 milionë euro humb Kosova nga kontrabandimi në pikat kufitare që nuk janë të mbuluara mirë dhe këto më tepër janë probleme politike”, tha Shahini.

Muhamet Sadiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore ‘RIINVEST’, pohon se mbi 30 për qind e mallit që hyn nga Serbia në Kosovë, hyn nëpërmjet pikave jolegale. Këto mallra janë duke krijuar vështirësi të mëdha në tregun e Kosovës, i cili pretendon të jetë një treg konkurrues, thotë Sadiku. “Rreth 30 për qind e të gjitha importeve që vijnë nga Serbia, hyjnë nëpërmes pikave të zeza. Duhet të pranojmë se në kufi me Serbinë, në pjesën veriore, ne e kemi Shërbimin Doganor, Shërbimin Policor të Kosovës, por, për fat të keq, ky kufi ende nuk është duke u kontrolluar. Prandaj, vlerësoj se një pjesë e madhe e këtyre mallrave vjen nga Serbia nëpërmes këtyre vrimave”, tha Sadiku.

Ndryshe, edhe vetë zyrtarë të Shërbimit Doganor të Kosovës pohojnë se kontrabandimi i mallit në pikat kufitare me Serbinë është i pranishëm. Naim Huruglica, drejtor në Shërbimin Doganor të Kosovës, megjithatë, thotë se ky lloj kontrabandimi është në rënie e sipër, krahasuar me vitet e kaluara. “Është një përmirësim i dukshëm, përmirësim i jashtëzakonshëm në drejtim të mbylljes së atyre shtigjeve. Nuk them se njëqind për qind, se një pjesë e madhe e asaj kontrabande po zhvillohet nëpërmes kufijve të gjelbër, që quhet vija e gjelbër, siç është Liqeni i Gazivodës, por edhe rrugë tjera ilegale, por përmasat janë dukshëm më të vogla, sesa kanë qenë më herët”, theksoi Huruglica.

Ky përmirësim, sipas tij, ka ndodhur për shkak të bashkëpunimit me administratën doganore të Serbisë. “Bashkëpunimi me administratat na ka mundësuar atë, që, në baza të rregullta javore, ne shkëmbejmë të dhënat statistikore, se sa mall, çfarë malli, emrat e kompanive dhe të dhënat e maunave që kanë kaluar në Serbi dhe anasjelltas. Ky këmbim i të dhënave e ka bërë të mundshëm zvogëlimin dhe minimizimin e këtyre rasteve”, pohoi Huruglica.

Në anën tjetër, Muhamet Sadiku mendon se kufiri Kosovë - Serbi asnjëherë nuk i ka pasur kompetencat e plota si kufi shtetëror, për shkak të statusit. “Shërbimi Doganor i Kosovës është një shërbim që është duke i zhvilluar kapacitetet e veta. Por, ajo çka është problematike, është vërtet kufiri me Serbi, sepse deri më tash ky kufi konsiderohet si kufi administrativ, por, pas zgjidhjes së statusit, do të ndërkombëtarizohet, çka do të krijohet mundësia që ky kufi të ruhet shumë më mirë”, tha Sadiku.

XS
SM
MD
LG